E Hënë, 2 Nëntor 2026

Netanyahu: Izraeli do të sulmojë të gjitha objektet bërthamore të Iranit

Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu tha se Izraeli e ka fuqinë për të goditur të gjitha objektivat bërthamore të Iranit.

“Jemi në luftë, nuk do ta zbulojmë afatin kohor. Do t’i arrijmë të gjitha objektivat, do t’i godasim të gjitha objektet bërthamore, kemi fuqinë ta bëjmë këtë”, tha Netanyahu për transmetuesit publik izraelit Kan.

Lidhur me mbështetjen e SHBA për sulmet ndaj Iranit, Netanyahu u shpreh se administrata Trump po e ndihmon për mbrojtjen, por se Izraeli nuk priste “dritën jeshile” nga Shtetet e Bashkuara.

“Ata po marrin pjesë në mbrojtjen e qiellit mbi Izraelin dhe qytetet e tij. Mendoj se është një bashkëpunim i jashtëzakonshëm”, tha ai.

Gjithashtu Netanyahu tha se Izraeli e ka thyer “boshtin iranian”, duke treguar rënien e forcave të mbështetura nga Irani në rajon,  Hezbollahu në Liban , Hamasin në Gaza dhe regjimin e Asadit në Siri.

“I takon popullit iranian të ngrihet për lirinë e tij. Liria nuk është kurrë e lirë. Ne mund të krijojmë kushte që mund t’i ndihmojnë ata ta bëjnë këtë”, tha Netanyahu.

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›