E Shtunë, 31 Tetor 2026

Konstituohet Komuna e Ranillukut

Pa praninë e asnjë simboli shtetëror, të martën u zyrtarizua edhe një pjesë e produktit të decentralizimit.

Në Shtëpinë e Kulturës në fshatin Domoroc, edhe zyrtarisht Komuna e Ranillukut ka konstituuar Kuvendin Komunal të dalë nga zgjedhjet e 15 nëntorit 2009.

Para delegatëve të këtij Kuvendi, është betuar edhe Kryetari i Ranillukut, Gradimir Mikic.
Njëmbëdhjetë këshilltarët e Iniciativës Qytetare të Ranillukut janë betuar se do të punojnë për komunën dhe qytetarët e saj, ndërsa katër këshilltarët nga Partia Serbe për Kosovën e Metohinë, të cilët do të jenë opozitë në këtë komunë të sapokrijuar, nuk morën pjesë.

Gradimir Mikic, pas betimit të tij si Kryetar, tha para delegatëve se do të jetë i përkushtuar maksimalisht në punën e tij për të përmirësuar kushtet e jetesës së banorëve të komunës së re.

“Kjo do të ndikojë që njerëzit të rrinë në trojet e veta dhe të mos mendojnë të shpërngulen”, tha ai.

Me votim të fshehtë, në rundin e parë, këshilltarët komunalë zgjodhën për Kryesues të Kuvendit, Radojica Djokic, i cili është edhe këshilltari më i vjetër i Kuvendit.
Zëvendësministri i Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal (MAPL), Raif Elezi, i cili ishte i pranishëm në konstituimin e organeve komunale të Ranillukut, u premtoi delegatëve komunalë dhe Kryetarit Mikic mbështetje në të gjitha proceset e konsolidimit të komunës së re.

Në mbledhjen inauguruese të Kuvendit Komunal të Ranillukut morën pjesë Komandanti i kontingjentit amerikan të KFOR’it, Al Dohrmann, përfaqësuesit e Ambasadës amerikane, Kryetari në largim i Kamenicës, Begzad Sinani dhe përfaqësues të shumë organizatave ndërkombëtare e vendore. Komunën e Ranillukut e përbëjnë trembëdhjetë fshatra të Kamenicës.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›