Nervozohet Moska
_515868.jpg)
Ministria e Jashtme e Rusisë ka nënvizuar se, zyrtarët turq nuk e kanë lejuar personelin diplomatik të Rusisë që të kontaktojë me 17 shtetas rusë, të cilët ndodheshin në bordin e aeroplanit të ndalur në Ankara.
Reagimi rus erdhi pasi që të mërkurën mbrëma aeroplanët luftarakë të Turqisë ndaluan një aeroplan sirian udhëtarësh, i cili po udhëtonte nga Moska për në Damask. Aeroplani është lejuar të largohet drejt Damaskut pas tetë orësh qëndrimi në Aeroportin e Ankarasë, dhe pasi që një pjesë e ngarkesës së tij është konfiskuar nga autoritet turke.
“Në aeroplanin sirian që po udhëtonte nga Moska për në Damask, dhe i cili të mërkurën mbrëma u detyrua dhunshëm që të aterrojë në Turqi, nuk kishte asnjë lloj armatimi”, deklaroi të enjten për agjencinë ruse Interfaks një zyrtar i lartë i agjencisë ruse që merret me eksportin e armëve. Sipas tij, po të dëshironte Rusia t’i dërgojë armatim Sirisë “kjo do të bëhej përmes një procedure të caktuar, e jo përmes rrugëve jolegale, aq më pak nëpërmjet një aeroplani civil”.
Paraprakisht, ministri i Jashtëm i Turqisë, Ahmet Davutoglu, njoftoi se aeroplani sirian, të cilin aeroplanët luftarakë turq e detyruan të aterronte në Aeroportin e Ankarasë, dhe i cili pastaj mori leje për vazhdimin e udhëtimit drejt Sirisë, po transportonte “një ngarkesë ilegale”. Sipas Davutoglu, “materiali i dyshimtë” është konfiskuar nga aeroplani para se t’i lejohej dalja jashtë vendit.
Sipas raporteve të pakonfirmuara, në mesin e materialit të konfiskuar ka edhe pajisje ushtarake të komunikimit.
Nga ana tjetër, ka reaguar edhe Qeveria e Sirisë, e cila e ka akuzuar Turqinë për “pirateri ajrore”, megjithëse që nga viti i kaluar Turqia ka vendosur embargo në furnizimin e Sirisë me armatim.
Raportet mes dy vendeve po vazhdojnë të tensionohen, pas sulmit sirian me predha artilierike të javës së kaluar, si pasojë e të cilit u vranë pesë civilë turq.