Reagimi i Berishës: “Rama ose s’kupton, ose është hipokrit”

PS refuzon të votojë 3 ligjet e integrimit. Afati i Brukselit, skadon pas 24 orësh
Në një kohë kur Bashkimi Evropian ka lënë datën 20 nëntor afatin e fundit, për plotësimin e tre kushteve, kryeministri Sali Berisha i ka bërë një tjetër apel kreut të Partisë Socialiste, Edi Rama.
Gjatë një vizite në komunën e Farkës, ku mori pjesë në përurimin e dy investimeve të rëndësishme, rikonstruksionin e digës së liqenit të Farkës dhe fillimin e projektit për mbjelljen e pemëve dekorative në parkun e këtij liqeni, shefi i ekzekutivit iu drejtua lidershipit socialist, duke i kujtuar se do ishte gabim fatal për të, nëse vazhdon të bllokojë statusin e vendit kandidat.
Sipas tij, çdo vonim i ligjeve të integrimit, i jep të drejtë qytetarëve të mendojnë se këta (opozita) ose janë hipokritë e nuk e duan, ose janë të papjekur, të paqytetëruar e nuk kanë interesa kombëtare e shoqërore.
“Edhe një herë ftoj zotin Rama të votojmë tre ligjet që kërkon Brukseli dhe që kanë muaj që presin në parlament. Unë, në mënyrën më të sinqertë, dua t’i them se është gabim fatal të rrahë gjoksin se mund të bllokojë. Nuk është kjo, ajo që qytetarët e këtij vendi presin nga ti! Nuk është kjo, ajo që mund të imagjinojnë se mund të bësh! Shqiptarët, kudo që janë, pavarësisht nga bindjet partiake, pavarësisht nga vendi ku ndodhen, askush, i madh e i vogël, nuk arrin kurrë të kuptojë sesi një forcë politike, ndër më kryesoret e vendit, refuzon të votojë këto ligje, që kërkohen në mënyrë të drejtpërdrejtë nga Komisioni Evropian. Çdo vonim i tyre u jep të drejtë të tjerëve të mendojnë se këta njerëz ose janë hipokritë e nuk e duan, ose janë të papjekur, të paqytetëruar e nuk kanë interesa kombëtare e shoqërore. Këto 100 vjet kanë faktuar se vërtet ka pasur shqiptarë aventurierë, të cilët kanë bërë gjithçka, kundër vendit të tyre, por, në tërësi, gratë e burrat, vajzat e djemtë e këtij vendi ia kanë dalë me vullnetin e tyre pozitiv, ta sjellin sot Shqipërinë, një vend të lirë e të pavarur”, u shpreh Berisha.
Kur mbeten dhe 24 orë kohë, për shqyrtimin dhe miratimin e ligjit për Gjykatën e Lartë, Rregulloren e Parlamentit dhe Nëpunësin Civil, ftesa e mazhorancës për opozitën, është po e njëjta; mbledhja e tryezës së partive politike, për të debatuar tre ligjet apo për t’i amenduar ato.
“E ftoj zotin Rama të ulemi në çdo kohë, në qoftë se është problemi për të debatuar tre ligjet, për t’i amenduar, nëse kanë mendime për t’i përmirësuar. Çdo orë që kalon është orë shumë e çmuar”, tha ai.
Duke u ndalur te çështja e qarkut të Fierit, Berisha tha se kërkesa e PS, për shtyrjen e vendimit të Gjykatës, pas datës 22 nëntor, bëhet me qëllim bllokimin e statusit së Shqipërisë në 100 vjetorin e Pavarësisë.
“Në natyrën time, unë jam optimist, por kur shoh se, pasi kanë shkuar në gjykatë për gjykimin e thelbit të çështjes, e shtynë gjykimin dhe kërkuan që ai të bëhet pas datës 22 dhe kur gjykatësit nuk i dëgjuan, pothuaj u tërhoqën nga gjykimi, kjo fakton se me këtë vendim, qëndron një akt shumë, shumë i papërgjegjshëm. Një akt me të cilin synohet t’u bllokohet shqiptarëve, në 100 vjetorin e pavarësisë së tyre, marrja e statusit të vendit kandidat në Bashkimin Evropian. Le të jem unë i gabuar! Por sërish e ftoj zotin Rama, të ulemi sot pasdite, në darkë, nesër, në çdo kohë, për tre ligjet, të bëjmë çdo përmirësim që ata propozojnë dhe ne nuk kemi asnjë kundërshtim, në mënyrë që ëndrra evropiane e shqiptarëve të marrë një realizim tjetër, të ri”, deklaroi kreu i qeverisë.
Gjithashtu, Berisha tha se në 100 vjetorin e themelimit të shtetit, detyrimet e klasës politike ndaj qytetarëve, janë akoma edhe më të mëdha.
Sipas tij, ky përvjetor duhet t’i gjejë shqiptarët më pranë ëndrrës evropiane.
“Edhe pak ditë na ndajnë nga 28 nëntori, dita, në të cilën ne festojmë një shekull, vend i pavarur. Me ndjenjën e mirënjohjes më të thellë, para së gjitha, ndaj atyre që flijuan jetën e tyre që ne të festojmë këtë 100 vjetor, si njerëz e qytetarë të lirë, në dinjitet të plotë. Por ky 100 vjetor është një apel i fuqishëm për ne, të bashkohemi, të punojmë së bashku në interesin më të mirë të qytetarëve shqiptarë, në interesin më të mirë të Shqipërisë, në interesin më të mirë të së ardhmes sonë. Kundërshtinë janë të zakonshme në një sistem pluralist, por, kurrë, ato nuk duhet të bëhen pengesë, për të realizuar qëllime të përbashkëta fisnike. Në qoftë se na u deshën 100 vjet për të qenë të lirë, për të materializuar pavarësinë tonë, si njerëz të lirë, tani kemi shansin e madh historik për të bërë realitet ëndrrën e rilindësve tanë, ëndrrën e gjithë atyre që ranë për t’u bërë të pavdekshëm, për lirinë kombëtare e individuale. Sot, ne kemi në dorën tonë ta bëjnë të vërtetë ëndrrën evropiane”, tha ai.
Bashkimi Evropian ka lënë si afat përfundimtar, për plotësimin e 3 kushteve të statusit, datën 20 nëntor. Afat ky, i cili përfundon pas 24 orësh dhe Partia Socialiste ende s’ka dhënë dakordësinë e saj për votimin e 3 kushteve të statusit. Dy ditë më pas (22 nëntor), Parlamentin Evropian do miratojë një rezolutë për Shqipërinë, i cili do të jetë një nxitje për forcat politike shqiptare që të mos humbin shansin për marrjen e statusit të kandidatit në dhjetor të këtij viti. Kjo i shumëfishon akoma edhe më shumë përgjegjësitë e klasës politike shqiptare në sytë e institucioneve të Brukselit.
Nga gjithçka që propagandohet dhe aludohet, votimi i 3 ligjeve është thjesht një e ngritur e kartonëve dhe kurrsesi, do ishte e pafalshme që statusi i kandidatit në BE, të mohohej pikërisht nga ky hezitim absurd i socialistëve. Më shumë se një gabim, gjithçka do ishte një faj i rëndë i Partisë Socialiste.