E Shtunë, 31 Tetor 2026

Basha i kthen Tiranës vendimmarrjen publike

29-04-2011 / Gazeta 55

Kryebashkiaku i ardhshëm i Tiranës sjell në politikën shqiptare risinë e dëgjesave publike dhe vendimmarrjeve prej qytetarëve. Pa ardhur 8 maji, Lulzim Basha garanton nxjerrjen e bashkisë nga bunkeri ku është futur prej 11 vjetësh dhe u premton qytetarëve se do të jenë vendimmarrësit e politikave të Tiranës, përmes referendumeve apo “townhall meeting – takimeve publike”


Përmes një formati të ri të pa-aplikuar më parë në politikën shqiptare, kandidati për kryetar bashkie në Tiranë, Lulzim Basha ka bashkëbiseduar dje me qytetaret për projektin e tij për një qytet Europian. “Townhall meeting”, siç quhet në anglisht, një formë e zakonshme në perëndim, u aplikua dje për herë të parë në një fushatë elektorale.  Basha i është përgjigjur interesimit të qytetarëve për punësimin, trafikun, infrastrukturën, luftën kundër korrupsionit, sigurinë ushqimore, çmimet, uljen e taksave e deri tek politikat e tij për sportin. “Po ndërtojmë një përqasje të re. Afrimin e mendimit, para çdo vendimmarrje, sado sinjifikative, strategjike apo parciale të jetë kjo për qytetin tonë. Ju siguroj, kontaktin e përditshëm në identifikimin e problematikave, në diskutim zgjidhjesh dhe në bashkë-vendimmarrje me qytetarët e Tiranës, duke filluar që sot”, u shpreh Basha në krye të takimit. Më tej, qytetarët bënë pyetje dhe morën përgjigje nga kandidati Basha.


Qytetari - Edi Rama ka deklaruar se punësimi është politikë e qeverisë, ndërsa ju keni thënë se do të krijoni vende pune, si do të ndodhë?


Punësimi është absolutisht, prioritet i qytetit. Është dhe mbetet prioriteti im nr 1. Strategjia është kjo; Ulja e taksave, fondi i garancive, një rol informativ në tregun e punës, zhvillimi i infrastrukturës. Këto sjellin më shumë para për biznesin, më shumë para për punësimin, më shumë para për rrogat. Dhe dy fusha të tjera, investimi në arsimin profesional, investimi në Tiranën turistike. Këto janë drejtimet e mia kryesore për punësimin dhe të jeni të bindur kur them 30 mijë të punësuar, e kam peshuar mirë dhe jam i sigurt se si në çdo sfidë tjetër, këtë fjalë që po e jap, do ta mbaj.


Qytetari -Ç’mendoni ju se do të bëni për artin, kulturën në Tiranë?


Unë angazhohem që brenda planit të ri urbanistik, të gjej vendosjen e re për një galeri artesh pamore, për një teatër dhe për një qendër multimediale. Arti pamor duhet të jetë i pranishëm kudo në qytet.


Qytetari - Ç’do të bëni për të disiplinuar trafikun në Tiranë?


“Për trafikun do të ndërhyhet në dy nivele strategjike, me Unazën e Madhe dhe Tramvajin. Gjithashtu, mjafton një nënkalim tek 21 Dhjetori, për të prerë një pjesë të mirë të ngërçit që trafiku ka në atë zonë të qytetit. Një ri-dimensionim i nyjës së trafikut tek dogana, ndërhyrja tek vend-parkimet, është një tjetër ndërhyrje e domosdoshme për të rregulluar problemin e trafikut të rënduar në Tiranë”.


Qytetari - Dua të di diçka më shumë për premtimin tuaj, për një linjë telefonike anti-korrupsion?


Nuk do të ketë vetëm një shpallje në internet të të gjitha shpenzimeve të bashkisë, si detyrim madhor, nuk do të ketë vetëm thjeshtim maksimal të procedurave, por të ketë një mundësi të drejtpërdrejtë që qytetari të ankohet për një praktikë të cilën e gjykon potencialisht korruptive, dhe denoncime të cilat shikohen se i kanë një bazë faktike do t’i përcillen policisë për ndjekje të mëtejshme.


Qytetari - Duam diçka më specifike për cilësinë e ushqimeve që konsumojmë në Tiranë...


Agjencia bashkiake e mbrojtjes së konsumatorit, që unë e kam propozuar si një instrument për të goditur çmimet e padrejta dhe për t’i normalizuar ato, do të ketë dhe një rol tjetër, bashkëpunimin me Agjencinë Kombëtare Ushqimore, për të siguruar standardet dhe cilësinë e produkteve dhe shërbimit ushqimor në qytetin e Tiranës.


Qytetari - Kam një pyetje në lidhje me rikonstruksionin apo hapjen e shkollave të reja...


Jo më shumë se 25 fëmijë në klasë, është objektivi i parë i programit për arsimin, prandaj unë angazhohem se brenda katër viteve të ardhshme, për 6 shkolla të reja 9-vjeçare, dhe katër gjimnaze të reja, në territorin e Bashkisë së Tiranës.


Qytetari - Diçka mbi platformën tuaj si kryetar bashkie për sportin...


Jam shumë i lumtur që më është dhënë rasti, në pozitën time të fundit si Ministër i Brendshëm, që ato hapësira të Klubit Sportiv Dinamo, që fare mirë mund të kishin mbetur sot peng i një plani tjetër ndërtimi shumëkatësh, janë kthyer si hapësira të gjelbra të Qendrës Kombëtare Sportive. Dhe po kështu, do të veproj me çdo mundësi tjetër që kam për hapësira të gjelbra, për pishina, për mjedise sportive. Do të punoj fort për të rikthyer emocionet e derbit Tirana-Partizani, do të punoj fort për dy klubet e tjera Dinamo dhe Studenti, dhe do të punoj që gara sportive, financimi, mbështetja e këtyre garave ndërshkollore, ndër-ekipore, t’i sjellë gumëzhimin që i mungon qytetit të Tiranës.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›