Obama dhe Medvedev biseduan për zgjedhjet në Rusi

Shtëpia e Bardhë tha në një deklaratë të saj se presidenti Obama vuri në dukje njoftimet për mënyrën e parregullt të zhvillimit të zgjedhjeve, por mirëpriti angazhimin e Medvedevit për hetimin e akuzave.
Obama vlerësoi gjithashtu përgjigjen e autoriteteve ruse për të lejuar mbajtjen e demonstratave kundër zgjedhjeve.
Policia ruse njoftoi se rreth 20 mijë njerëz dolën nëpër rrugët e Moskës të shtunën e kaluar dhe mijëra të tjerë protestuan në qytete të tjera të Rusisë kundër manipulimit të zgjedhjeve parlamentare të fituara, nga partia Rusia e Bashkuar e kryeministrit Vladimir Putin. Putin do të kandidojë për zgjedhjet presidencialë në muajin mars.
Obama tha se protestat janë shprehje e shoqërisë civile që përputhet me qëllimin e Medvedevit për modernizimin e Rusisë.
Në ndërkohë, protestuesit që janë mbledhur në një shesh në qendër të Moskës po kërkojnë përsëritje të zgjedhjeve të fundit parlamentare.
Qindra njerëz raportohet se iu kanë bashkuar protestës të organizuar nga partia liberale, Jablloko.
Protesta vjen një javë pasi mijëra njerëz dolën në protesta masive në Moskë dhe qytete të tjera, për të shprehur pakënaqësitë e tyre me rezultatet e zgjedhjeve të 4 dhjetorit në Rusi.