E Diel, 1 Nëntor 2026

Neranxi, prokuroria së shpejti firmos fletëthirrjen

Hetimet për kontrabandë dhe evazion fiskal nga subjektet në pronësi të Nikollaq Neranxit nisën 1 vit më parë nga njësia e specializuar Task-Force, pas kallëzimit të bërë nga Drejtoria e Përgjithshme e Doganave. 

TIRANE-Prokuroria e Përgjithshme do të marrë së shpejti në pyetje ish-deputetin e Lëvizjes Socialiste për Integrim, Nikollaq Neranxi, i cili dyshohet për kontrabandë. Lajmi bëhet i ditur nga burime zyrtare të organit qendror të akuzës, të cilat pohuan se ende nuk kanë firmosur fletëthirrjen, por një gjë të tillë do ta bëjnë së shpejti.

"Kuvendi e votoi kërkesën tonë për heqjen e imunitetit, duke na hapur rrugën e hetimeve. Do të kryejmë të gjitha verifikimet e duhura dhe do të thërrasim në prokurori dhe deputetin Neranxi brenda një kohe mjaft të shkurtër", - saktësuan burimet.

Hetimet për kontrabandë dhe evazion fiskal nga subjektet private në pronësi të Nikollaq Neranxit nisën afro një vit më parë nga njësia e specializuar Task-Force, pas kallëzimit të bërë nga Drejtoria e Përgjithshme e Doganave. Ky institucion denonconte faktin se subjekti tregtar në pronësi të deputetit Neranxi u është shmangur detyrimeve doganore, duke i shkaktuar shtetit një dëm prej 13.5 milionë lekë. Nga hetimet rezultoi se përgjatë vitit 2004-2005, kompania kishte importuar mallra të ndryshme pa i deklaruar në doganë. Në momentin që u vërejtën elementë që implikonin deputetin e LSI-së, dosja iu kalua për kompetencë prokurorisë së Përgjithshme.

Kuvendi miratoi me 68 vota pro, 13 kundër dhe katër abstenim kërkesën e prokurorisë së Përgjithshme për heqjen e imunitetit të deputetit të LSI-së, Nikollaq Neranxi. Ai e cilësoi heqjen e imunitetit parlamentar si, "skenar të ulët politik dhe të nxitur me qëllim para zgjedhjeve të 28 qershorit". Neranxi deklaroi se nuk kishte nevojë për imunitetin për të treguar se ishte i pafajshëm.
(s.g/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›