E Shtunë, 31 Tetor 2026

Nevoja për administratë të re

Ka ca ditë që iniciativa e kryetarit të PS për identifikimin dhe klasifikimin e potencialeve të ardhshme për administratën civile, i ka dhënë mana për trahana opozitës, që për arsye ligjore është ende në qeverisje të vendit. E filloi kryeministri-kujdestar, e vazhduan kandidatët për kryetar të PD-së dhe po mbahet gjallë nga opinionistët e rreshtuar në të djathtë të politikës. Rrëmbyen mikrofonë e kallamarë të demaskojnë qeverisjen e ardhshme për gjëmën që do t’i bëjë administratës, a thua se nuk është kjo administratë, përgjegjëse që i kanë nxjerrë ujin e zi dhe e kanë katandisur këtë shtet në gjendje falimenti! A thua se nuk është kjo administratë, eksponentë të së cilës kanë injoruar ligjet e shtetit dhe trajtuar fondet publike si burim përfitimi, dhe nëse mbetej ndonjë gjë, edhe për investime publike!
Le të sqarojmë diçka. Një ndër arsyet që ky vend e dënoi në mënyrë përbuzëse qeverisjen e Sali Berishës është administrata. Kush ka provuar sportelet e çfarëdolloj shërbimi publik, ka parë të poshtërohet nga spurdhjakë apo gjysëmanalfabetë që qëndronin në karrigen e shtetit dhe të fundmin gjë që mendonin të bënin, ishte qënia në shërbimin e publikut. Primare ishte nxjerrja e ndonjë leku, e dyta, ta ngatërronin punën sa më shumë që hallexhiut t’ia masnin sa më mirë kokën me pe, pastaj si të krijonin tarafe, të pinin kafe, të iknin para orarit nga puna, e nëse ju mbetej kohë, të bënin ndonjë punë të shtetit. Kjo ndodhte në kryeqytet. Në provinca ishte diçka midis feudalizmit dhe banditizmit. Zyrat e hipotekës, ALUIZNI-t, shërbimit të ujësjellësit apo atij elektrik ishin vendet e poshtërimit.
Është e pritshme që administrata e krijuar nga PD të kishte mbrojtjen politike të këtij formacioni. Është i vetmi atribut, pra qenia si militantë që kanë këta xhahilë. Krijimi i universiteteve private dhe dhënia e diplomave në seri ishte një mënyrë për të përputhur vendin e punës me kualifikim e nevojshëm që kërkonte. Dhe në vend të rritjes së standarteve të rekrutimit, u ndoq si zgjidhje hapja e universiteteve të dyshimta që jepnin diploma. Sot jemi në një situatë, kur njerëz që nuk dinë të shkruajnë mirë shqipen apo shprehen me nëndialekte të saj, janë me diploma qesharake, por formalisht në përputhje me ligjin dhe mbushin administratën publike. Duke krijuar një situatë kafkiane të dyzimit dhe realiteteve paralele.
Nëse merret në analizë cilado ministri, konstaton se mbi 70% e personelit të saj ka si fillim pune periudhën pas vitit 2005, me lidhje nepotike, militante dhe kualifikim mjeran. Doganat kanë qenë një domen i PD dhe ish-shikasve, që do të duhet të hapin vendet për 98% të atyre që u pushuan pa të drejtë nga puna dhe kanë fituar rikthimin me vendim gjykate, por është politika që nuk i ka lejuar. Nuk mund të vazhdojë Ministria e Jashtme të popullohet nga militantë të PD-së, që kanë tetë vjet që zënë postet diplomatike, duke e kthyer këtë institucion në karikaturë të vetvetes. Tre të katërtat e të punësuarve në këtë dikaster janë në kundërshtim të hapur me ligjin. Largimi i tyre nga puna dhe hapja e konkurseve për punësimin e të rinjve është kushti bazë që ministria të fillojë e marrë detyrat e saj bazike. Janë mbi tre mijë veta, pothuajse po aq sa është administrata qendrore, që kanë fituar të drejtën e rikthimit në vendet e punës nga ku i pushoi PD, të cilët enden rrugëve me fletën e gjyqit në dorë dhe të drejtën që të marrin rrogat e prapambetura, por që pushteti i Berishës i la rrugëve. Edhe këta duhen kthyer në punëra dhe qeverisja e re do detyrohet t’iu paguajë rrogat, për shkak të qeverisjes të papërgjegjshme dhe rrugaçërore që iku. Ndaj nuk është punë spastrimi administrate, reforma që duhet bërë. Është detyra e forcës që vjen në pushtet të rianalizojë edhe një herë përputhshmërinë e vendit të punës me aftësinë, kualifikimin dhe rrugën si janë fituar këto vende pune. Është hapi i parë i rivendosjes së rendit të gjërave. Dhe kjo është një arsye më shumë pse Partisë Socialiste do t’i duhet të identifikojë kapacitetet që flenë dhe për t’i pasur të gatshme t’i pozicionojë në vendet e punës që do lirohen.
Qeveria e re që po vjen duhet të riprogramojë edhe një herë shtetin. Kush nga e djathta ngrihet në mbrojtje të kësaj gjëme që quhet administratë, ose nuk e di për çfarë flet, ose nuk e ka idenë se çfarë ka bërë dhe si e ka katandisur shtetin. Duke i dhënë të majtës edhe një arsye më shumë që të ribëjë shtetin dhe të mos e përfillë opozitën, e cila me sa duket nuk ka mësuar asgjë nga leksioni i 23 qershorit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›