E Shtunë, 31 Tetor 2026

Nesër nis Java e Filmit Gjerman

Nga Express më 04 tetor 2011 në ora 13:33

Nga 5 deri më 11 tetor, Ambasada gjermane do të sjell në Kosovë filma bashkëkohor gjermanë, të cilët janë shfaqur në kinematë gjermane në tre vjetët e fundit. Ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Ernest Reichel ka bërë të ditur se sikurse në vitin e kaluar, edhe këtë vit do të shfaqen filma të zhanreve të ndryshme për të kënaqur secilën shije. Reichel po ashtu ka theksuar se hyrja për çdo shfaqje do të jetë gratis.

Në një konferencë për media të martën , ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Ernst Reichel ka bërë të ditur se që nga nesër për publikun kosovarë do të shfaqen filmat më të suksesshëm të kinematografisë gjermane. Filmi i parë që do të shfaqet sipas ambasadorit do të jetë ”Goethe”, i cili portretizon poetin më të njohur gjerman në fillim të karrierës së tij, posaçërisht në kohën kur ai ka qenë poet romantik.

“Ashtu siç e dini që nga nesër deri më 11 tetor Ambasada gjermane e organizon Javën e Filmit Gjerman në Kosovë. Ashtu sikurse vitin e kaluar, ne kemi përzgjedh zhanre të ndryshme të filmit, të cilët do t’i shfaqim sonte këtu, në mënyrë që të ofrojmë diçka për secilën shije. Po ashtu hyrja për çdo shfaqje është gratis. Ashtu edhe si herëve tjera do t’i shfaqim filmat që kanë qenë më të suksesshmit në Gjermani, për të cilët edhe këtu në Kosovë ka interesim. Filmi i parë që do të shfaqet është filmi ‘Goethe’, i cili portretizon poetin më të njohur gjerman në fillim të karrierës së tij, në kohën kur ai ka qenë si poet romantik”, është shprehur Reichel .

Ndërkohë filmi i dytë që do të shfaqet është “Almany”, që flet për realitetin e sotëm të emigrantëve në gjermani.

Problemet e ndërlikuara të një lidhjeje paraqiten në mënyrë humoristike në komedinë “Kokoaah”. Ndërsa më serioz është “Baroni i kuq”, një film i luftës, për pilotin e famshëm të aeroplanit gjuajtjes të luftës së Parë Botërore.

“Unë e di shumë mirë që ka familje edhe këtu në Kosovë që mund ta gjejnë veten e tyre në këtë film. Dhe në fund kemi edhe filmin ‘Baroni i kuq’, që trajton jetën e një piloti të aeroplanit gjuajtës, ky është piloti më i popullarizuar në gjermani i Luftës së Parë Botërore. Ne dëshirojmë që në kuadër të Javës së Filmit Gjerman t’i vizitojmë me të gjithë shokët e dashamirët. Vitin e kaluar ne i kemi shfaqur filmat jo vetëm në Prishtinë, por edhe në Mitrovicë, ky sukses i vitit të kaluar na ka inkurajuar që mos të mbetemi vetëm në Prishtinë, por të shkojmë dhe t’i shfaqim filmat tanë edhe në qytetet tjera”, ka thënë Reichel.

Ndryshe, që nga nesër filmat gjermanë do të shfaqen në Prishtinë , për të vazhduar pastaj në Gjilan më 7 tetor, Prizren 8 tetor, Pejë 9 dhe 10 tetor, dhe për të përfunduar në Mitrovicë më 11 tetor.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›