Integruesi Meta si përcaktues i politikës
Poli Hoxha
Pas katër muajve, partia që udhëhiqet nga Ilir Meta mbush plot 8 vjeç. Është në kuptimin e vërtetë të fjalës një forcë politike që ka kaluar të gjitha kalvaret dhe parajsat e mundshme politike. Ende nuk ka emër të përveçëm për njeriun që e pagëzoi Lëvizje për Integrim, por dihet që Metës jo vetëm i ka pëlqyer por edhe e ka pasur shqyt të lëvizjeve të tija pragmatiste, apo jo. Tani, në një kapërcyell shumë të rëndësishëm të jetës politike në Shqipëri, LSI, mbetet kyçi i lojës. Presidenti i ri dhe çfarë sjell ai më pas varet nga kjo parti e vogël, por me një vitalitet që ia kanë zili edhe dy gjigantët PS dhe PD. Shumë thonë për 4 votat që kontrollohen prej kësaj partie se do të anojnë peshoren të paktën për një qeveri teknike, që do të përgatisë zgjedhjet e reja. Të tjerë bëjnë analiza e përsiatje për pazare të cilat LSI-së në logjikën normale nuk i interesojnë. Gjithsesi, të ulemi në një taban konkret. Berisha bëri një lëvizje spektakolare me emrin e Zaganjorit për president. Rama, i cili në fakt e ka topin në fushë të tij, takon kandidatin e mazhorancës por nuk i jep votat sepse ka me të drejtë, hallin e Reformës Zgjedhore. Shkurt nuk ka besim te Berisha. Sot më në fund ata do takohen dhe biseda në fakt nuk bëhet për presidentin e ri por për zgjedhjet e ardhshme, pra për riformatimin e KQZ-së. Spartak Braho mbrëmë te Tv Koha, konfirmoi rolin e Ilir Metës në organizimin e këtij takimi, ndërsa shtoi se dy figurat kryesore të politikës shqiptare ulen në një takim të imponuar nga ndërkombëtarët. Braho që ka të gjitha gjasat të jetë një zë i rëndësishëm-konfidecial i Metës, gjithashtu theksoi se takimi mes Ramës dhe Berishës do të jetë përcaktues në ecurinë e mëtejshme të procesit të zgjedhjes së presidentit. Pra Meta integruesi zbuti Berishë inatçorin që nuk donte ta takonte Ramën sepse nuk i falte 21 janarin. Por është rishfaqur Nano, kërcënues madje, duke deklaruar se do të krijojë një lëvizje brenda së majtës nëse nuk mbështetet nga Partia Socialiste për ambicien e tij presidenciale. Berisha i thotë, që duhet ta propozojë partia që Nano ka themeluar, kurse Rama ende është në dilemë: Zaganjori apo Nano?! Integruesi Meta mund ta zgjidhë edhe këtë çështje apo atë tjetrën që pret një shumicë: Një qeveri teknike që kthjellon situatën e kokolepsur, pikërisht përpara vjeshtës 2012, kur pritet statusi si kandidat për të qenë në familjen aristokratike të Bashkimit Evropian.