E Diel, 1 Nëntor 2026

Nëse nuk votojmë, Berisha mbetet në pushtet

Erjon Doda/Qytetar

-“Zyrtarët e këqij zgjidhen nga qytetarë të mirë që nuk votojnë”. Kështu shprehet George Jean Nathan. Ne jetojmë në një sistem demokratik dhe ky është sistemi më i mirë i njohur deri më tani. Si i tillë, ky sistem politik duhet mbrojtur. Tani lind pyetja: Si mundemi ne, që nuk përfaqësojmë më shumë se një grimcë në oqeanin e shoqërisë njerëzore, të mbrojmë këtë sistem të qeverisjes? Si mundem unë të bëj ndryshimin? E pra, përgjigjja është më e thjeshtë nga sa mendohet. Demokracia vetë është një sistem politik që i paraprin të papriturave.

Ajo na ka pajisur neve me armën më të fortë që mund të na jepte: votën! E pra, çfarë duhet të bëjmë ne atëherë? Meqë demokracia na e ka dhënë armën për ta mbrojtur, ne nuk duhet të bëjmë gjë tjetër veçse ta përdorim atë. Vota është një detyrë qytetare e gjithsecilit që na bën neve të privilegjuar, duke konsideruar faktin që jo të gjithë e kanë këtë mundësi. Ja pra pse vota është një detyrë morale e çdo qytetari të një shteti demokratik. Para se të shpjegoj qëndrimin tim, duhet të qartësoj çdo koncept që kjo temë do përfshijë. Detyrë – diçka që duhet bërë patjetër në përputhje me normat morale të shoqërisë dhe bindjet tona. Votë – mekanizmi më i drejtpërdrejtë që i lejon qytetarët që nëpërmjet zgjedhjes së përfaqësuesve të tyre të marrin pjesë në qeverisjen e vendit. Qytetarë – tipar dallues i njeriut të lirë, i cili është i vetëdijshëm për detyrat dhe të drejtat që ka në një shoqëri dhe që përshkohet nga ideja për të mirën dhe dobinë e kësaj shoqërie.

Vota është një detyrë morale aq edhe qytetare e çdo individi. Në SHBA, në zgjedhjet e vitit 2001, mori pjesë vetëm 51 % e elektoratit. Kjo pjesë e popullsisë vendosi edhe për gjithë pjesën tjetër. Kjo përqindje e ulët kushtëzoi fatin e mijëra njerëzve. Pas këtyre zgjedhjeve erdhën shumë pasoja: Lufta në Irak e në shumë vende të tjera, konfliktet kombëtare e ndërkombëtare, prapambetje ekonomike. Kjo përqindje e ulët vendosi jetën e atyre mijëra ushtarëve që u dërguan në luftë. Votuan vetëm 51%. Po nëse do të kishte votuar edhe pjesa tjetër? Edhe 49 % më shumë? Do të kishim një ndryshim në historinë e botës dhe në atë të SHBA-ve? Me siguri që po! A nuk e bën 49% ndryshimin? Mbase çdo gjë do kishte ndryshuar, nëse pjesëmarrja në votime do të ishte më e lartë. E pra, vota është një detyrë morale dhe qytetare e çdo shtetasi të një shteti demokratik, pasi nëse ajo nuk do të konsiderohej si e tillë, demokracia do të cenohej.

Ne kemi në dorë armën më të mirë dhe duke e përdorur atë ne mundemi të nxjerrim jashtë zyrave qeveritë jo oportune. Duke mos e përdorur, është njëlloj sikur ta kemi zgjedhur ne atë qeveri që nuk është e përshtatshme, pasi ne nuk bëmë detyrën tonë, që mund të kishte ndryshuar rrjedhën e ngjarjeve.


Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›