E Shtunë, 31 Tetor 2026

LDD: Sinjale se viti do të jetë i vështirë

Opozita në Kosovë ka nisur vitin 2010 me akuza në drejtim të koalicionit qeverisës PDK-LDK, duke thënë se sinjalet e para të këtij viti janë mjaft shqetësuese, duke u mbështetur edhe në raportin e Bankës Botërore “Doing Business 2010”. Në këtë raport, të publikuar së fundi, parashikohet se ky vit do të jetë i vështirë për Kosovën dhe me trendë përkeqësues në sektorin e ekonomisë.

Sekretari i përgjithshëm i Lidhjes Demokratike të Dardanisë (LDD), Lulzim Zeneli, në një konferencë për gazetarë, ka thënë se në raportin e sivjetmë, Kosova gjendet gjashtë vende më poshtë sa i përket perspektivës ekonomike, biznesit dhe sigurisë së investimeve, përderisa fqinjët kanë shënuar progres.

“Kosova vazhdon të mbetet njollë e zezë, si rezultat i një politike të dëmshme joinstitucionale të qeverisjes aktuale, e cila Kosovën po e vendosë në karantinë të parregullsive, korrupsionit dhe krimit”, ka thënë Zeneli, transmeton KosovaPress.

Ai ka vënë në dukje edhe mosimplementimin e plotë të Kushtetutës së Kosovës në tërë territorin e vendit, ndërkaq ka paralajmëruar se Grupi Parlamentar i LDD-së do të kërkojë debat në Kuvend lidhur me çështjet që kanë të bëjnë me implementimin e kushtetutshmërisë dhe praninë e strukturave paralele.

Edhe paralajmërimet për “rikonfigurim” të qeverisë aktuale, Zeneli i quan lëvizje antiinstitucionale, që nuk kanë për bazë funksionimin e shtetit të Kosovës. Sipas tij, në këtë rast nuk demonstrohet vullneti i shtetit për implementimin e Kushtetutës së vendit. “Konfigurimet e brendshme apo riformulimet... bëhen vetëm për pazare të brendshme dhe për konsum të brendshëm, se kinse jemi duke bërë diçka për ndryshimin e gjendjes aktuale”.

LDD ka shprehur shqetësimin e saj edhe për reagimet e institucioneve të Kosovës përkitazi me strukturat paralele, siç ishte me rastin e emërimit të gjyqtarëve dhe prokurorëve serbë nga ana e Beogradit për Kosovën, duke e quajtur reagimin institucional si joshtetërore dhe si dëshmi e plotë se nuk ka vullnet politik për implementimin e kushtetutës dhe funksionalizimin e plotë të shtetit.

Sa i përket mundësisë se një koalicioni ndërmjet PDK-së, LDD-së dhe AKR-së, Zeneli ka mohuar të ketë diçka serioze në këtë drejtim. Ai ka përsëritur kërkesën për mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme në nivel vendi.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›