Netanjahu i drejtohet parlamentit: Nëse Izraeli nuk fiton, larg qoftë, radhën e ka bota

Izraeli nuk do e lërë luftën pa çrrënjosur “të keqen” që i vjen nga militantët e Hamasit, të cilët kryeministri Benjamin Netanjahu i ka quajtur “nazistët e rinj”.
Z. Netanjahu iu drejtua të mërkurën parlamentit, duke mbjellë shpresë para deputetëve për rezultatin e luftës më shumë se tremujore me militantët palestinezë në Gazë.
“Kjo është një luftë për shtëpinë tonë. Duhet të marrë fund, dhe do të marrë fund, me çrrënjosjen e agresionit dhe së keqes së nazistëve të rinj (Hamas). Ata që sulmuan, grabitën, përdhunuan dhe vranë, i kanë sjellë vetes rrënim të paparë.
Të gjithë së bashku, sidomos në këtë moment, na duhet të mobilizojmë forcat. Do vazhdojmë të kërkojmë me vendosmëri mposhtjen e armikut të pamëshirshëm që kemi përballë; do vazhdojmë të sigurojmë kryengritjen kombëtare dhe kështu do të përmbushim dëshirat e djemve tanë të dashur (ushtarët e rënë në luftë),” u shpreh kryeministri Izraelit.
Hamasi ka pushtetin në Gazë, por z. Netanjahu deklaroi se regjimi që ata ushtrojnë është i rreptë dhe më vrastar se ç’shihet Izraeli prej tyre.
“Dy muaj më parë komandantët tanë morën parlamentin – kështu e quajnë – parlamentin e Hamasit në Gazë. Sigurisht që nuk është parlament real, por fiktiv. Nuk ka zgjedhje të lira dhe demokratike në Gazë. Herë pas here regjimi ekzekuton njerëzit, i çon në shesh ku dhe i qëllon pas qafe, dhe nëse ndokush do të largohet nga zona e luftimit, i arrestojnë dhe i qëllojnë,” u shpreh z. Netanjahu.
Që nga 7 tetori, dita kur militantët palestinezë kaluan kufirin izraelit për të shkaktuar mbi 1,100 të vrarë, ushtria palestineze është kundërpërgjigjur me goditje të përqendruara, që u kanë marrë jetën mbi 25 mijë banorëve në Gazë.
Komuniteti ndërkombëtar ka kërkuar ndërprerjen e konfliktit, që tani ka nisur të përhapet në gjithë rajonin. BE-ja ka deklaruar se është gati të ulet për të diskutuar zgjidhjet diplomatike, përfshirë njohjen e dy shteteve të pavarura: Izraelit dhe Palestinës.
Kryeministrit Netanjahu i tha parlamentit se vazhdimi i luftës kërcënon mbarë botën.
“Çdo demokraci, qoftë e madhe apo e vogël, vendoset para provës në kohëra lufte. Shteti i Izraelit është i njohur me luftërat dhe me provat dhe në këtë provë të fundit, ne do të qëndrojmë njësh dhe do të fitojmë.
Ne do e fuqizojmë pozicionin e Izraelit si kullë vrojtimi e botës së qytetëruar në Lindjen e Mesme. U kam thënë liderëve të botës kur filloi lufta: nëse Izraeli nuk fiton, larg qoftë, radhën e keni ju. Ky rrezik do ju vijë në derë gati me siguri, shumë më shpejt sesa mendoni. U thashë edhe dje: lufta jonë është lufta juaj dhe fitorja jonë është fitorja juaj,” u shpreh z. Netanjahu.
/rtsh.al/