E Diel, 1 Nëntor 2026

Nëse do të ishte shteti i së drejtës, këta të tre do të dënoheshin si bashkëpunëtorë!

Nga Pirro Dollani, USA

Edhe pse mund të kesh mbi njëzet vjet që jeton larg Shqipërisë, nuk ka si të mos skuqen veshët kur shfleton gazetat e vendit tënd e shikon se çqëndrime mbajnë politikanët atje! Pa dashur ti marr kohë lexuesit, po përqas dy ngjarje që kanë ndodhur kohët e fundit: njëra në Kamëz, me kryebashkiakun Xhelal Mziun, dhe tjetra, në Karolinën e Veriu, të SHBA-ës, me Terri Xhonsin, ish-mësues në një shkollë të mesme.

Terri Xhons, 28 vjeç, arrestohet para ca ditësh se në vitin 2007 kishte pasur marrëdhënie me një nxënëse 17 vjeçare, kur kjo vazhdonte gjimnazin. Si ndodhi arrestimi i Territ mbas 4 vitesh? Kush e denoncoi dhe kërkonte dënimin e tij? Askush! Po si ndodhi që përfundoi në burg? Vajza e dikurshme shtatëmbëdhjetë vjeçare, tani studente në Universitin Qendror të Karolinës së Veriut, shkruan një ese ku flet për marrëdhëniet e saj me të. Tregon sesi kishte lindur dashuria mes tyre, sesi kishte mbetur shtatzane dhe pastaj sesi e kishte dështuar fëmijën. Por në ese, ajo nuk e kishte vënë emrin e mësuesit, por vetëm emrin e shkollës së mesme. Po ashtu, nuk shprehte asnjë mendim kundër mësuesit të saj, por më tepër qortonte veten e saj. Eseja u botua në gazetën e universitetit dhe ngjalli një interes shumë të madh në kampus. Por çndodhi më pas? Organet përkatëse, edhe pse nuk dinin emrin e ish-mësuesit, arritën ta gjejnë dhe ta arrestojnë. Për marrëdhëniet që ka pasur me ish nxënësen e tij para katër vjetësh, Territ i janë bërë 64 akuza ku secila prej tyre është e dënueshme me 15 muaj burgim, kështu që i bie afërsisht, 80 vjet burg, nëse do të vërtetohen të gjitha akuzat.

Kryetari i Bashkisë së Kamzës, Xhelal Mziu, duke e quajtur çiflig të vetin Kamzën dhe punonjësit e bashkisë haremin e vet, ngacmon seksualisht, kërcënon deri në largim nga puna, nëse punonjëset nuk i nënshtrohen. Ky pushtetar, e ndien veten kaq të sigurt, saqë në mes të ditës, pa u dridhur dora çon mesazhe tepër kompromentuese me sms. Dhe natyrisht, ska frikë sepse e shikon që korrupsioni e ka mbërthyer prej fyti Shqipërinë dhe ska kohë njeri të merret me të. Në Shqipëri mund të bësh plane me bllok në dorë për vjedhje aty në ekran të televizionit ku të sheh i gjithë vendi, mund të të vriten 30 veta e të shkatërrohet një fshat i tërë për fajin e dikasterit që drejton ti, mund të gjuash me armë zjarri e të vrasësh në mes të ditës 4 njerëz dhe shteti të merr në mbrojtje, dhe ti si drejtues vazhdon të krekosesh si gjel nëpër tribuna e në kuvend. E prandaj, zoti Mziu si të jetë skllavopronar, i shkruan punonjëses së vet se nëse sia plotëson dëshirën ajo do e humb lirinë si të gjithë të tjerët. Pra pa iu dridhur qerpiku, i tregon se fatin e saj e kanë pasur edhe shumë të tjera!!! Deri këtu, nuk ka asgjë për tu çuditur apo për tu skuqur veshët. Njerëz si Mziu, nuk janë të rrallë. Ekzemplarë të tillë fatkeqësisht mund ti gjesh në çdo vend e në çdo sferë e grupime të ndryshme shoqërore e politike. Por ajo që të bën të revoltohesh, është indiferentizmi i njerëzve të veshur me pushtet të cilëve edhe kur u kërkohet ndihmë, heshtin. Si është e mundur që një grua e pambrojtur, ti drejtohet për ndihmë si nënë, si motër e si grua, një gruaje tjetër, dhe jo thjesht një gruaje tjetër, por femrës më të fuqishme në vend, Kryetares së Parlamentit Shqiptar, zonjës Topalli, dhe kjo e fundit të heshtë?! Dhe aq më tepër, kur flitet për një njeri që ka vepruar kështu edhe me punonjëset e tjera. Sipas punonjëses së Bashkisë, ajo i është drejtuar për ndihmë edhe zotërinjve Myqeram Tafaj e Flamur Noka, dhe këta kanë bërë të njëjtën gjë: kanë heshtur. Nëse gjatë këtyre 20 vjetëve do të ishte ndërtuar vërtet një shtet ligjor, këta tre njerëz do të dënoheshin si bashkëpunëtorë të zotit Mziu.

Shikoni tani se çqëndrime diametralisht të ndryshme janë mbajtur ndaj këtyre dy personave, Territ në Amerikë dhe Mziut në Shqipëri, e nxirrni vetë konkluzionet:

Terri, 24 vjeçar në kohën kur kishte marrëdhënie, arrestohet, pa e paditur askush. Shteti ligjor e gjen edhe aty mes rrjeshtave të një eseje të një studenteje, (paçka se nuk i përmendej as edhe emri dhe paçka se ai ishte larguar nga ajo shkollë e mesme qysh në vitin 2008) dhe i vë prangat për një ngjarje që kishte ndodhur para 4 vjetësh, dhe për marrëdhënie që kishin qenë me pëlqimin e të dy palëve. Ndërsa zoti Mziu, ngacmon, kërcënon, pushon nga puna, dhe për këtë kanë dijeni, jo një, por dy deputetë si edhe Kryetarja e Kuvendit, dhe zoti Mziu jo vetëm nuk e gjen gjë, por e lënë të kandidojë përsëri për Kryetar Bashkie. Pra nëse deri tani zoti Xhelal Mziu është përpjekur të haremizojë vetëm Bashkinë e Kamzës, zonja Topalli dhe dy zotërinjtë që punonjësja u është drejtuar për ndihmë, me heshtjen e tyre po japin ndihmesën që zoti Mziu të haremizojë gjithë Kazmën! Mos vallë në fillim të viteve 90 ky popull rrëzoi një regjim diktatorial e pushtetarë të tipit të Pali Miskës e Lenka Çukos për ti zëvendësuar me pushtetarë të tillë? Ja pse të skuqen veshët kur sheh se çpolitikanë i kanë hipur në qafë popullit shqiptar.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›