Newt Gingrich kryeson garën e republikanëve për president

Për momentin, epërsi në garë duket se kanë ish-kryetari i Dhomës së Përfaqësuesve, Newt Gingrich dhe ish-guvernatori i shtetit Massachusetts, Mitt Romney.
Vetëm pak muaj më parë, Newt Gingrich ishte në fund të anketave në listën e kandidatëve republikanë. Tani ai ndodhet në krye, si në shkallë kombëtare, ashtu edhe në tri shtete të rëndësishme – Iowa, Karolina e Jugut dhe Florida.
“Kur kisha rezultate më të dobëta në anketa, vazhdoja të isha optimist. Tani që jam në krye, vazhdoj të jem optimist”, theksoi Gingrich.
Por një gjë e tillë mund të bëhet më e vështirë, me ashpërsimin e kritikave nga rivali kryesor i Gingrichit, ish-guvernatori i shtetit Massachusetts, Mitt Romney.
Romney thotë se rivali i tij, Gingrich është larguar nga parimet konservatore në të kaluarën.
Një tjetër konkurrent, guvernatori i shtetit Teksas, Rick Perry, në një intervistë kohët e fundit për programin ABC News, përmendi faktin që Gingrich është martuar tri herë.