Shuhet përçuesi i letërsisë shqipe në Spanjë
Është shuar përçuesi i letërsisë shqipe në botën spanjolle, ai që ka përkthyer veprat më të rëndësishme të shkrimtarit Ismail Kadare, por edhe të shkrimtarëve të tjerë shqiptarë. U nda nga jeta në moshën 60-vjeçare, pas një sëmundjeje të rëndë, përkthyesi i njohur i letërsisë shqipe, Ramon Sanchez Lizarralde.
Lizarralde ishte jo vetëm përkthyesi më i njohur i letërsisë shqipe në gjuhën spanjolle, por dhe një njohës i jashtëzakonshëm i gjuhës dhe kulturës shqiptare. Ai ka përkthyer në spanjisht pothuajse të gjithë korpusin letrar të shkrimtarit Ismail Kadare, nga “Gjenerali i Ushtrisë së Vdekur”, “Kronikë në Gur”, “Koncerti”, “Darka e Gabuar” etj. Ai i dha gjithashtu lexuesit spanjoll dhe latino-amerikan një pjesë të përrallave shqiptare, një mision shumë i vështirë për çdo përkthyes. Ramon Sanchez ka përkthyer edhe autorë të tjerë, si Mitrush Kuteli, Fatos Kongoli, Bashkim Shehu, Xhevahir Spahiu, Mimoza Ahmeti, Agron Tufa etj. Për përkthimet e tij nga gjuha shqipe në gjuhën spanjolle, Lizarralde fitoi më 1993 Çmimin Kombëtar Spanjoll të Përkthimit për romanin “Koncerti” të Ismail Kadaresë. Në vitin 2005 ai u nderua nga Ministria e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve e Shqipërisë me çmimin “Pena e argjendtë” për kontributin e tij në promovimin e letërsisë dhe kulturës shqiptare në Spanjë dhe botë. Para disa kohësh, mbreti Huan Karlos i Spanjës e nderoi përkthyesin e njohur me titullin “Comendador” i Urdhrit për Merita Civile me motivacion: “Për kontributin e dhënë për njohjen dhe nxitjen e miqësisë midis popujve të Shqipërisë dhe Spanjës”. Ramon Sanchez është gjithashtu autor i shumë botimeve dhe studimeve që lidhen me fushën e përkthimit dhe të studimeve shqiptare, për të cilat ai fitoi një njohje të gjerë ndërkombëtare. Ramon Sanchez Lizarralde është diplomuar në Universitetin e Tiranës në gjuhë shqipe. Mes viteve 1985 dhe 1990 ai punoi si drejtor i “Ediciones Vosa”. Mbajti poste drejtuese në shoqata të ndryshme dhe ka qenë anëtar i Bordit drejtues të Lidhjes së Shkrimtarëve Spanjollë. President i “ACE Translator”. Që nga viti 1990 ai iu përkushtua tërësisht përkthimit. Përkthyesi i veprave të shkrimtarit shqiptar në spanjisht e vlerësonte Kadarenë si një shkrimtar klasik universal, dhe një ndër shkrimtarët më të mëdhenj të Europës. Ai vlerësonte imagjinatën e mrekullueshme të shkrimtarit. Dhe përsa i përket punës së tij si përkthyes i letërsisë shqipe, por veçanërisht i Kadaresë, ai është shprehur se “gjuha shqipe në penën e Kadaresë është dëshmuar e aftë për të përçuar të gjitha mrekullitë”. Ndërkohë vetë shkrimtari ynë Ismail Kadare e ka konsideruar gjithmonë veten me fat që në spanjisht ka një përkthyes si Ramon Sanchez Lizarralde. “Ramon Sanchez Lizarralde është një nga përkthyesit më të mirë. Ai është nderuar me një çmim të parë kombëtar për romanin tim “Koncert në fund të dimrit”, prandaj e konsideroj me fat faktin, që në spanjisht kam një përkthyes të tillë”- është shprehur kohë më parë Ismail Kadare për përkthyesin e tij Ramon Sanchez Lizarralde. A.Tuci