E Shtunë, 31 Tetor 2026

Thagmat e Edi Ramës, në krye të institucionit të kulturës

29-04-2011 / Nga Kostaq Xoxa

Kujtesë, veçanërisht për moshat e reja

Ky shkrim duhet të ketë interes të veçantë për ata djem / vajza që kanë dy vite që kanë marrë diplomën universitare, mbase kanë edhe një master në ditët e sotme. Një 24-vjeçar/e mund të quhet, tani, një intelektual/e në moshë të re; por ç’moshë kanë pasur 13 vite më parë, domethënë në vitin 1998?  Në këtë vit E. Ramës i është dhënë detyra të drejtojë Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sporteve.
!3 vjet më parë ju, të dashur 24-vjeçarë, keni qenë 11 vjeç. Ishit në klasën e katërt të shkollës  fillore. A qetë në gjendje të dinit ç’kishte ngjarë në sektorin e kulturës? Do ta shihni në këtë kujtesë. Dhe ma merr mendja që duhet të jeni të interesuar, se keni votën në dorë, tani, në prag të zgjedhjeve vendore.
Kur ishit 4-vjeçarë (1991), E. Rama dhe miku i tij i ngushtë, A. Klosi, kishin botuar dy libra në të cilët dëshmohej hipokrizia e tyre pa anë e pa udhë. Rama, me petkun e të sinqertit në atë kohë, pohon se e quanin ekstremist dhe anarkist. Përse? Se e paraqiste veten si një kandidat për politikan me bindje të theksuara antikomuniste, një anti-enverist radikal, një kundërshtar i zjarrtë i Ramiz Alisë, një i xhindosur ndaj mendësisë enveriste, që duhej zhdukur nga rrënjët, një demaskues i paepur i PPSH-së së cilës, për mbijetesë, i duhej të emërtohej si P. Socialiste, që mbetej vetëm emërndërruar, sepse të gjithë mëkatarët e së parës, ata që ishin molepsur me krime kundër të drejtave fillestare njerëzore në kohën e diktaturës, iu përçuan partisë me emër të ri. Librin ku shkruheshin këto broçkulla, ju nuk e njihni. Dhe a e dini përse? Vetë autori e dinte se ishin rrena e mashtrime. Dhe, kur u bë i fuqishëm, i zhduku të gjithë librat e tij, duke i mbledhur, me parë në dorë, librari më librari, në të gjithë vendin, me anë të skuthëve të tij. Dhe atyre librave u mbeti vetëm hiri i zjarrit dhe pluhuri i kuq i dyfytyrësisë së tij!
Për të trajtuar më drejtpërdrejt temën, kam parasysh një një shkrim të datës 6 shtator 1998, të shkruar në një trajtë të qetë vëzhgimore, dhe me plot detaje të shqyrtuara, që krijojnë një profil të besueshëm të sapoardhurit në postin e ministrit. Le të kemi parasysh, se ministri vjen nga Franca, ku kishte mërguar, pasi radikalizmi i tij ishte pritur me skepticizëm nga një shoqëri e sapo dalë nga diktatura. Titulli i këtij shkrimi është : “Kultura nën autoritarizmin e ministri E. Rama”. Autori: një ish-simpatizant i zhgënjyer i Ramës, Gj. K.
Ja si fillon ky vëzhgim: “Qyshkur erdhi Edi Rama në krye të ministrisë, filloi të flitej edhe për ndryshimet që mund të priteshin. Ky opinion kishte si bazë karakterin e tij kritik, madje anarkist, të njohur që në “Refleksionet” e vitit 1990 (në të vërtetë: 1991). E nisi punën në dikasterin e ri me disa shfaqje ekstravagante, gati-gati qesharake. P. sh. vetëm disa ditë pasi ishte bërë ministër, u bë thuajse e pamundur që të hyje për punë në Ministrinë e Kulturës. Dikasterit i kishte rënë një hije e rëndë, punonjësve u kishte ikur gjallëria, nuk flitej më me zë, por me gjeste, saqë ata të ngjanin me personazhet e Franc Kafkës. Nuk vonoi dhe u shfaqën nja tri-katër parulla që e shtonin më tepër këtë zymtësi të frikshme dhe kërcënuese. Dhe çfarë shkruhej në to? Ishin si parulla spitalesh: “Mbani qetësi!”. “Ndalohet duhani”. (Njeriu zhurmëmadh kërkonte të qetësonte veshët, - tanimë!-shënim). Le të shohim ndryshimet e tjera, shkurtimisht:
“Tani drejtorët duhej të zbrisnin nga kati 4 në të 1-rin, për të bërë takimet te sporteli. Pastaj filloi krasitja. Kjo përfshiu edhe ata që nuk e kishin paragjykuar Ramën dhe shpresonin tek ai”. Autori shkruan se ishte ndër ata. “Por edhe këta u zhgënjyen. Mungonte një kriter: “Heqim njerëzit e tjetrit, i zëvendësojmë me njerëzit e mi!”. Duke e ngushtuar shkrimin me faktet dhe duke e zhveshur nga arsyetimet dhe komentet, - ndonëse këto janë me vlerë për të dhënë një portret sa më të qartë, - vazhdojmë me: “Pas hapit të parë, vjen një etapë e dytë; pas asaj të largimit të nëpunësve të kualifikuar pa asnjë shpjegim, domethënë pa respektin më fillestar për njerëzit seriozë, me përvojë.  Siç është rasti i drejtorit të institutit të Monumenteve  të Kulturës, R. G., se ky nuk duhej të kapërcente hierarkinë dhe t’i jepte njoftime kryeministrit për Fondacionin “Butrinti”. Ky quhet një akt arbitrar nga artikullshkruesi. Një fakt tjetër kishte të bënte me djegien e atelierit të Kinostudios, “që E.R. la të kuptohej se ishte një djegie simbolike”. Shpjegohej me “Përse nuk më pyetët mua?”. Si kozmopolit, ai s’donte ta dëgjonte fjalën “kombëtare”. Autori i shkrimit që po citojmë thotë se gjetën belanë me terminologjitë “artet kombëtare” “kulturë kombëtare”, “institucionet kombëtare”. Mos duhej të ndryshohej edhe emërtimi “Teatri Kombëtar?”. Tregohej arbitrariteti i shkarkimit të drejtorit të Qendrës Kombëtare të Kinematografisë, S. P. “ Ministri as donte të dëgjonte shpjegimet e kineastit P (mbiemri). Fakt tjetër: Të mbyllet Teatri Kombëtar, se godina është e amortizuar. Kjo solli reagimin e drejtorit të Teatrit G. K. dhe të të gjithë artistëve të skenës. Thëniet e Ramës dhe të shefit të kabinetit B. Gonxhe ishin autoritare: Rama: “Teatri Kombëtar është bastioni i fundit i realizmit socialist”. Gonxhe: “A ka ekzistuar ndonjëherë Teatri Kombëtar?”. Kompetentët thoshin se “një ministër piktor dhe një shef kabineti, po piktor, kanë marrë përsipër një reformë radikale, sikur të ishim në atelietë e një reparti pikture apo dizajni!”.
Pastaj mësojmë se bordi u zëvendësua me bordin e ri, “që nuk merr vesh as nga muzeologjia, as nga monumentet e kulturës, as nga menaxhimi kulturor e artistik”. Vërehet: “Kishim të bënim me një bord amatorësh”.
Arbitrariteti kritikohet edhe për “përfshirjen në bord të një prifti françeskan, pa i mohuar këtij personi vlerat e njëmendta njerëzore dhe studimore”. Këtu po japim edhe arsyetimin e autorit: “Rama, si prepotent që është, nuk do t’ia dijë se jemi një shtet laik, ku feja është e ndarë nga shteti. Intelektualë me vlera ka edhe kleri mysliman, ortodoks, bektashi dhe duhej që edhe përfaqësuesit e tyre të ishin në bord e jo të bëhej ky dallim, sipas kokës së titullarit!”.
Pa i shkrepi edhe për një testim të të gjithë punonjësve të ministrisë nga një komision të përbërë nga ministri, shefi i tij i kabinetit dhe dy këshilltarët e tij. Me të drejtë shkrimi këtu merr ngjyrime komike. Sepse dy piktorë dhe dy këshilltarë, marrin në provim specialistë me stazh 5- 10-vjeçar, për të bërë seleksionin , duke ruajtur ”tanët” dhe duke përjashtuar “të tjerët”! (Çiraku merr në provim ustanë!). Një fushatë spastrimesh! Jo se nuk ekzistojnë parimet dhe kriteret. Por kush i merr parasysh? Këtë dukuri ky shkrim e paraqet si një “autoritarizëm të vërtetë, si pamjen e një diktature qesharake”!
***
Këtu përfundon, në mënyrë të shkurtuar, shkrimi i ish-simpatizantit të njeriut mashtrues, të pseudo-liberalit që pushkatoi të gjitha ish-mendimet e tij, që këshillohet vetëm me vetveten, të Edvin Ramës. Pyetja e personave që nuk e njohin atë kohë, doemos që do të mund të ishte:  - Po pastaj, si eci puna? A ishin të suksesshme për ministrinë këto “metoda” origjinale? Puna shkoi rrokopujë. Të gjithë artistët, këngëtarë, valltarë, aktorë, regjisorë, kritikë të artit, në të gjithë vendin, u mblodhën në Tiranë dhe u futën në një grevë të përgjithshme. Përpara se të hynin në grevë, dhanë një koncert në sheshin Skënderbe, që u mbyll me arien e Nabukos nga opera e Verdit, nëse e mbaj mend mirë emrin e aries.
Greva u thye në mënyrë barbare: Artistët u tërhoqën zvarrë nga selitë e ngujimeve dhe dolën të plagosur egërsisht që andej.  E këto kishin për xhahil antigrevë personin që  bënte greva, në një kohë të mëvonshme, me çadra haxhiqamiliste, në vende kategorisht të ndaluara, në të gjithë botën demokratike,  për veprimtari të tilla bllokuese. Te ne u paralizua i gjithë bulevardi më i madh i Shqipërisë. U bllokua edhe e gjithë puna e kryeministrisë. Por këtu hapet një kapitull i ri: E.Rama nuk i ka respektuar asnjëherë ligjet e shtetit, kur shkelmaxhiu Rama mendon që s’është i tiji!  

...

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›