E Shtunë, 31 Tetor 2026

Nezir Ago: Skulpturën ma mësuan Kristaq Rama e Muntaz Dhrami

BERAT -Ai është i thjeshtë deri në madhështi. Fjalëpak, i heshtur, modest, por me një botë të pasur shpirtërore. Edhe pse nuk ka konkurrentë në qytetin dhe zonën e Beratit, në këtë lloj arti gjatë gjithë punës së tij krijuese ka synuar përherë absoluten në çdo vepër të ekspozuar. Kështu, ka reflektuar aftësi profesionale, eksperiencë, kulturë, ndjesi, intuitë, koncept, dashuri e të tjera cilësi që do ta bënin më komplekse figurën e një skulptori. Është fjala për artistin Nezir Ago, skulptorin e qytetit muze, qytetit që mbart mbi shpinën e vet jetën dhe artin e pandërprerë të gati 2500 viteve. Nezir Ago është nxënës i skulptorëve tanë më të njohur, si Muntaz Dhrami, Kristaq Rama etj, të cilët me artin e tyre i kanë dhënë formë çdo ndjenje, çdo mendimi e çdo frymëzimi njerëzor. Arti i skulpturës me magjinë e vet shpeshherë është identifikuar me vetë Zotin, të cilit i falen njerëzit. Tokësorë, si ne, si ti, si unë janë këta artistë, porse kur futen në botën krijuese, ata ndryshojnë, sepse në qenien e tyre ekziston një energji hyjnore e brendshme lëvizëse, që kërkon të shpërthejë si një ngarkesë emocionale artistike, poetike, dramatike, etj., të kthehet në produkt estetik të vetvetes dhe për të tjerët. “Një vepër arti që të jetë e mirë, duhet të jetë e ndjerë dhe e sinqertë. Motivi i zgjedhur duhet të ketë formë, përmbajtje, botë, jetë dhe lëvizje. Artisti, ndryshe nga të tjerët, krijon, frymëzon, sakrifikon, dashuron dhe transmeton vlera estetike e emocionale për individin, shoqërinë dhe kombin”, - thotë skulptori Nezir Ago. Për ta njohur më mirë atë dhe veprën e tij, ne zhvilluam një intervistë, përmes së cilës zbuluam botën e vërtet të një artisti.

Si ju ka lindur dëshira për t’u bërë skulptor?
Në moshë fare të vogël teksa ecja në qendër të qytetit pranë Xhamisë së Plumbit pashë disa njerëz të mbledhur, që vështronin dikë që vizatonte një selvi pranë xhamisë. Me kureshtjen e moshës afrohem dhe dal në rreshtat e parë. Kjo gjë më ngacmoi dëshirën për të vizatuar. Tentova disa herë ta bëj edhe unë një gjë të tillë, por e kuptova që ishte e vështirë. Kjo ishte shkëndija e parë, e cila bëri të mundur që unë t’i futem rrugës së artit.
Të gjithë fëmijët qysh në moshë të vogël rrëmbehen pas lojës dhe lodrave të preferuara, të cilat më vonë mund të përcaktojnë edhe drejtimin që ai mund të ndjekë në jetë. Ju keni pasur ndonjë preferencë që ka lidhje me skulpturën?
Lodrat e mia kanë qënë si gjithë lodrat e fëmijërisë së kohës sime dhe nuk kam pasur ndonjë lodër specifike, e cila kishte të bënte drejtpërdrejt me skulpturën.
Në çfarë moshe keni filluar të merreni me këtë lloj arti?
Që në moshën 12-vjeçare, duke ndjekur kurse vizatimi.
Cili ka qënë mësuesi juaj i parë i vizatimit?
Mësuesi im i parë i vizatimit ka qene piktori Josif Fani.
A keni pasur ndonjë idhull?
Po, kam pasur idhuj pedagogët e mi të skulpturës si Muntaz Dhrami, Kristaq Rama si dhe pedagogun e vizatimit Zef Shoshi.
Cila ka qenë mbështetja më e fuqishme që ju ka bërë të ecni përpara në këtë rrugë?
Dëshira e madhe për këtë profesion të vështirë, por edhe të bukur njëkohësisht ka bërë të mundur që unë të jem kërkues ndaj vetes. Pastaj një ndikim të madh tek unë kanë pasur mësuesit e mi të mrekullueshëm, me të cilët kam pasur fatin të ndaj vitet e formimit tim artistik dhe padyshim mbështetja dhe ngrohtësia e familjes sime.
Çfarë teme keni trajtuar në veprat tuaja dhe ç’hapësirë zë krijimtaria juaj artistike?
Në veprat e mia janë trajtuar kryesisht temat lirike dhe epike. Krijimtaria artistike e mirëfilltë fillon me mbarimin e shkollës së lartë në vitin 1987. Nga ky vit e në vazhdim kam qenë pjesëmarrës në të gjitha ekspozitat lokale dhe kombëtare, duke u përfaqësuar në gjininë e skulpturës.
Cila ka qenë puna juaj e parë e ekspozuar?
Sikurse thashë më lartë, ngacmimi që unë mora nga piktori që vizatonte xhaminë më nxiti që të frekuentoj kursin e pikturës në shtëpinë e pionierit. Pikërisht këtu filluan edhe punimet e mia të para, që ishin disa vizatime me dritëhije.
Sa vepra keni të ekspozuara në ambientet publike?
Vepra e parë publike është statuja e flautistes e derdhur ne bronz që në vitin 1989 dhe e vendosur në ambientet e lulishtes së qytetit tonë. Më vonë kam realizuar disa vepra të tjera si: memoriali i ujësjellësit të Bogovës, i vendosur në sheshin para turizmit; Konstandini i Madh i vendosur në kala; monumenti i Safet Boletinit në Mitrovicë, Kosovë; memoriali në Sinjë dhe monumenti i pavarësisë në Çorovodë. Ka edhe mjaft vepra të tjera që janë ekspozuar në ambientet publike të Kuçovës, Fierit, Elbasanit, Mitrovicës, Beratit, Skraparit.
Për momentin a jeni duke u marrë me ndonjë punë dhe në qoftë se po, a mund të na tregoni pak për tematikën e kësaj pune?
Po, jam duke përgatitur një cikël figurash, të cilat i kam titulluar “Qyteti im”, tek të cilat do të reflektohen arkitektura e veçantë dhe objektet historike të qytetit tonë. Një nga këto vepra e kam ekspozuar në ekspozitën e fundvitit të kaluar.
A keni pasur ndonjë moment që jeni mërzitur nga kjo punë dhe keni thënë “boll më!”?
Ka pasur raste kur disa nga punët më kanë lodhur fizikisht, por njëkohësisht kam ndjerë një kënaqësi shumë të madhe nga krijimi im. Të them të vërtetën, nuk i kam thënë vetes kurrë “boll më!”, sepse kënaqësia e vlerave që sjell një vepër është më e madhe se lodhja fizike.
Ju e njihni shumë mirë pikturën dhe skulpturën. A mund të na thoni se cila prej tyre paraqet më tepër vështirësi në interpretim dhe realizim?
Fillimisht, kur unë kam qenë në kurset e vizatimit në shtëpinë e pionierit, jam ushtruar në fushën e pikturës dhe pasi kam filluar studimet e mesme në liceun artistik “Jordan Misja” në Tiranë, kam filluar në degën e skulpturës dhe këtu jam specializuar në gdhendjen e drurit. Kjo bëri të mundur që edhe studimet e larta t’i vazhdoj në degën e skulpturës dhe të specializohem për qeramikë. Nga eksperienca ime mund të them se skulptura është më e vështirë, për arsye se është tredimensionale dhe ka lodhje fizike më të madhe se piktura. Megjithatë ky lloj arti e zhduk si me magji lodhjen dhe ajo që mbetet pasi i jep dorën e fundit një vepre, nuk është gjë tjetër veçse një kënaqësi estetike vërtet çlodhëse.
Nëse do ta kthenit kohën mbrapa, çfarë do të ndryshonit te veprat tuaja?
Parë në këndvështrimin e tanishëm, disa nga veprat e mia do t’i kisha trajtuar në një mënyrë tjetër, por megjithatë, mendoj se ato bartin vlerat e tyre artistike dhe mbi të gjitha vulën e kohës kur janë krijuar. Një vepër arti që të jetë e mirë, duhet të jetë e ndjerë dhe e sinqertë. Motivi i zgjedhur duhet të ketë formë, përmbajtje, botë, jetë dhe lëvizje. Artisti, ndryshe nga të tjerët, krijon, frymëzon, sakrifikon, dashuron dhe transmeton vlera estetike e emocionale për individin, shoqërinë dhe kombin.
Çfarë mesazhi do të kishit për ata të rinj që aspirojnë të zgjedhin artin e skulpturës?
Pasioni i madh ndaj artit, skulpturës dhe puna e vazhdueshme bëjnë të mundur të arrihet suksesi i dëshiruar.

(d.b/GazetaShqiptare/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›