E Shtunë, 31 Tetor 2026

Letra/Mentaliteti i bllokimit tek PS-ja

12-05-2011 / Nga Mirjan Zela

Numërimi i votave ka arritur në fazat më të rëndësishme. Ato që shihet me sy të lire nga të gjithë qytetarët janë qasjet diametralisht të kundërta të komisionerëve të partive politike në administrimin e procesit paszgjedhor. Edhe kësaj radhe komisionerët e partisë demokratike ju përmbajtën frymës pozitiviste, bashkëpunues e, një frymë që u kultivua qysh në fillimin e fushatës elektorale dhe u konkretizua në mënyrën europiane të të bërit fushatë. Ka një angazhim të madh nga ana e komisionerëve të partisë demokratike për të vlerësuar çdo hallkë të procesit  mbi të gjitha për të numëruar çdo votë të qytetarëve të Tiranës. Komisionerët e partisë demokratike nuk ranë pre e provokimeve të partisë socialiste për të sabotuar këtë proces tepër jetik për të ardhmen e shqiptarëve  përkundrazi sjellja e tyre duhet të çmohet për shkallën e lartë te përgjegjshmërisë, maturisë, respektit  ndaj ligjit si dhe institucioneve demokratike të këtij vendi që u ka shërbyer të gjithëve qytetarëve të këtij vendi pa dallim bindje partiake. Duhet përmendur që disa situata të pakëndshme inskenohen nga komisionerët e Partisë Socialiste dhe pastaj me shumë paturpësi kërkojnë ta hedhin fajin tek pala kundërshtare, a thua se aktorët dhe faktorët e tjerë të brendshëm apo të jashtëm nuk e kuptojnë këtë sjellje perverse. Me të njëjtin cinizëm, papërgjegjshmëri politike bllokohen shumë njësi të numërimit të votave në zonat që konsiderohen bastion të Partisë Demokratike. Qëllimi i gjithë kësaj është tensionimi i situatës, shkatërimi i procesit zgjedhor, pasi këtë shohin si të vetmen rrugë të realizimit të ambicieve të tyre të mbrapshta. Kjo përbën një dëshirë, mani për të shpërqendruar vëmendjen e opinionit publik duke krijuar ngërçe procedurale, të cilat e zvarrisin procesin për një kohë të gjatë. Ky shpërqendrimi apo defokusim lind premisa të mëdha që njerëz të papërgjegjshëm të influencojnë mbi rezultatin e votimeve duke shkelur me të dyja këmbët vullnetin demokratik të qytetarëve. Tentimi i tre deputetëve të Partisë Socialiste Sterkaj, Toçi si dhe Tahiri për të influencuar në procesin e numërimit  është precedenti më i qartë ku të zgjedhurit e vendit luajnë me të drejtën më themelore që Kushtetuta u njeh qytetarëve të saj, të drejtën e votës. Një e drejtë që është fituar me shumë mund, gjak dhe sakrifica dhe askush nuk ka të drejtë të devijojë verdiktin e qytetarëve sepse është i shenjtë. Të gjithë këta personazhe qesharakë të politikës shqiptare insistuan në krijimin e një gjendje të amullt duke fyer forcat e policisë, të cilat kanë treguar një seriozitet të pashembullt. Pikërisht këta persona kanë krijuar idenë e paprekshmërisë nga veprimi i drejtë i ligjit, duke shkelur me dy këmbë atë dhe Kushtetutën e vendit, pa i dhënë hesap askujt. Askush nuk është mbi ligjin, cilido qoftë  statusi i tij shoqëror apo ideologjik. Me këto veprime të pahijshme që bëjnë po përpiqen që të krijojnë panik sepse vetëm paniku mbizotëron në subkoshiencën e tyre. Më tepër se kurrë duhet angazhim serioz nga të gjithë për të përmbyllur sa me sukses këtë proces tepër domethënës për të ardhmen tonë. Jam plotësisht i sigurt se në këtë fazë mania për të shkatërruar procesin që demonstron ekipi i Ramës nuk do të tolerohet nga faktorët e brendshëm apo të jashtëm, të cilët e monitorojnë me shumë kujdes këtë proces. Rruga e bojkotit, të cilën e ndjek me shumë ëndje Partia Socialiste dhe që tani po e implementon në qendrat e numërimit, nuk do të arrijë të triumfojë më. Askush nuk do të arrijë të përbaltë procesin zgjedhor dhe paszgjedhor. Këta njerëz harrojnë se mbarëvajtja e procesit zgjedhor është një detyrim ligjor, mbi të gjitha qytetar dhe sado që do ta zvarrisin procesin për një gjë duhet të jenë të sigurtë, do të numërohet me vendosmëri çdo votë qytetari.

...

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›