Nevoja për model të ri kandidatësh
Pa dyshim që rezultati i zgjedhjeve lokale meriton disa lexime të shpejta nga partitë, pavarësisht pozicionimit të pritshëm politik, ku njëra do të ngrejë flamurin si fituese bashkish, e tjetra si fituese e votës popullore. Të lidhura me nevojën për të parashikuar të ardhmen e zgjedhjeve politike, për të cilat opozita pritet të shtojë zërat pas votimit të fundit, partitë duhet më së pari të lexojnë mbështetjen apo ndëshkimin, për shkak se, edhe pse u votua pastërtisht politikisht, sërish qytetarët kanë veçuar rastet kur kanë ndëshkuar kandidatin e zgjedhur gabim, apo nën megalomaninë e vetëvendosjes, nga njëri apo tjetri person me pushtet në kryesitë e partive. Duket se në gjyqin e rezultatit duhet të kalojnë të parët disa drejtues lokalë të maxhorancës, të cilët në jo pak raste kanë përcjellë te shefat në Tiranë një shifër të pritshme krejt ndryshe nga ajo që ka ndodhur, çka nënkupton më së paku mosnjohje të situatës reale në zonat ku ata drejtojnë. Madje, në jo pak raste, janë ndëshkuar ata persona që janë vënë nën veton e njërit apo tjetrit drejtues lokal, pa marrë mendimin e gjerë të forumeve. Është pikërisht ky model që mund të rrezikojë edhe rezultatet për secilën parti në zgjedhjet e ardhshme.
Ndërkohë, një lexim më të detajuar kërkon Tirana. Ndarja me një diferencë, ku janë zhdukur rreth 20 mijë mbështetës më shumë për Ramën, tregon se qytetarët e Tiranës janë zemëruar hapur me mungesën e tij në administrimin e jetës së qytetit. Këtë duket se e ka lexuar edhe vetë ai, i cili u fsheh pas betejës politike gjatë gjithë fushatës, duke mos dhënë asnjë llogari për punën si kryebashkiak dhe duke përgatitur një qëndrim paszgjedhor vetëm si kryetar i PS-së, dhe jo si kryebashkiak. Por, jo pak meritë e kësaj rënieje të mbështetjes ndaj Ramës kishte qetësia e kandidatit të përzgjedhur nga PD, i cili u mundua të drejtonte një fushatë të pastër prej kandidati për drejtues administrativ pikërisht ajo që na ka munguar në shumicën e zgjedhjeve të deritanishme.
Por, ky lexim vote, shtron më së pari nevojën për një rimodelim të zgjedhjes së kandidatëve, qofshin për deputetë apo për zgjedhje lokale. E, meqenëse politika jonë ka për zemër të përmendë qëndrimet amerikane mbi të ardhmen e demokracisë shqiptare, edhe modeli më i favorshëm ndoshta do të ishte modeli amerikan i zgjedhjeve, i cili u jep përparësi, së pari, zgjedhjeve të kandidaturave brenda partisë. Një model i tillë, së pari do ti hiqte të drejtën një pjese të partisë që të ishte e zemëruar më të zgjedhurin, pasi ai do të ishte modeli i zgjedhur nga shumica e anëtarësisë. Por, më shumë sesa emrat, ky model do të ishte një hap i zgjerimit të demokracisë brenda partive, të cilat deri tani duken të mbyllura ndaj prurjeve të reja, e sidomos ndaj diskutimeve të hapura rreth mbështetjes konkrete që gëzojnë të dyja palët në publik. Dhe, nëse partitë do të vendosin hapjen e dyerve për mendimmarrje dhe konkurrim, pa dyshim që do të hapej edhe rruga për një ngritje të nivelit të figurave, që jo pak herë në të shkuarën kanë qenë nën nivelin që përfaqësojnë votuesit.
Ndërkohë, kambanat bien jo pak për opozitën, e cila edhe pas 6 vitesh në opozitë, nuk ka mundur të ketë një fitore të votës popullore, edhe pse iu drejtua qytetarëve si të ishin zgjedhje të përgjithshme politike, e jo administrative, çka mund të jetë domethënëse për një humbje tjetër në zgjedhjet e ardhshme politike, aq më shumë kur maxhoranca mund të nisë një tur rikuperimesh.
Pra, vërtet 8 maji po mbyllet, por leximi i tij shtron nevojën e një leximi urgjent. Suksesi apo dështimi i zgjedhjeve të ardhshme do të ketë lidhje direkt me fuqinë apo pafuqinë për pranimin e leximit real të votës, e cila në zgjedhjet e ardhshme mund të jetë edhe më shumë qytetare sesa politike.
Ndaj, ndryshimi duhet të nisë nga rimodelimi i kandidatëve, të cilët duhet të jenë pjesë logjike e mbështetjes jo vetëm nga anëtarësitë, por më së shumti nga qytetarët, të cilët vërtet janë mbretër për një ditë, por vendosin për katër vite të mëpasshme. Duke përzgjedhur me një konkurrim më të hapur kandidatët, i japim mundësinë e një përmirësimi të administratorëve në qeverisje qendrore apo lokale, pasi do të kemi mundësi ti njohim pak më mirë përpara se ti votojmë.
