Rama, 3 letra për të varrosur 3 ligjet dhe statusin

Edvini ka marrë rolin e vajtojcës, duke paralajmëruar se s’do ta heqë bllokadën ndaj 3 ligjeve që do sillnin marrjen e statusit të kandidatit. Dje kreu i PS paraqiti një letër të tretë, duke konfirmuar Fierin si prioritetin e tij vetjak, për të cilin është gati të bëjë kurban edhe 3 ligjet-kushte të Komisionit Evropian, edhe statusin e kandidatit në 100 vjetorin e pavarësisë
Kreytari i PS-së Edi Rama lëshoi dje “on air”, letrën e tretë të radhës. Nëpërmjet kësaj letre nuk është se bënte të ditur ndonjë qëndrim të ri, të ndryshëm nga ai i deritanishmi, veçse konfirmonte këmbënguljen e tij për të varrosur tre ligjet dhe statusin..., në këmbim të pizhameve të Vangjel Ndrekos, me gjithë nervi-shiatikun e tij.
Kur themi se nuk bënte të ditur ndonjë qëndrim të ri të ndryshëm nga ai i deritanishmi, i referohemi përmbajtjes së “Apelit (të parë) publik qeverisë” të datës 13 nëntor 2012, “Apelit tjetër publik të qeverisë” të datës 16 nëntor 2012 dhe “Apelit të tretë publik qeverisë” të djeshmit, të cilët në mesazhet e tyre bllokuese, nuk ndryshojnë aspak nga njëri-tjetri, përveçse janë fotokopje të njëri-tjetrit.
Pavarësisht kësaj shterpësisë së “kancelarisë” së PS-së për të hartuar një apel të ndryshëm nga i mëparshmi, duke e mirëkuptuar paaftësinë për argumente të mundshme, të reja, kuptueshëm ishte i qartë mesazhi bllokues i statusit të vendit kandidat nga ana e Edi Ramës (në gojën e të cilit vendoseshin këto “tre apele”), në këmbim të pizhameve të Vangjel Ndrekos, me gjithë nervi-shiatikun e tij.
Me “tre apelet” e tij Edi Rama nuk e fsheh konsideratën e tij, se më e rëndësishme për atë është fati i ndonjë këshilltari në Bubullimë, Dermenas, Fier-Shegan, apo në Divjakë, të cilët parashkruajnë fatin e pizhameve të Vangjel Ndrekos, se sa miratimi i tre ligjeve, si kushte për marrjen e statusit të vendit kandidat.
Duke i lexuar “tre apelet” e Edi Ramës, si “tre nekrologji” të lexuara në buzë të ndonjë varri, mesazhi i tyre ishte asgjë më shumë se “një nekrologji (e vetme)” e lexuar tri herë, në prag të varrimit të tri ligjeve, si kushte për marrjen e statusit të vendit kandidat.
Në këtë “celebrim” të shumë dëshiruar prej tij, djegien në mënyrë të përsëritur të mundësisë së marrjes së statusit të vendit kandidat, Edi Rama jo vetëm që është i vetëm, por po regjistron edhe fillimin e “varrosjes politike” të tij, e cila deri në qershorin e vitit 2013, është thjesht dhe vetëm çështje kohe. Pas zgjedhjeve të vitit të ardhshëm, falë zgjedhjes që po bën vetë, Edi Rama do të ketë gjithë kohën e domosdoshme në dispozicion, për tu marrë, jo vetëm me fatin e ndonjë këshilltari në Bubullimë, Dermenas, Fier-Shegan, apo në Divjakë, por edhe me pizhamet e Vangjel Ndrekos e nervi-shiatikun e tij, pengmbajtës të marrjes së statusit të vendit kandidat të Shqipërisë për në BE.