Nesër protestojnë shqiptarët e Luginës së Preshevës

Përfaqësuesit e partive politike shqiptare në Luginën e Preshevës kanë njoftuar se nesër me fillim në orën 12:00 do të mbajnë një protestë gjithë popullore, siç është thënë kundër diskriminimit sistematik shtetërorë që po i bëhet shqiptarëve në Luginë.
Ndërkohë, Lëvizja për Bashkim ka shprehur mbështetjen e fuqishme për këtë nismë duke konsideruar se protestat duhet të jenë të vazhdueshme, deri në zgjidhjen e drejtë të çështjes së Kosovës Lindore.
Protesta sipas organizatorëve ka për qëllim shprehjen e revoltës ndaj mos përfshirjes së shqiptarëve të Luginës reciprokisht në raport me serbët e veriut të Kosovës në bisedimet fundit në mes të Kosovës dhe Serbisë. Kjo madje siç thuhet imponon rimobilizimin e faktorit politik shqiptarë në artikulimin e kërkesës për zgjidhjen e problemit politik të Luginës së Preshevës.
Protesta e organizuar nga përfaqësuesit e të gjitha partive politike që tubojnë shqiptarët e Preshevës, Bujanocit dhe të Medvegjës, do të mbahet ditën e shtunë me fillim në orën 12:00 në sheshin para godinës së Komunës së Preshevës.
Jonuz Musliu, kryetar i Lëvizjes së Progresit Demokratik, tha se kjo protestë bëhet edhe në shenjë revolte ndaj paralajmërimeve të Gjykatës serbe të Apelit për rikthim në gjykim të pjesëtarëve të UÇK- i njohur si ''Grupi i Gjilanit''.
Ai ka theksuar domosdoshmërinë e mobilizimit të shqiptarëve me veprime konkrete për të stopuar dukuritë negative që vazhdojnë të shqetësojnë popullatën shqiptare të Luginës së Preshevës e cila si rezultat po detyrohet të lëshoj vatrat shekullore.
Ndërkohë, sot Lëvizja për Bashkim ka shprehur mbështetjen e fuqishme për këtë nismë dhe konsideron se protesta të tilla, jo vetëm që është dashur të jenë të vazhdueshme deri më sot, por duhet të jenë të tilla deri në shtruarjen dhe zgjidhjen e drejtë të çështjes së Kosovës Lindore./Indeksonline/