E Diel, 1 Nëntor 2026

Nesër seanca plenare për Qeverinë e re të Kosovës, çfarë pritet të ndodhë?

Ditën e nesërme është caktuar që të mbahet seanca e Kuvendit për zgjedhjen e Qeverisë së re të Kosovës.

Ajo do të nisë në orën 14:00. Ndërkaq, në orën 11:00 është thirrur një seancë tjetër me disa pika të rendit të ditës, sikurse janë formimi i komisioneve parlamentare, më pas shqyrtimi i parë i projektligjit për ndarjet buxhetore, miratimi i buxhetit për tri komuna të Kosovës (Prishtinë, Gjilan dhe Zubin Potok), çështja e financimit të Radio Televizionit të Kosovës dhe ratifikimi i disa marrëveshjeve ndërkombëtare.

Seanca për Qeverinë mbahet në ditën e fundit që lejon Kushtetuta pasi presidentja Vjosa Osmani mandatoi më 4 nëntor Glauk Konjufcën për formimin e qeverisë së re.

Konjufca pritet të prezantojë kabinetin e ri qeverisës, për votimin e të cilit kërkohen të paktën 61 vota.

Konjufca është shprehur më herët se, kërkon mbështetjen e deputetëve për Qeverinë e tij, në mënyrë që të shmangen zgjedhjet parlamentare në dhjetor dhe që vendi të ketë ekzekutiv “së paku” deri në prill, kur duhet të zgjidhet presidenti i ri i vendit.

Ndërkaq, kreu i LVV-së, Albin Kurti, ka deklaruar se nuk sheh as “mundësi teorike” që të arrihet një koalicion me partitë e tjera shqiptare, të cilat, sipas tij, kanë “ndërtuar një urrejtje hibride ndaj meje”.

Lëvizja Vetëvendosje i fitoi zgjedhjet e 9 shkurtit, por nuk ka siguruar ulëse të mjaftueshme në Kuvend që do t’i mundësonin formimin e Qeverisë pa bashkëpunim me partitë e tjera.

Në zgjedhjet e 9 shkurtit, Partia Demokratike e Kosovës ka fituar 24 ulëse, Lidhja Demokratike e Kosovës 20, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës pesë dhe tre deputetë ka Nisma Socialdemokrate, që në zgjedhje garoi në listë të përbashkët me AAK-në.

Lista Serbe ka 9 nga 10 ulëset e garantuara për minoritetin serb, një e ka partia e Nenad Rashiqit dhe dhjetë ulëse të tjera i kanë fituar përfaqësuesit e minoriteteve të tjera.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›