E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kur Himara nuk qeveriset

Nikollaq Neranxi 

Javën e kaluar në Parlamentin e Shqipërisë, por me vonesë në kohë, përfaqësues të opozitës u bashkuan me zërin tim për të denoncuar tendencën e hapur për ...grabitjen dhe manipulimin e së vërtetës për pronat në bregdetin e Himarës.
Gjatë vitit të fundit, në cilësinë time si qytetar i Himarës, kam organizuar takime dhe tubime të himarjotëve për t'u kërkuar institucioneve të vendit, Presidentit, Parlamentit dhe Qeverisë nisjen e procesit të lëshimit të certifikatave të pronësisë për tokat e trashëguara.
Zëri im dukej sikur binte në vesh të shurdhër, por në të vërtetë unë e di se sa zëra solidarë kam pasur nga shumë vende të botës, ku jetojnë dhe punojnë si emigrantë bashkëpatriotët e mi himarjotë dhe bregas. Kam një korrespodencë të pasur me letërkëmbime, falënderime dhe inkurajime për këtë çështje, e cila është themelore për këta banorë dhe është një ndër shqetësimet e mia për familjet e tyre.
Ky proces i penguar, i përdorur politikisht dhe i manipuluar nga administratorë lokalë dhe bashkëpunëtore në kryeqytet, të kryesuar prej kryebashkiakut në detyrë Vasil Bollano, gjendet momentalisht në një fazë delikate.
Në foltoren e Parlamentit kam denoncuar manovrat e Vasil Bollanos për ta përdorur dhe monopolizuar politikisht këtë çështje. Prej vitesh kjo çështje është keqpërdorur nga ky zotëri dhe nga mbështetësit e tij fanatikë. Për këtë qëllim është shfrytëzuar mungesa e transparencës, injoranca e një pjese të mirë të mbështetësve të kryebashkiakut, padijenia e procedimit ligjor dhe përdorimi i kësaj injorance për interesa politike të ditës dhe në shërbim të këtij personazhi që gjatë dy mandateve në këtë detyrë po e përdor Himarën si 'mish për top".
Në cilësinë e deputetit kam denoncuar këtë zotëri si të zgjedhurin që nuk po bën detyrën, që grin politikë dhe nuk administron Himarën, që e ka shndërruar këtë qytezë në një vend rural, të pazhvilluar. Bashkia që ai drejton është një njësi administrative e vetizoluar. Ajo gjeneron probleme në komunikimet institucionale, nuk aplikon asnjë plan zhvillimi dhe nuk ka ritëm investues, nuk ndiqet asnjë politikë për thithjen e të ardhurave që sigurojnë bijtë e saj nga emigracioni. Në këtë territor administrativ po ndiqen politika selektive për ndërtime të paligjshme, jashtë logjikës studimore dhe perspektive, pa asnjë kujdes për ruajtjen e natyrës dhe të resurseve që ka kjo zonë e begatë. Ky kryebashkiak, është armiku i vlerave kulturore në këtë zonë. Në shtatë fshatrat e Himarës nuk gjen asnjë muze, asnjë qendër rinie, asnjë bibliotekë a librari, asnjë mjedis sportiv, asnjë mjedis që mund t'i shërbejë argëtimit qoftë edhe sezonal të rinisë, me përjashtim të disa bareve dhe diskove modeste, të cilat ngrihen vetëm për sezonin dhe ku ushtrohet një shërbim primitiv, pa kulturë dhe madje me një nivel komunikimi mjeran.
Të gjithë këta elementë, janë pjesë e tablosë që ta afron Himarën si një vend të pavlerësueshëm për perspektivën dhe të ardhmen turistike, siç pretendon në guidat e veta modeste dhe jo përfaqësuese, kryebashkiaku në detyrë Vasil Bollano.
Problemet e mëdha për himarjotët dhe Himarën lidhen drejtpërsëdrejti me tokën, me atë trashëgimi shekullore, të cilën nuk e zhbën dot as ky pinjoll dhe as ndokush tjetër, që mendon se karriera politike mund ta katandisë Himarën në "mish për top".
Ndjej përgjegjësinë dhe ndërgjegjen time në shërbim të Himarës, pas reagimeve të kolegut Erion Braçe javën e shkuar në Parlament, ku denoncoi korrupsionin dhe abuzimin me pronat e Himarës. Dosja e këtij korrupsioni ende nuk është zbardhur, dhe me përgjegjësi deklaroj se në këtë ndotje, në këtë abuzim dhe në këtë masakër të pazbardhur me tokat e himarjotëve është e përfshirë edhe ndërgjegjja e Vasil Bollanos dhe disa shërbëtorëve të tij në atë bashki të izoluar dhe të mbyllur. Dosja e zotit Bollano për këto abuzime ka për t'u hapur prej vetë pronarëve, që janë grabitur me letra në ditët e ardhme.
Unë do të ndihem krenar për këtë reagim në kohë dhe për denoncimin e pa ngurrim ndaj këtyre akteve dhe ndaj këtij korrupsioni që i lë disa dhjetëra himarjotë pa trashëgiminë e trojeve së të parëve të tyre. Dashuria e disa fanatikëve për Bollanon në detyrë, është drejt fundit të saj. Himara, do ta mbyllë periudhën e mosqeverisjes së saj. Inteligjenca e kësaj zone, sot po reagon në disa mënyra dhe koha e Himarës së paqeverisur po arrin drejt fundit. Personat si kryebashkiaku aktual dhe shërbëtorët e tij, shumë shpejt do të vihen para përgjegjësisë për faktet që janë arkivuar në dosjen e tyre.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›