E Shtunë, 31 Tetor 2026

Nevil rekomandon Shnajderin, Inler firmos me Napolin

SHKRUAN: Jeton Selimi 12-07-2011 11:40

Temperaturat rriten dhe bashkë me to edhe milionat që skuadrat po derdhin në këtë merkato verore. Pasi është mbyllur një nga tratativat më të gjata, ajo e Koentraos te Real Madridi (spanjollët e blenë portugezin e Benfikës për 30 milionë euro), po shkojnë drejt përfundimit firma e Agueros për Mançester Sitin dhe ajo e Rosit për Juventusin. Por çfarë po ndodh më konkretisht?

Ish-kapiteni i Mançester Junajtid, Geri Nevil, beson se mesfushori i Interit, Uesli Shnajder, është lojtari i duhur për “Djajtë e Kuq”. “Shnajder është dikush që padyshim mund të luajë te Junajtid me stilin e tij të lojës. Ai është një lojtar me inteligjencë të lartë futbollistike. Ai e di ku duhet të jetë, mund të pasojë, mund të shënojë dhe të mbulojë pozicionet në fushë që vështirë mbulohen. Ai është dikush që ka luajtur në nivelet më të larta te Real Madrid dhe Interi, prandaj ardhja te Mançester Junajtidi nuk do ta pengonte”, ka thënë Nevil për Goal.com. Menjëherë pas deklaratës së legjendës së Mançesterit, ka folur edhe holandezi, që ka lënë shumë të dyshohet në fjalët e tij, ndonëse ka deklaruar si parësore qëndrimin te zikaltërit. “Dua të qëndroj tek Interi. Unë dhe gruaja ime Jolante e duam Interin, tifozët italianë dhe Italinë. Megjithatë, nëse skuadra vendos të më shesë, do të shkoj atje ku do të më thonë. Sidoqoftë do të më vinte keq. Jemi gjendur kaq mirë në Milano, por futbolli është kështu,” ka deklaruar lojtari. Në Angli, përveç Shnajderit dhe Agueros, po përflitet edhe për një ofertë të mundeshme të Çelsit për Zhoa Mutinjon e Portos me të cilin do të zëvendësonin Modriçin, që mesa duket nuk do të largohet nga Totenhemi. Megjithatë Spursat kanë kartën rezervë nëse largohet Ndërkohë, në gadishullin Apenin është bërë fakt i kryer transferimi i Gokan Inlerit te Napoli. Lojtari zviceran është prezantuar dje me fanellën e kaltër. Divorc i sigurt mes Juventusit dhe Amaurit. Pasi është fërshëllyer dhe sharë në kor nga tifozët, italo-braziliani po mendon seriozisht largimin. Napoli duket se është skuadra më e favorizuar për të. Ish-mesfushori i Juventusit, që u kthye te skuadra që ka në zotërim kartonin e tij, Alberto Akuilani, është objektiv i Fiorentinës, shkruajnë mediat italiane. Sky Sport Italia shkruan se Fiorentina ka përgatitur një ofertë për Akuilanin, i cili ka joshur edhe interesimin e Sandërlendit. Skuadra viola e sheh atë si zëvendësim ideal për Rikardo Montolivon, i cili është duke kërkuar klub të ri pasi ka refuzuar vazhdimin e kontratës.

E mbani mend Robi Faulerin? Sulmuesi, që kulmin e tij e arriti me fanellën e Liverpulit, ka firmosur një kontratë njëvjeçare me skuadrën tajlandeze të Muang Thong Junajtidit. 36-vjeçari do të përfitojë 460 mijë euro për këtë lëvizje.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›