Nga plebishiti tek racizmi politik, historia e një anomalie zgjedhore
Ka mjaftuar veç dy ditë ankth e pritshmëri për një verdikt zgjedhor që politika e majtë të mbërrijë tek limanet e vet më të poshtra, racizmi dhe leninizmi. Në fillim Mimi Kodheli e më pas vetë Edi Rama kanë shpallur se fitorja e socialistëve në Tiranë ishte e qartë e se s’kishte burrë nëne që t’ua ndryshonte...ose, nëse do të ndryshonte, prapa këtij verdikti kishte veç manipulim e prej aty buronte veç revolucioni leninist i marrjes së pushtetit me dhunë. Zgjedhjet e 8 majit u përdhosën që në fillim me kërkesën imorale të shndërrimit të tyre në zgjedhje politike, duke rrënuar apriori gjithë sfidën e përzgjedhjes së kandidatëve. Shqiptarët u privuan nga e drejta për të votuar qeveritarët e tyre vendorë dhe në vend të kësaj oferte, Partia Socialiste ofroi veç ofertën e muzhikëve të partisë, partiakëve që punonin si përfaqësues të revolucionit të Edvinit në provincë. Kjo skemë ishte ngritur për legjitimimin e domosdoshmërisë së mbajtjes së zgjedhjeve të reja të përgjithshme, pasi ato të 28 qershorit ishin të prishura e që nuk vërtetonin ekuilibrat politikë në parlament. Megjithatë, rezultatet e mbi 90 përqind të kutive të votimit në të gjithë vendin japin përgjigje që e nxjerrin bllof anomalinë zgjedhore të ofruar prej Edi Ramës. Plebishiti që do sanksiononte domosdoshmërinë e zgjedhjeve të parakohshme nuk ka ndodhur… përkundrazi, analiza e rezultateve (vota politike për siglat dhe këshillat bashkiakë), nëse ato do të konvertoheshin në mënyrë hipotetike në mandate deputetësh, konfirmojnë një mazhorancë të koalicionit qeverisës PD-LSI, bile në një format edhe më të thellë (sipas projeksioneve të mirëbesuara).
Dështimi i këtij plebishiti është një ndëshkim elektoral jo veç për linjën anti-integrim të ndjekur nga PS, por së pari për një sjellje politike leniniste dhe për konsumimin e një 21 janari, që ishte një akt i paprecedent bolshevizme në historinë e pluralizmit.
Për të fshehur këtë lexim politik e ndëshkim elektoral në të njëjtën kohë, që mbrëmë, PS-ja ka kthyer paradigmën e saj të racizmit politik. Një sërë politikanësh të nivelit të dytë por edhe ish-kryeministri Pandeli Majko, papritur heshtën për kërkesën e tyre për votëbesim kombëtar dhe u përqendruan tek arsyetimi se mbështetja e PS-së ishte një mbështetje e karakterit urban, një mbështetje politike në zonat qytetare, prej së cilës, siç u tha, edhe do të prodhohet fitorja e nesërme politike. “Njëlloj si me PS-në në vitet ‘90”, guxoi të krahasonte Majko. Rikthimi i racizmit politik, i mosbarazisë së votave mes banorëve të qendrave urbane e atyre të komunave është një tezë e vjetër që kthehet sa herë leximi i votës popullore kthehet në një faktor të paleverdisshëm. Megjithatë, s’do as mend e as kalem për ta kuptuar se konvertimi në mandate deputetësh i votës popullore, bëhet nga shumatorja e të dyja votave, si atyre në zonat urbane, ashtu edhe atyre nëpër komuna, e qysh dje është marrë vesh se koalicioni “Aleanca për Qytetarin” ka fituar thellë këtë sfidë popullore me 8 maj. Këtë lexim PS-ja po përpiqet ta harrojë shpejt e ndoshta faktori i parë pozitiv që do të rrjedhë prej saj do të jetë harrimi për njëfarë kohe i kërkesës për zgjedhje të parakohshme. Gjithsesi, me pak vullnet të mirë, s’do ishte e vështirë që përtej këtij pozicioni letargjik, të mbërrihej tek marrëveshja për miratimin e ligjeve me shumicë të cilësuar dhe marrja e statusit të kandidatit për anëtarësim në BE. Kjo do të ishte një epokë armëpushimi që Edi Ramën do ta ndihmonte të shpëtonte prej racizmit politik e të rillogariste sfidën e votës popullore, para se të vijmë tek përballja elektorale e 2013-s.