LISBA: Ja gabimet që fyejnë Islamin në Kosovë

Lëvizja Islame Bashkohu (LISBA), ka dalë me një kërkesë të re drejtuar Ministrisë së Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë. Ndrysa nga kërkesat e mëhershme që të lejohen vajzat myslimane të vijojnë shkollën me shami, këtë herë, kjo lëvizje ka kërkuar nga kjo ministri që të ulet e t’i korrigjojë të gjitha gabimet në literaturën nga e cila mësojnë fëmijët nëpër shkolla.
Duke iu referuar kërkesave që qytetarët e Kosovës i kanë bërë MASHT’it nëpërmjet kësaj lëvizje, LISBA i është drejtuar Qeverisë së Kosovës me një kërkesë shumëfaqëshe, duke ia bashkangjitur edhe pjesët e literaturës, gabimet e të cilave sipas tyre kanë të bëjnë me fyerjen e shumicës të popullatës së Kosovës.
“Ne besojmë literatura me referenca të gabuara që janë dhënë në literaturën e librave ku fëmijët tanë mësojnë në Kosovë ,të cilat janë me tendencë të shtrembërimit të së vërtetës mbi popullsinë shqiptare myslimane të Kosovës dhe favorizim i një feje të caktuar nga ata që shkruajnë librat”, thuhet në letrën që LISBA i ka dërguar Qeverisë, konkretisht Ministrisë së Arsimit në Kosovë.
“Qytetarët e Kosovës nëpërmjet Lëvizjes Islame Bashkohu, kërkojnë nga qeveria përkatësisht organi kompetent, t’i korrigjojë gabimet në literaturat që fëmijët tanë mësojnë në shkollat fillore dhe të mesme të Kosovës”, thuhet në këtë letër.
“Gjithashtu kërkojmë që referencat që përdorën kundër Perandorisë Osmane në literaturën shkollore të hiqen pasi ato janë shtrembërim që janë bazuar në literaturat dashakeqëse të autorëve serb apo të Shqipërisë komuniste”.
Vetë fakti i sulmit ndaj Perandorisë Osmane e cila sipas kësaj lëvizje, paraqitet si armik i popullit shqiptar, është një tezë e akademive sllave që tenton konfrontim mes popullit shqiptar dhe ndarje në dy grupe të shqiptarëve.
“Kërkojmë nga organet kompetente të hapin një hetim për tekstshkruesit e literaturës së Kosovës dhe të hetojë agjendën e tyre”.
Kjo lëvizje i ka paraqitur me tekst dhe duke i bashkangjitur edhe disa fotografi, të gjitha gabimet të cilat kanë kërkuar që urgjentisht të përmirësohen dhe të bazohen në referenca të vërteta dhe jo të gabuara që kanë dhënë deri më tani.
1.Historia 6, autor: Fehmi Rexhepi, Frashër Demaj. Shtëpia Botuese “Libri Shkollor”, Prishtinë, 2007(Botimi i katërt)
Në libër ,agjentët Fehmi Rexhepi dhe Frashër Demaj, islamin e paraqesin si fe të dhunës duke i mësuar fëmijët që në klasën e gjashtë të shkollës fillore ta njohin islamin si fe e urrejtjes dhe të dhunës . Ata paraqesin 5 kushtet e islamit të shtrembëruara nga e vërteta . Duke qenë se 5 kushtet e islamit janë:
1. Dëshmia (shehadeti)
2. Falja (namazi)
3. Zekati
1. Agjërimi, Haxhi
Fehmi Rexhepi dhe Frashër Demaj në librin historia e klasës së gjashtë të shkolles fillore paraqesin me një gabim trashanik kushtet e islamit si në foton që kemi skenuar në vijim. Madje ata paraqesin islamin si fe idhujtarie e cila thërret të adhurojë një gur të zi dhe si supozim i të ekzistuarit të kësaj feje e cila erdhi nga ideja e Muhammedit .
2.Në librin Edukata Qytetare 6 me autore Bajram Shatri dhe Erlehta Mato evidentohen probleme konceptuale ku autorët thërrasin që kosovarët të identifikohen me Nënë Terezën dhe Skënderbeun.
3.Në librin Historia e klasës 7 me autore Isa Bicaj dhe Arbër Salihu, autorët kanë vendosur në sfond një ikonë të Shën Marisë me Jezu Krishtin e vogël e cila i jep kontekst katolik fotografisë së heroit të kombit dhe përdor standard të dyfishtë kur merret parasysh se nuk përdoren simbole të tilla që simbolizojnë simbole të fesë islame. Po ashtu në këtë libër në mësimin“Humanistët shqiptarë” të kapitullit “Humanizmi dhe Rilindja”, autorët tregojnë se: “Pas pushtimit osman shumë vepra artistike e kulturore të krijuara më parë u shkatërruan.” Osmanët tregohen si shkaku i këtij shkatërrimi obskurantist e në anën tjetër priftërinjtë katolikë si Marin Barleti, Dhimitër Frengu, Frang Bardhi, Gjon Buzuku, Pjetër Budi dhe Pjetër Bogdani tregohen si humanistë shqiptarë, që donin të mësonin gjuhën shqipe nëpërmjet lutjeve fetare dhe dijet për fenë, me tematikë luftën çlirimtare kundër pushtuesve osmanë. Për të ilustruar kulturën dhe humanizmin shqiptar autorët vendosin një ikonë bizantine me imazhe nga Jezu Krishti i Onufrit
Fëmijëve tanë u servohet politika sikur kultura e popullit shqiptar fillon me këto ikona të krishtere . Gjithashtu në këtë libër ,në kapitullin “Arbëria ,në shekujt XVI-XVIII” , nxënësit mësojnë se si osmanët dëbonin arbrit nga trevat e tyre dhe mësojnë se si ata donin t’i nënshtronin . Mirëpo ata nuk mësojnë se në këtë periudhë Kosova u pushtua nga asutro-hungarezët të cilët në bashkëpunim me Pjetër Bogdanin dhe serbët masakruan popullatën vendase myslimane shqiptare ku edhe kthyen xhamitë në kisha.
Madje autorët e librit paraqesin përhapjen e fesë islame të ardhur nga pushtimi osman duke mos treguar se para hyrjes së osmanëve kishte të ndërtuar xhami në Kosovë e cila gjendet në fshatin Mlikë , e ndërtuar në vitin 1239 që është periudhë para osmane.
Autorët tregojnë se krishterimi u përhap si mision i shenjtë duke e cilësuar përhapjen si vepër humanizmi.
Ata islamin e paraqesin si përhapje me dhunë madje nuk japin informata për misionarët myslimanë që përhapën islamin në Ballkan.
Në tekstin Edukata Qytetare 7 , me autorët Erlehta Mato dhe Bajram Shatri, autorët përdorin një tregim që të irritojnë nxënësit ku tregojnë se një vajzë me emrin Fatima ,e ikur nga Afganistani e cila ka ardhur të jetojë në Gjermani , shkollohet në një klasë me djem dhe ëndrra e saj është për t’u bërë mjeke, por kjo ëndërr rrezikohet nëse pyetet feja e saj ashtu siç autorët shtrembërojnë duke thënë se shoqet e saj në Afganistan kundërshtojnë shkollimin si Fatimja pasi ajo bie ndesh me fenë islame ku edhe autorët bëjnë një pyetje se “A e lejon feja shkollimin e Fatimes ? ” .
Ata japin një përgjigje të trilluar sipas dëshirës së tyre duke cituar përgjigjen e shoqeve të saj ku shprehen se veprimi i Fatimes bie në kundërshtim me fenë islame .
Në tekstin Leximi letrar 8 , me autor Mazllom Kumnova dhe Munish Hyseni, autorët paraqesin frymën nacionaliste ku priftërinjtë e krishterë si Pjeter Bogdani ,Ndre Mjeda dhe Gjergj Fishta , paraqiten si aktivistë kombëtarë, ndërsa nga ana tjetër njollosin islamin ku paraqesin se në vitin 1478 Sulltan Mehmeti i Dytë “urdhëroi hapjen e varrit të Gjergj Kastriotit dhe se eshtrat e tij osmanët i mbanin si hajmali ku paraqiten si njerëz kanibalë , madje duke e hapur varrin ata bërtisnin parulla islamike Allah Allah”.
Madje në këtë libër , në vjershën “Ura e Qabesë”, myslimanët shqiptarë që ishin pjesë e perandorisë osmane tregohen si viktima ku thuhet se si vdisnin ata në shkretëtirat arabe. Po ashtu në këtë libër bën pjesë një reagim i Faik Konicës i cili formësohet nga regjimi komunist i Enver Hoxhës ku dhe e shpalli Shqipërinë shtet pa të fe zyrtare , edhe pse me shumicë dërrmuese myslimane botimi i reagimit të Konicës është fyese ndaj shumicës dërmuese shqiptare.
Në librin historia e klasës së nëntë të shkollës fillore, në mësimin “Shpallja e Pavarësisë së Kosovës” autorët nuk përmendin fare Turqinë e cila ishte shteti i parë që e njohu pavarësinë e Kosovës , por aty renditen shtetet si SHBA-ja, Britanija e Madhe, Franca, Gjermania, Italia dhe Shqipëria. Madje nuk përmendet as Afganistani si një ndër shtetet e para që pranuan pavarësinë e Kosovës . Këto shtete me popullatë Islame synohen të paraqiten si shtete anti- shqiptare.
PJESA II: ARSIMI I MESËM
Libri Letërsia e vjetër shqiptare e klasës së 10 personifikon Skënderbeun si hero të krishterë i cili tregohet se i solli fitore popullit shqiptar , ku tregohet një fjalim nga ana e “Skënderbeut” i cili thërret të luftojnë për krishterimin ku në fjalim thotë:“…t’i rrokni armët për mua jo si për ndonjë arbëror, jo si për një bir princi, jo si për një të gjakut tuaj , por si për një të krishteri, si për një të ikur”.
Ndërsa kur bie fjala për patriotët shqiptarë që i përkasin fesë islame devotshmëria e tyre nuk tregohet , sa për ilustrim marrim Ismail Qemailin i cili kryente ritualin fetar islam namazin si një mysliman i përkushtuar ; këtë nuk e hasim askund. Libri Historia 11 e gjimnazit të përgjithshëm ,me autorë Jusuf Bajraktarin dhe Isa Bicaj, na mëson se Librat e klerit katolik , që janë ofenduese për profetin Muhammed , siç është libri i klerikut të krishterë Pjetër Bogdani “Çeta e profetëve” ,ku paraqiten si të arritura shqiptare .
Në Letërsia romantike shqiptare 11 ,me autor Sabri Hamitin, autori ka përmbledhur një varg poezish apo shkrime nga autorët të klerit krishterë si : Jeronim De Rada, Kostandin Kristoforidhi, Zef Serembe, Zef Skiroi ku nga ideologjia e tyre shprehin mllefin kundër perandorisë osmane dhe mësojnë fëmijët që osmanët (turqit) t’i shohin armiq për kundër faktit që perandoria osmane siç e kemi cekur edhe në fillim kishte 28 kryeministra e 36 ministra shqiptarë.
Historia 12 (Për gjimnazin e përgjithshëm) ,me autor Jusuf Bajraktari dhe Arbër Salihu. Edhe në këtë libër gjejmë një shtrembërim të punës së Lidhjes Shqiptare të Prizrenit ku autorët paraqesin Lidhjen Shqiptare të Prizrenit si një mbledhi anti osmane , ndërsa nuk paraqesin kararnamet e Lidhjes shqiptare të Prizrenit ku ndër ligjet që nxori kjo lidhje paraqitej besnikëria e kësaj lidhjeje ndaj perandorisë osmane. Në shume libra nga shkolla fillore dhe e mesme janë cituar emrat e fesë së krishterëve duke u thirrur me emra si Shën Tereza, sikurse në vjershën e autorit Liri Loshi të librit të Leximit klasa e katërt , ndërsa kur citohej profeti Muhammed ai citohej me emër “Muhamet” dhe nuk cilësohej profet si në librin Historia e klasës së gjashtë të shkollës fillore.
Librat shkollore të Kosovës ndarjen e kohës e tregojnë të lidhur me lindjen e Krishtit të cilën e cilësojnë si viti 0. Edhe pse në perëndim ka debate mbi këtë nocion kristianocentrik të historisë, i cili refuzohet nga shumë myslimanë, hebrenj, ateistë etj, të cilët nuk pranojnë ta quajnë këtë ndasi kohore “pas dhe para Krishtit”, por si “era e re dhe para erës sonë”.Në fund : Duke u nisur nga këto fakte vijmë në përfundim se tekstshkruesit e literaturës së Kosovës siç janë Frashër Demaj dhe të tjerë janë agjentë anti- muslimanë dhe anti- shqiptarë që e paraqesin historinë e popullit shqiptar të shtrembër duke mos u bazuar në fakte.
Duke iu referuar gjitha këtyre LISBA ka vendosur që të kërkojë nga Qeveria e vendit , përkatësisht Ministria e Arsimit , të mos i pranojnë librat e shkruara nga këta persona dhe hetuesia kompetente të hetojë punën që ata bëjnë. “Gjithashtu kërkojmë nga ministria e arsimit të korrigjojë urgjentisht tekstet shkollore të cilat janë të montuara nga njerëz që nxisin urrejtje fetare dhe etnike në Kosovë”, thuhet në kërkesën e kësaj lëvizje.
Kjo pasi sipas LISB’ës, në rast se Ministria e Arsimit nuk ndërmerr ndonjë hap të këtillë , do të detyrohemi me mënyra të tjera ta informojmë popullatën e Kosovës për historinë e vërtetë të tyre dhe gabimet në literaturën shkollore që bëjnë historianët gënjeshtarë./Indeksonline/