Serbia në BE, raportet me Kosovën vendimtare

Pas mbylljes së bashkëpunimit me Tribunalin e Hagës, marrëdhëniet e Beogradit dhe Prishtinës, janë vendimtare për hapjen e portave evropiane për Serbinë.
Sipas kryetarit të Këshillit parlamentar për integrime evropiane në parlamentin serb, Laslo Varga, Serbia do të gjendet para tri problemeve shtesë, të cilat vendet e tjera nuk i kanë pasur për të hyrë në BE, që sipas parashikimeve, nën kushte ideale ajo mund të hynte në vitin 2020.
“Pas përmbylljes së bashkëpunimit me Hagën, u tregua se raportet e Beogradit dhe Prishtinës janë problem kyç dhe nuk do të mund të përmbyllen negociatat nëse kjo çështje nuk zgjidhet. Shpresoj që zgjidhja nuk do të nënkuptonte pranimin e pavarësisë së Kosovës, por çfarë do të thotë konkretisht termi `normalizim dhe vendosje e marrëdhënieve të mira fqinjësor`, mendoj se këtë askush nuk e di saktësisht”, tha Varga. Por ai beson se ky problem do të zgjidhet në dhjetë vitet e ardhshme, sepse, nëse nuk zgjidhet për këtë kohë, nuk do të zgjidhet as për njëzet vjet.
Problem i dytë është atmosfera e lodhjes nga anëtarët e rinj dhe kriza ekonomike, ndërsa problem i tretë është zhvillimi ekonomik, standardi jetësor.