Nesër nis muaji i shenjtë i Ramazanit, Spahiu: Të rrezatojmë dashuri ndaj të tjerëve

TIRANË, 28 shkurt/ATSH/ Besimtarët myslimanë në mbarë botën nisin nesër Muajin e Shenjtë të Ramazanit.
Kryetari i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, H. Bujar Spahiu, uroi sot të gjithë besimtarët për një muaj Ramazani sa më të paqtë e të begatë.
“Nesër, më 1 mars, fillon muaji i shenjtë i Ramazanit, një muaj i bekuar reflektimi, përkushtimi dhe pastrimi shpirtëror. Me zemrën plot mirënjohje ndaj Krijuesit të gjithësisë, i cili na mundësoi ta arrijmë sërish këtë muaj të shenjtë, ju përcjell urimet më të përzemërta për një agjërim të lehtë dhe të pranuar, si në emrin tim personal, po ashtu edhe në emër të institucionit që unë drejtoj”, tha Spahiu.
Spahiu u shpreh se “ky muaj na fton të ndalemi dhe të reflektojmë mbi mirësitë e panumërta që Zoti na ka dhuruar. Është një mundësi e artë për të shprehur falënderim ndaj Tij, për të kultivuar durimin, për të rivitalizuar lidhjen tonë me Kuranin Famëlartë dhe për të rrezatuar dashuri ndaj të tjerëve”.
“Ramazani është gjithashtu muaji i solidaritetit dhe i vëllazërisë. Ai na kujton përgjegjësinë tonë ndaj atyre që kanë nevojë për ndihmën tonë dhe na fton të tregojmë bujari, dhembshuri dhe kujdes për më të dobëtit. Në këtë muaj të shenjtë, le të forcojmë jo vetëm lidhjet tona me familjen dhe të afërmit, por edhe me shoqërinë në tërësi, duke e bërë komunitetin tonë më të ndjeshëm dhe më të bashkuar”, tha Spahiu.
Kreu i Komunitetit Mysliman u shpreh se “agjërimi nuk është vetëm një sakrificë fizike, por një proces i thellë shpirtëror, që synon ndërtimin e një personaliteti të qëndrueshëm, të devotshëm dhe të mbushur me vlera të larta morale”.
/k.s/j.p/