E Shtunë, 31 Tetor 2026

Nga 21 janari tek dorëheqja e 21 mashave të Edvinit në bashki

19-07-2011 / Nga Lavdrim Lita

Pa u mërzitur, numri 21 është një numër natyror, pas 20 dhe para 22. Ky numër shumë simbolik në religjione, pse është produkti i dy numrave të shenjtë 3 dhe 7, konsiderohet si një numër perfekt. Kurse për ateistët, që besojnë tek matematika e fakteve, thonë se është një numër me defekt, pasi është një numër i përbërë nga faktorët: 1, 3 dhe 7. Sepse shumëzimi i faktorëve është 11  < 21, prandaj është një numër difektoz.
Në politikë, ateistë për përkufizim janë komunistët e Internacionales, të cilët festojnë 21 dhjetorin, ngase në vitin 1870 të kësaj dite ka lindur as më shumë e as më pak, se vetë Stalini. Kurse pasardhësit e stalinistëve shqiptarë, socialistët e Ramës desh festuan të organizuar datën 21 janar, me demonstrata të dhunshme.
Bile fiks 8 muaj me vonë, me datë 21 shtator të këtij viti kanë paralajmëruar, që sëbashku me shirat e para të vjeshtës, do të ketë edhe protesta të Partisë Socialiste. Dhe mendohet që me 21 nëntor të ketë një grevë tjetër urie. Mirëpo dje mësuam se 21 drejtorë të Bashkisë Tiranë, të emëruar përgjatë administratës Rama, kanë dhënë me dhimbje dorëheqjen.
Afërmendsh kur shikon kaq shumë ngjarje simbolike të ndodhura me një datë kalendarike, “21”, vetiu fillon edhe beson në lidhje mbi-natyrore të së majtës me këtë datë të veçantë. Sepse të gjitha datat që kanë të shënuar “21” nuk janë ditë për t’u gëzuar njerëzimi, aq më pak një socialist i ndershëm që ende beson tek revolucioni.
Përkundrazi, lindja e Stalinit, mos-marrja e kështjellës aq të dëshiruar të kryeministrisë, sidozot për të panjohurën e protestave të 21 shtatorit, dhe në fund humbja e postit dhe privilegjeve për fiks 21 drejtorë të Ramës, nga Bashkia.
Kuptohet vetiu se 21 shtatori, si ekuinoks i vjeshtës, për Partinë Socialiste është ai çast kohor kur opozita shpall protesta dhe demonstrata popullore. Ky ekuinoks opozitar është një nga çmenduritë e shekullit XXI. Dhe është pikërisht data “21” e çdo muaji qoftë ai, që intrigon tejmase Partinë Socialiste për të kryer gjeste me tipare revolucionare. Por me një parti të përçarë dhe një opozitë ku thërret qameti të paktat janë gjasat e ndryshimit të kursit politik. Ai është sot kapiteni i anije që fut ujë nga çdo anë të shikosh. Në mbytje e sipër anija socialiste me vela rozë po braktiset çdo ditë nga marinarë të devotshëm socialistë. Në jerm e sipër kërkon ndryshimin e erës kushtetuese, kur në të vërtetë i duhen një palë vela të reja, pa arna të sajuar majtas dhe djathtas.
Zhegu i fund korrikut dhe gjithë gushtit do t’i shërbejë atij për të gjetur tash formulën e panjohur të ardhjes në pushtet, pa burimin kryesor financiar. Ndërkombëtarët që në Shqipëri janë veshur si zjarrfikës të piromanive të ndryshme të Ramës, i kanë thënë tashmë boll me zjarrvënien institucionale, si një fëmijë që luan me fatet e integrimit, me të njëjtën mënyrë që luan me shkrepëse. Edhe presidenti i Republikës, pas presioneve të mediave është detyruar të thërrasë sot Këshillin e Lartë të Drejtësisë, për t’i “tërhequr veshin” Edi Ramës për akuzat ndaj Kolegjit Zgjedhor. 
Sidoqoftë i mbushur dingas me dilema për të pritshmen politike, për të cilën s’ka asnjë ide për të zhvilluar, ai është peng i vakumit intelektual që mbizotëron në  Partinë Socialiste. E boshatisur sistematikisht nga mendimet ndryshe dhe vizioni social i një politike konstruktive, atij i mbetet veç rikthimi në rutinën e protestave, të grevës së urisë, së demonstratave të dhunshme dhe revoltave popullore për të rrëzuar “Saliun”. Është rutina e rrugës që qetëson shpirtin e tij të trazuar nga humbja spektakolare e 8 majit. Me 21 shtator mbushen 8 muaj nga 21 janari, ç’ka do të thotë patjetër një ri-përkujtim të demonstratës së dhunshme. Mirëpo shoqëria dhe institucionet i kanë anti-korpet e nevojshme për t’i rezistuar një aksioni tjetër “no global” në bulevardin kryesor të Tiranës. Braktisja që i bënë qytetarët e Tiranës dyndjes barbare nga rrethet për pushtimin e kryeministrisë me dhunë duhet ta bëjë të reflektojë udhëheqjen opozitare, për ftohjen e kryeqytetit me  opozitën, për shkak të sipërmarrjes konfliktuale të Ramës. 

...

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›