E Shtunë, 31 Tetor 2026

Nevoja e gabuar e një parade

ILIR HOXHOLLI

Edhe pse në shoqërinë shqiptare mund të kenë mbetur fanatikë të sistemit të shkuar, shumica absolute janë pro vlerave të demokracisë. Por, në të njëjtën kohë, shumica e shqiptarëve duhej ti ishte përgjigjur pyetjes: a do ti integrojë vlerat e veta në demokraci, apo vetëm do të importojë ide? Sepse të eksperimentosh me shoqërinë tonë të brishtë në emër të civilizimit të Amsterdamit, Romës, e kudo tjetër, pa përfillur traditat dhe vlerat e kësaj shoqërie, do të thotë të ndërtosh një shoqëri pa fytyrën e vet, ndërkohë që në familjen europiane gjithsecili mundohet të integrohet me vlerat e tij më të mira. Në kuadër të ndjekjes së asaj që quhet modern, edhe debati mbi paradën gay fitoi vëmendjen mediatike duke shfrytëzuar të gjithë brishtësinë e shoqërisë shqiptare dhe shoqërisë civile. Dhe, edhe nëse nuk zhvillohet, duket se organizatorët ia arritën qëllimit që të vijojnë të ankohen te donatorët e tyre për të marrë sërish mbështetje në emër të asaj që ata mund ta quajnë nevojë për emancipim. Dhe aleat në këtë aventurë, kanë faktin se askush nuk dëshiron të akuzohet si arkaik, i prapambetur, intolerant, sepse kjo gjë tani trajtohet si blasfemi ndaj demokracisë.
Thelbi i këtij shkrimi buron nga morali, i cili në origjinë ka burim hyjnor, prandaj nuk mund të mos ngacmojë heshtjen apo hapat e pamjaftueshëm të komuniteteve fetare për të shpjeguar në emër të moralit, familjes, rrezikun e kësaj aventure për të mos arritur në fenomen. Vërtet që homoseksualizmi është i lashtë sa vetë lashtësia, por ajo shërben për të nxjerrë mësime, dhe jo si një e drejtë e lindur. Të përmendësh lashtësinë e popullit të Lutit (Sodomit) duke ditur shkatërrimin e tmerrshëm të tyre, nuk mund të justifikohemi, pasi historia përsëritet sa herë që njerëzit përsërisin të njëjtat gabime. Prandaj heshtja e komuniteteve fetare është e papranueshme.
Në vetvete unë mund të gjej njëzet argumente që duhet të qëndroj i zhveshur përpara njerëzve, por asnjë prej tyre nuk mund të justifikojë lakuriqësinë time para komunitetit që më rrethon. Lexuesi e di mirë se kur një çift martohet, urimi për ta nuk është bëfsh qejf, por u trashëgofshi, pasi qejfi si parësor në vetvete ka trashëgimin njerëzor, vlerën më të lartë që e mban në këmbë një familje e më pas gjithë shoqërinë. Ti japësh përparësi kënaqësisë trupore pa mrekullinë e frytit, riprodhimit të jetës, ti ndash ato nga njëra-tjetra, është si të duash vdekjen para jetës.
U ndjeva pak i çoroditur duke lexuar avokat Totozanit në media, pasi në këtë rast nuk mund ta quaj Avokat të Popullit, se kush nxit dhunë do të ndiqet penalisht. Do të isha bashkë me ty avokat në rast se do të dëgjonim se dikush u dhunua për shkak të devijimit të tij seksual. Sepse këta njerëz, në këndvështrimin tim, kanë nevojë që shoqëria ti mbajë pranë për tiu dhënë dhe njëherë mundësinë e rikthimit të jetës normale. Në Tiranë homoseksualët, të paktë në numër, kanë ekzistuar edhe në kohën e diktaturës, dhe askush nuk i ka dhunuar, përkundrazi, shteti ka mundësuar integrimin e tyre në shoqëri me vende pune etj. Kjo duhet të ishte lufta juaj, i nderuar avokat Totozani, dhe jo mbrojtja e një parade, e cila përveç skenave, devijimeve seksuale, nuk mund tu tregojë shqiptarëve asgjë. A duhet që në emër të të drejtave eksploruese të njeriut, të nxjerrim në pah privatësinë e krevatit rrugëve të Tiranës?
I nderuar lexues, në fund e shoh të nevojshme të ndaj një pyetje me ju ndaj z. Altin Hazizaj, si kryetar i kësaj organizate, se si mund tua shpjegoj fëmijëve të mi këtë paradë kur më 17 maj të buçasin televizionet si lajmi më interesant i ditës? Të drejtohem ty, z. Altin, pasi në të njëjtën kohë shfaqesh edhe si përfaqësues në televizion i një organizate për mbrojtjen e të drejtave të fëmijëve. A i mbrojnë fëmijët tanë të tilla parada dhe a mund të jesh ti në të njëjtën kohë edhe ambasador i fëmijëve, edhe i homoseksualëve?
Sot shoqëria shqiptare është në testin e radhës për të reaguar dhe ndarë vlerat e përbashkëta me vendet europiane dhe pjesës së cilës shoqëria jonë ka ditur të reagojë duke u thënë jo proceseve të stisura, sepse pasi jo çdo gjë që vjen nga Perëndimi mund të adoptohet te ne. Një popull paqedashës, humanitar, me tradita të mrekullueshme, të vlerave të mikpritjes që habitën Europën dhe mbarë botën me luftën e Kosovës, nuk i duhet, qoftë edhe artificialisht, ti shesë Perëndimit imitacionin më të keq në historinë e Shqipërisë dhe shqiptarëve…
Besoj se edhe Europa nuk na e kërkon integrimin duke hyrë drejt tyre me të prapmet, por me kokat tona.

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›