Kauza e Presidentes

Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, ka vazhduar edhe të premten vizitën në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Jahjaga është shfaqur përkrah Sekretares amerikane të Shtetit në punimet e konferencës në kuadër të lansimit të projektit “Gratë në Shërbim Publik”, që është organizuar nga Departamenti amerikan i Shtetit dhe shtatë universitete amerikane.
Sipas një njoftimi të Presidencës së Kosovës, Sekretarja amerikane e Shtetit, Hillary Clinton, ka mbështetur iniciativën e Jahjagës për themelimin e këshillit që do të koordinojë politikat për luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar në Kosovë.
Në këtë konferencë, Jahjaga ka folur për rolin e grave.
“Gratë shikojnë përpara, drejt të ardhmes. Si të tilla, ato luajnë një rol qenësor në pajtimin mes njerëzve dhe në shtetndërtim,” ka thënë Jahjaga.
Po ashtu, sipas njoftimit, Jahjaga ka përmendur përfaqësimin në rritje të femrës në institucionet e Kosovës dhe në sferën publike dhe, sipas saj, rolin pozitiv që gratë kanë luajtur dhe luajnë në procesin e shtetndërtimit në Kosovë.
“Ajo ka veçuar grupin parlamentar të grave dhe ministret në Qeverinë e Kosovës si shembuj të kontributit të dobishëm që femra ka dhënë në shoqërinë e Kosovës”, thuhet në njoftim.
Në këtë konferencë ka marrë pjesë edhe Ministrja Vlora Çitaku, derisa Presidenca ka njoftuar edhe për praninë e Ambasadores amerikane për çështje të grave, Melanne Verveer, Drejtoreshën e Fondit Monetar Ndërkombëtar, Christine Lagarde dhe udhëheqëse të tjera të larta që janë në krye të vendeve dhe që kryesojnë organizata të ndryshme ndërkombëtare.
Presidenca ka njoftuar se Jahjaga gjatë ditës së enjte ka pasur në agjendë takime në Departamentin amerikan të Mbrojtjes dhe një takim me drejtorin e FBI.
E gjatë ditës së enjte është njoftuar se Jahjaga ka takuar kryeprokurorin e SHBA-së, Eric Holder Jr, i cili sipas Presidencës, ka theksuar se SHBA dhe Kosova duhet t’i thellojnë marrëdhëniet, veçmas në fushën e drejtësisë dhe gjyqësisë.
“SHBA-ja është e gatshme t’i japë Kosovës ndihmë konkrete me të gjitha kapacitetet, në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar”, ka thënë Eric Holder Jr.
Sipas Presidentes, takimi me Kryeprokurorin e SHBA-së ka për synim arritjen e qëllimit për çrrënjosjen e korrupsionit dhe krimit të organizuar në Kosovë, për të cilën gjë është e nevojshme asistenca dhe ndihma amerikane
“SHBA ka përvojë në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, ka strukturë, ka sistem të fortë dhe metoda për të adresuar e luftuar dhe çrrënjosur këtë problem”, ka thënë Jahjaga.
Sipas njoftimit të Presidencës, Jahjaga ka thënë se është e gatshme që të fillojë reformat në sistemin e drejtësisë, të paraqesë ligje në Kuvend dhe të marrë vendime ekzekutive për të eliminuar një herë e përgjithmonë korrupsionin dhe krimin e organizuar që po rrezikon të mbajë peng proceset demokratike dhe zhvillimore të vendit dhe që të ndërtojë një mbështetje publike në këtë luftë. “Qëllim imi është ndërtimi i një shoqërie të bazuar në ligj dhe në rend, dhe të luftojë korrupsionin dhe krimin e organizuar përpara se ai të shtrihet në strukturat udhëheqëse dhe të fuqizohet”, ka thënë Jahjaga. Po ashtu Presidentja e Kosovës ka kërkuar nga kryeprokurori amerikan që të ndihmojë edhe në arritjen e një marrëveshjeje ndërmjet Republikës së Kosovës dhe SHBA-së për ekstradim të personave të dyshuar për terrorizëm. “Kryeprokurori amerikan, Eric Holder Jr. tha se do të kërkojë që të gjitha çështjet që i ngriti Presidentja e Kosovës do të trajtohen me prioritet dhe se Republikës së Kosovës do t’i jepet çdo ndihmë dhe përkrahje që kërkohet”, thuhet në njoftim.