Netanyahu kundër Egjiptit: Burgos banorët e Gazës që duan të largohen nga zona e luftës

Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu akuzoi Egjiptin se mban të burgosur banorë të Gazës që dëshirojnë të largohen nga zona e luftës.
Komentet e Netanyahut erdhën pas deklaratës së Egjiptit, i cili tha se nuk do të pranojë shpërnguljen masive të palestinezëve dhe veprimet që i konsideron si gjenocid.
Ministri i Jashtëm egjiptian Badr Abdelati tha se vendi i tij “dënon në mënyrë absolute” deklaratat e kryeministrit izraelit, duke i quajtur ato një përpjekje për të “zgjatur përshkallëzimin në rajon dhe për të konsoliduar paqëndrueshmërinë”.
Ai gjithashtu theksoi se dëbimi i palestinezëve nga atdheu i tyre është një “vijë e kuqe” për Egjiptin dhe nuk do të lejohet.
“Dëbimi do të thotë shfarosje dhe fundi i çështjes palestineze”, u tha Abdelati gazetarëve, duke përsëritur akuzën se Izraeli po kryen gjenocid, një akuzë që Izraeli e mohon kategorikisht.
Egjipti ka mbyllur kufirin e tij me Gazën pasi Izraeli pushtoi pikën e kalimit Rafah, dhe që nga shpërthimi i luftës në rajon në tetor 2023, ka ndërtuar një mur kufitar betoni që shkon deri në gjashtë metra nën tokë dhe është i mbuluar me tela me gjemba.
Gjithashtu ka ndërtuar diga dhe ka rritur mbikëqyrjen në pikat kufitare, sipas burimeve të sigurisë./vizionplus.tv