Netanjahu: Do trajtojmë krizën e vendbanimeve

Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu ka premtuar se do ta trajtojë çështjen e krizës së shtëpive në vendin e tij, pas një demonstrate të mijëra izraelitëve të shtunën në Tel Aviv. “Zëri i Amerikës”, njofton nga Jeruzalemi se protestat e filluara prej disa tendave në Tel Aviv janë kthyer tani në një lëvizje në mbarë vendin.
Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu premtoi reforma gjithpërfshirëse pasi rreth 15,000 njerëz demonstruan të shtunën kundër kostos në rritje të çmimit të shtëpive. Protesta e fundjavës ishte paqësore megjithëse policia tha se disa dhjetra demonstrues u arrestuan për bllokimin e rrugëve. Protestuesit mbanin parulla që kërkonin drejtësi sociale. Disa bënë thirrje për dorëheqjen e qeverisë. Qeratë thuajse janë dyfishuar gjatë pak viteve të fundit dhe disa studentë thonë se ata nuk mund ta përballojnë më të jetojnë pranë vendeve ku studiojnë dhe punojnë.
Protesta filloi një javë më parë, kur disa të rinj ngritën kampe dhe tenda në të gjithë qytetin. Që atëherë mbështetja për të është rritur nga disa shtresa të shoqërisë, përfshi klasën e mesme dhe të moshuarit. Organizatorët janë përpjekur ta mbajnë protestën të përqendruar tek çmimet e larta të shtëpive, por grupe të tjera janë bashkuar për interesat e tyre.
Ekonomia e Izraelit ka vazhduar të rritet me më shumë se katër për qind në vit kohët e fundit, por shumë thonë se përparimi po shijohet kryesisht nga një pakicë e pasur. Ndërkaq ka pasur protesta kundër rritjes së çmimit të naftës, dhe rpodukteteve bulmetore. Doktorët dhe studentët mjekësorë janë në grevë me kërkesa për pagesa dhe kushte më të mira pune. Grupet humanitare kanë vënë në dukje se kushtet e jetesës janë më të rënda mes disa palestinezëve dhe emigrantëve të rinj. Rritja e lëvizjes përmes medias sociale u ka kujtuar disave fillimin e kryengritjeve të fundit në vendet arabe.