E Shtunë, 31 Tetor 2026

‘Rreth Shqipërisë’ në Prespën e madhe

Është mëngjes i ngrohtë korriku kur makina lë pas Korcën për të udhëtuar në drejtim të Prespës. Rruga për aty gjarpëron mbi kodrina të buta, derisa përpara na shfaqet një panoramë e rrallë, mes të cilave shikimi prek edhe ishullin e Maligradit që të fton të vizitosh një ndër bukuritë turistike më tërheqëse në Ballkan. Natyrisht surprizat më të bukura, natyra i ka rezervuar në brendësi të fshatit. Banorët në Prespë, duket se tashmë e kanë kuptuar se perspektiva kryesore e zonës është zhvillimi i turizmit,dhe kanë investuar në krijimin e bizneseve të ndryshme të vendosura përgjatë bregut liqenor ,madje ata së fundmi kanë hapur dyert e shtëpive të tyre edhe presin turistë. Dita këtu nis thjeshtë,një udhëtim me varkë në drejtim të ishullit të Maligradit.

Shkëmbinj të prerë si me thikë zbresin deri në ujë dhe alternohen aty me guralecë të vegjël .duke afruar një pamje edhe më përrallore. Mësuesi Aleksandër Jano, shpesh bën edhe varkëtarin në zonë për transportimin e turistëve në ishull për të vizituar kishat e lashta që datojnë në shek e 14-të. Teksa na rrëfen për transportimin e turistëve vendas dhe të huaj ,Aleksandri thotë se Prespa është një nga surprizat e turizmit shqiptar por që fatkeqësisht ende nuk ka krijuar një identitet të sajin në turizëm për shkak të mungesës së promovimit.

"Është një vend shumë i bukur,vijnë turistë vendas dhe të huaj. Unë shpesh i transportoj ata në drejtim të ishullit të Maligradit dhe u tregoj për kishat e lashta apo vende të tjera që mund të vizitojnë këtu Por jo të gjithë e njohin dhe kanë dëgjuar për këtë vend për shkak të mungesës së promovimit ,madje impresionohen pasi vizitojnë këtë vend që ka vërtet shumë për të afruar”, thotë Aleksandër Jano.

Prespa afron atraksione të rralla kulturore për turistët. Krahas një tabloje perfektë të natyrës, në Prespë gjenden së paku edhe 11 objekte të kultit ortodoks të cilat janë një joshje më vetë. Këta janë disa turistë maqedonas, të cilët kanë ardhur enkas në Prespë për të shijuar një realitet tjetër, që sic thonë ata është shumë magjepsës.

"Unë vij nga Maqedonia. Kam ardhur këtu me shoqërinë për një vizitë 1 ditore dhe gjithçka më duket e magjishme. Kemi organizuar ditën në mënyrë perfekte, e cila ka filluar me një vozitje me barkë në liqen dhe më pas me vizitën në ishullin e Maligradit ku kam parë nga afër kishën e "Shën Mërisë" dhe kisha të tjera. Po ndihem mirë vërtet dhe do të kthehem sërish, “tha një prej turistëve”.

"Jam ndier i mrekulluar këtu nga një alternim i liqenit me pyllin. Kjo ishte vërtet një surprizë për mua dhe po më pëlqen jashtëzakonisht shumë. Tani do të shijoj edhe gatimin e peshkut Krap”, tha një tjetër turist.

Mandej, dreka na çon në Zaroshkë....Teksa ndalemi në një prej restoranteve të zonës përpiqemi të mësojmë më shumë rreth gatimit të plotë e tradicional të Krapit, por recetën nuk e tregon askush,duke e lënë pas një 'mister' për cdo turist. “Megjithatë shija e veçantë e tavës së peshkut të bën që aty të kthehesh sërish."Peshku Krap” është 'mbreti i zonës' dhe e preferojnë qoftë të pjekur apo edhe në tavë. Është më i preferuari nga të gjithë turistët'.

Megjithatë shija e veçantë e tavës së peshkut të bën që aty të kthehesh sërish. Veçantitë e natyrës ofrojnë këtu edhe të tjera mundësi për turistët. Të apasionuarit pas peshkimit, buzë-muzgut dalin për gjueti në Liqen. Ndërsa shpesh nuk mungojnë edhe garat e sporteve ujore. Për vizionin e komunës Prespa ka një rëndësi të vecantë dhe sipas kreut të komunës, së fundmi numri i atyre që përzgjedhin Prespën për të pushuar ka ardhur në rritje.

“Prespa po kthehet në një destinacion të preferuar për mijëra turiste, megjithëse më i zhvilluar këtu është turizmi ditor. Aktualisht këtu ka dhe bujtina, ku banorët presin turistë. Turizmi është në vëmendjen tonë dhe kemi për qëllim këtë vit, dyfishimin e turistëve'”, thotë kreu i komunës Edmond Themelko.

Sakaq, mbrëmja në Prespë është diçka tjetër. Banorët e fshatit, por edhe turistët kanë lënë pas intensitetin e ditës,për t'ju rikthyer sërish.
(e.m/BalkanWeb)
Lidhje te tjera VIDEO: ‘Rreth Shqipërisë’ në Prespën e madhe

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›