E Diel, 1 Nëntor 2026

New York Times: Makinat e prodhuara në Brazil nuk janë të sigurta

brazil-crash-test-660New York Times: Makinat e prodhuara në Brazil nuk janë të sigurta
Makinat e prodhuara në Brazil janë më pak të sigurta se sa ato të ndërtuara në Bashkimin Evropian dhe në Shtetet e Bashkuara. Këtë fakt e mbron një investigim i publikuar nga New York Times dhe ku shtypi brazilian po i bën jehonë të madhe. Hetimi zbuloi se veturat “Made in Brazil” ndërtohen me materiale të cilësisë shumë më të ulët se ato të prodhuara në SHBA dhe BE. “Rezultati vihet re kur këto makina vihen në rrugë duke i kthyer ato në një tragjedi kombëtare”, shkruan NYT, duke shtuar se shkalla e lartë e vdekjeve rrugore në Brazil – katër herë më të larta sesa SHBA vjen për shkak të brishtësisë së makinave. Katër nga pesë modelet më të shitur në Brazil – të prodhuara nga General Motors, Volkswagen dhe Fiat – nuk kalojnë testimet e përplasjes (Crash Tests) të kryera nga LNCA, version amerikano-latin i evropianes NCAP, e cila u siguron konsumatorëve një vlerësim të pavarur të performancës së sigurisë së automjeteve. Hetimi analizon modelet Uno Novo, modeli i Fiatit në Brazil, duke pretenduar se ka një strukturë të paqëndrueshme dhe që vlerësohet vetëm me një yll nga NCAP, në një shkallë prej pesë yjesh. Fiat-i i është përgjigjur me një e-mail pyetjeve të gazetës amerikane duke pretenduar se “në përgjithësi, projektet brazilianë janë përforcuar për shkak të gjendjes së keqe të rrugëve.” Një rezultat i ngjashëm u arrit edhe nga modele të tjera që janë të zakonshme në Brazil si: Ford KA (një yll), Renault Sandero (një yll), Volkswagen Gol (tre-yje modeli me airbag, një yll ai pa airbag), Selta e GM (një yll). Prodhuesit mbrojnë veten e tyre duke pretenduar se modelet e ndërtuara në Brazil janë në përputhje me standardet e sigurisë në fuqi në gjigantin amerikano-jugor. Norma e fitimit – shkruan NYT – për prodhuesit e makinave në USA është 3 përqind, në Europë një mesatare prej 5 përqind ndërsa Brazili është 10 përqind, dhe ndryshimi është pikërisht cilësia e materialeve. Gjatë dekadës së kaluar, numri i vdekjeve rrugore në Brazil është rritur me 72 për qind.

Gjashtë vjet heqje lirie për Berluskonin
Një tjetër kapitull në luftën e tij disavjeçare me drejtësinë italiane: ish-kryeministri dhe multimiliarderi Silvio Berlusconi dështoi me ankimimet ndaj trupit gjykues dhe tani i duhet të dëgjojë pikat e akuzës të prokurorisë së Milanos. Për kryeprokuroren Ilda Bocassini, faji i Berlusconit është i qartë. Nën akuzën e marrëdhënieve seksuale me një prostitutë të mitur ajo kërkon gjashtë vjet heqje lirie kundër ish-kryeministrit konservator. Veç kësaj 76-vjeçarit i ndalohet për gjithë jetë të mbajë poste publike. Në pleduajenë e saj, Boccassini ngriti akuza të rënda. Në vilën e Berlusconit Arcore, është ushtruar “prostitucion sistematik”, tha ajo. Në qendër të procesit është marokenia asokohe 17-vjeçare Karima El Marhoug, e quajtur “Ruby” Rubacuori, me të cilën Berlusconi akuzohet se ka pasur marrëdhënie kundrejt pagesës. Të dy e hedhin poshtë këtë. Moguli i medieve e ka ditur shumë mirë se “Ruby” në atë kohë ka qenë e mitur, thotë padia. Për mbrëmjet në Arcore gruaja e re është paguar direkt prej tij. Më shumë se katër milionë e gjysmë euro i ka paguar Berlusconi “Ruby-t”, deklaroi Bocassini. Kjo rezulton nga telefonatat e kontrolluara, shënimet e sekuestruara dhe të dhënat bankare të siguruara. Prokuroria e akuzon veç kësaj ish-kryeministrin për abuzim me postit, pasi në pranverë 2010 ka provuar të çlirojë nga problemet me drejtësinë “Ruby-n” me një telefonatë në Milano.

Associated Press: Qeveria amerikane po na përgjon
Agjencia e lajmeve Associated Press deklaroi dje se qeveria amerikane ka sekuestruar të dhënat telefonike të dy muajve për shumë nga gazetarët dhe redaktorët e saj. Shefi ekzekutiv i organizatës, Gary Pruitt, e quajti këtë veprim “një ndërhyrje masive dhe të paparë” në operacionet faktmbledhës të AP-së. Z. Pruitt tha të hënën se Associated Press mësoi nga Departamenti i Drejtësisë të premten se agjencia qeveritare mblodhi të dhëna për më shumë se 20 linja të veçanta telefonike të zyrave të AP-së dhe gazetarëve të saj. Ai tha se të dhënat mbulojnë një periudhë dy-mujore në fillim të vitit 2012 dhe përfshijnë zyrat e Associated Press në Nju Jork, Uashington dhe Hartford të shtetit Connecticut. Një raport i Associated Press mbi këtë çështje thotë se qeveria nuk ka dhënë asnjë shpjegim pse të dhënat telefonike janë konfiskuar. Megjithatë, raporti vëren se zyrtarët amerikanë kanë thënë më parë se Departamenti i Drejtësisë po kryen një hetim mbi një artikull të AP-së në maj, 2012, në lidhje me një operacion të CIA-s në Jemen për të zbuluar një komplot të al-Kaidës. Zyra e Prokurorit të SHBA-së në Uashington tha në një deklaratë të hënën se prokuroria është “gjithmonë e kujdesshme”, kur ka të bëjë me çështjet e shtypit, por nuk përmendi në mënyrë specifike çështjen e Associated Press.

Moska arreston një agjent të CIA-s
Shërbimi Federal i Sigurimit të Rusisë deklaroi dje se arrestoi një qytetar amerikan duke e akuzuar se po përpiqej të rekrutonte një oficer rus të inteligjencës për të punuar për CIA-n. Shërbimi rus e identifikoi atë si Ryan Fogle, dhe tha se kishte pajisje teknike, maskime, sasi të mëdha parash dhe instruksione për rusin që po përpiqej ta rekrutonte. Shërbimi Federal rus i Sigurimit tha se personi ishte punësuar si sekretari i tretë në departamentin politik të ambasadës amerikane në Moskë por punonte gjithashtu për CIA-n. Ambasada amerikane nuk pranoi të komentonte. Agjencitë ruse të lajmeve njoftuan se Fogle u kap në flagrance. Televizioni shtetëror tregoi foto të tij në zyrat e Shërbimit Federal të Sigurimit. Ministria e jashtme ruse thirri ambasadorin amerikan Michael McFaul për shpjegime pas arrestimit të agjentit të dyshuar.

Ndodh shpërthimi diellor më i madh i 2013-ës
Shpërthimi diellor më i madh i vitit 2013, deri tani, ndodhi të hënën, me fenomenin e ashtuquajtur “flaka diellore”, një lëshim i papritur radiacioni. Fenomeni u shoqërua, sipas shkencëtarëve, edhe me lëvizje të mëdha të masës diellore. Kur ndodhin shpërthime të tilla, ato arrijnë tokën dhe mund të ndërhyjnë në sistemet elektronike, satelitore apo tokësore. NASA sqaroi se shpërthimi i së hënës nuk ishte drejtuar nga Toka, por mund të ndikojë në disa anije kozmike amerikane që ndodhen në hapësirë. Fenomeni u klasifikua nga ekspertët si flakë e klasit X, tipi më intensiv i shpërthimeve diellore dhe ia kaloi mjaft një shpërthimi të ngjashëm që kishte ndodhur 14 orë më herët. Në momentin aktual, pritet rritje e shpërthimeve diellore për shkak se po afron përfundimi i ciklit normal 11-vjeçar të aktivitetit të Diellit, dhe periudha njihet të jetë me aktivitet maksimal.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›