Nëse zgjedhjet do të zhvilloheshin sot, Lulzim Basha fiton me 57.90 për qind

Sondazhi/ Anketa e parë për bashkinë e Kryeqytetit zhvillohet nga Instituti Gjerman i Statistikave, Basha në epërsi të thellë ndaj Ramës
Sondazhi i parë i publikuar deri më tani për zgjedhjet vendore të 8 majit, është ai i Institutit Gjerman të Statistikave. Ky sondazh, për zgjedhjet bashkiake të Tiranës, nxjerr fitues me epërsi të konsiderueshme kandidatin e Partisë Demokratike dhe “Aleancës për Qytetarin”, Lulzim Basha. Sondazhi u zhvillua në Qendrën Tregtare “Univers”, në autostradën Tiranë- Durrës, një nga qendrat më të mëdha tregtare në vend. Në votim për dy kandidatët Basha dhe Rama u përfshinë 3482 vetë, nga të cilët rezultuan se 2439 ishin nga bashkia e Tiranës dhe 1024 nga rrethinat apo rrethet. Referuar rezultateve të këtij sondazhi, të bëra publike nga Instituti Gjerman i Statistikave, për kandidatin e mazhorancës, Lulzim Basha votuan 1412 vetë ose 57.90 për qind, ndërsa për Edi Ramën 1027 ose 42.10 për qind. Për sa u takon qytetarëve që nuk ishin banorë të bashkisë së Tiranës, për kandidatin Basha votuan 586 vetë, ose 57.23 për qind, ndërsa për Edi Ramën 438 vetë ose 42.77 për qind. Në këtë sondazh rezultuan të pavlefshme 19 vota.
...