Nesër nis rinumërimi i votave të Gjilanit

Zyrtarët e Qendrës për Numërimin e Rezultateve (QNR) thonë se kanë bërë të gjitha përgatitjet dhe nesër do të fillojë rinumërimi i votave për komunën e Gjilanit. Ndërkohë Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ), pritet të përcaktojë “pragun” dhe kriteret e tjera për përsëritjen eventuale të zgjedhjeve në Gjilan.
Vendimi për fillimin e rinumërimit u mor sot gjatë mbledhjes së radhës të KQZ-së, me ç’rast u shpalos edhe dizajni i ri që do të kenë fletëvotimet për raundin e tretë të zgjedhjeve.
Koordinatori i QNR-së, Burim Ahmeti, tha se për të kryer sa më shpejt procesin e hetimit dhe të rinumërimit të votave në komunën e Gjilanit do të punohet në tri ndërrime.
“Për rinumërimin e votave me kusht do të punohet në nëntë tavolina, ku do të jenë edhe 10 përfaqësues nga partitë politike, nga partitë të cilat janë të interesuara për vëzhgimin e zgjedhjeve. Po ashtu edhe palët e interesuara do të jenë të pranishme, kështu që kemi siguruar një proces sa më transparent dhe sa më efikas lidhur me hetimin dhe rinumërimin e votave me kusht nga komuna e Gjilanit. Të gjithë përgatitjet i kemi bërë për datën 6 janar 2010”, ka thënë Ahmeti, transmeton KosovaPress.
Përfaqësuesi i LDK-së në KQZ kërkoi të përcaktohet një prag, ndërsa PDK-ja propozoi konkretisht një shkallë përqindjeje prej 40 për qind, të fletëvotimeve të parregullta, që të merret një vendim për përsëritjen ose jo të procesit.
Me propozimet u pajtua edhe kryetarja e KQZ-së, Nesrin Lushta. Ajo tha se derisa bëhet rinumërimi, edhe KQZ-ja do të dalë me një vendim me të cilin bëhet përcaktimi i kritereve lidhur me parregullsitë që kanë ndodhur gjatë procesit të votimit.
Lushta theksoi se QNR-ja i ka të gjitha kompetencat në lidhje me procesin e rinumërimit të votave për komunën e Gjilanit. “Ata duhet të kontrollojnë formularët që kanë ardhur, formularët të cilët po quhen të përputhjeve të rezultateve, duhet të shikohet secili prej tyre, pastaj duhet të shkohet në procesin e rinumërimit të votave”.
Ndërsa Adnan Rrustemi nga Sekretariati i KQZ-së prezantoi dizajnin e ri të fletëvotimeve për raundin e tretë të zgjedhjeve, që do të mbahen më 31 dhjetor për kryetarë të Prizrenit dhe Lipjanit. Dizajni, ngjyra dhe titulli i fletëvotimit për zgjedhjet do të jenë të ndryshme nga dy raundet e para.
Vendimi për rivotim në Prizren dhe Lipjan ka ardhur pas ankesave të shumta që ka bërë LDK-ja, si parti humbëse e garës së balotazhit. Procesi i rivotimit do të kushtojë rreth 500 mijë euro.