“Nëse statusi dështon për të tretën herë, PS do mbajë përgjegjësi para shqiptarëve”

Flet ministrja e Integrimit, Majlinda Bregu
Ministrja e Integrimit Evropian, Majlinda Bregu deklaron se do ishte shumë e rëndë për Shqipërinë nëse për të tretin vit radhazi, vendi s’do marrë statusin kandidat, për të njëjtën arsye; mungesën e vullnetit të opozitës për të votuar ligjet që janë kusht për integrimin. Duke i cilësuar si kushte vendimtare 3 ligjet që bllokohen PS, Bregu tha se pa miratimin e tyre, Shqipëria nuk mund të marrë një vlerësim pozitiv nga Brukseli.
“Shqipëria duhet të shkonte në samitin e dhjetorit me një rekord të pastër detyrimesh të plotësuara. Pra, politika shqiptare, në këtë rast, opozita shqiptare, nuk mund të ishte pengesa e parë për marrjen e një vendimi pozitiv në dhjetor. Pra, i rikthehemi edhe një herë argumenteve mbi të cilat ky vendim u bllokua dy vjet: mosfunksionimi i kriterit politik. Kam frikën se ky do të jetë edhe këndvështrimi që do të përdorin sërish vendet anëtare sot. Rikthimi dhe vendosja e axhendave partiake, siç po dëshmon çdo ditë Partia Socialiste, mbi axhendën kombëtare të shqiptarëve dhe mbi axhendën e integrimit, është mesazhi më i keq që Shqipëria mund t’i përcillte sot vendeve anëtare”, u shpreh Bregu.
Ministrja e Integrimit nuk heziton të flasë edhe për qëndrimin e vendeve skeptike si Holanda, qeveria e së cilës ka deklaruar se nuk është dakord që Shqipëria të merrte në dhjetor statusin, edhe sikur vendi të kishte përmbushur detyrimet.
Ministrja Bregu pohon se ky qëndrim i Holandës është i vërtetë, por sipas saj, ai ishte një qëndrim i qeverisë që humbi pushtetin dhe sot Holanda ka siguruar Shqipërinë për një qëndrim tjetër që do të bazohej tek rekomandimi i pritshëm i Komisionit Evropian.
“Por ka dhe një të vërtetë tjetër. Një qëndrim nga Ministria e Jashtme holandeze, e cila, atashuar vendimit të qeverisë së mëparshme holandeze, që deklarohej jo dhënies së statusit kandidat për Shqipërinë dhe jo procedimit (kishte deklarata edhe më të rënda për vende që janë pranë anëtarësimit, si Kroacia), ku Ministria e Jashtme e Holandës ka pranuar se do të presë raportin e Komisionit dhe pastaj do të dalë me një qëndrim përfundimtar. Pra, kemi një ndryshim qëndrimi në vendimmarrjen e qeverisë holandeze, mirëpritet raporti i Komisionit si bazë dhe pastaj vendet anëtare, përfshirë këtu Holandën do të japin vendimin e tyre përfundimtar. Të gjitha rrugët i japin peshë raportit të Komisionit Evropian, i cili më 10 tetor, fare qartë, përcaktoi një fjali me dy pjesë; PO dhënies së statusit të vendit kandidat për Shqipërinë, por më kushtin që do të plotësohen tre detyrime të mbetura”, sqaroi Bregu.
Ministrja e Integrimit i dha përgjigje edhe një aspekti tjetër që debatet politike e lënë në hije zakonisht, përfitimeve financiare që Shqipëria mund të kishte nga marrja e statusit kandidat. Pas datës 21 nëntor do të bëhet e qartë se sa fonde ka humbur Shqipëria duke mos qenë vend me statusin e kandidatit, por e sigurt është që ajo do të humbasë duke mos u klasifikuar si i tillë. Por, sipas zonjës Bregu, dëmi që dikush duhet ta paguajë, nuk është vetëm financiar. “Është e vërtetë që vendi kandidat dhe marrja e vendimit për vendin kandidat normalisht rrit sasinë e fondeve ndaj një vendi. E thënë ndryshe, në rast se ne nuk marrim statusin e vendit kandidat sot, në vitin 2013, në hartimin e strategjisë së re financiare, Shqipëria do të ketë të njëjtën shumë që ka pasur duke mos qenë vend kandidat. Dëmi që i bëhet këtij procesi, nuk është një dëm që i bëhet kësaj mazhorance, por është një dëm që u bëhet të gjithë shqiptarëve. Në rast se sot kryetari i Partisë Socialiste është një burrë kaq trim sa të mbajë përsipër gjobën dhe dëmin që po u bën shqiptarëve duke bllokuar për tre vjet rresht marrjen e një vendimi pozitiv për vendin e tij, kjo do të thotë se dëmi kryesor do t’i faturohet pikërisht atij”, theksoi më tej ajo.