E Diel, 1 Nëntor 2026

Opozita përballë një sfide të madhe, ekzistencës së saj!

Nga Altin Ketro

Për më pak se një vit, do jemi përballë zgjedhjes së Presidentit të Republikës. Aktualisht kompetencat e Presidentit janë të kufizuara dhe pa ndikim në jetën politiko-ekonomike të vendit, por ai ka në dorë tri armë shume te fuqishme, Shërbimin Sekret, Prokurorinë dhe Drejtësinë.

Tek i pari, propozon shkarkimin apo emërimin e kryetarit.

Tek i dyti, propozon shkarkimin apo emërimin e kryeprokurorit.

Tek e treta, drejton trupën që përzgjedh anëtarët apo drejtuesit e sistemit të drejtësisë dhe vendos masa ndëshkuese ndaj tyre.

Së bashku, SHISH-Prokurori-Gjyqësor, kjo trio është e vetmja që Berisha nuk e ka për momentin nën kontroll, pavarësisht se me disa prej tyre ia ka dalë në mënyra të tjera t’i rreshtojë në anën e tij, si i ka ardhur për mbarë.

Lideri i opozitës, z.Rama, në prononcimet e fundit ka hedhur idenë e ndryshimeve Kushtetuese. Përpos të tjerave, padyshim që këto ndryshime prekin edhe mënyrën e zgjedhjes së Presidentit të Republikës, e cila në ndryshimet e fundit, nga shumicë e cilësuar me 3/5, u rrudh në shumicë të thjeshtë 50+1% të votave.

Atëbotë, z.Rama, dukej se nuk i kishte parashikuar siç duhet  zhvillimet që do pasonin zgjedhjet e 2009-s dhe kësisoj i dha konsensusin e tij, jo pa naivitet, Berishës.  Kanë kaluar dy palë zgjedhje qysh atëherë dhe duket se i fituari i atyre ndryshimeve doli Berisha. Në prononcimin e tij, ky i fundit u shpreh se nuk ka për të patur ndryshime në Kushtetutë. Dhe një nga ndryshimet, ai e di që bëhet fjalë për mënyrën se si do zgjidhet Presidenti. Berisha dhe të tijët, të zhytur sa e sa kohë në krim e korrupsion, po numërojnë mbrapsht ditët deri në zgjedhjen e Presidentit sipas formulës aktuale.

Ku do kishte me mirë që me një President kukull, Berisha të zgjidhte Kryetarin e SHISH-it, i cili, duke vënë institucionin e tij në shërbim të pushtetit, me mënyra speciale të përgjojë kundërshtarët politikë, pse jo, ti fuste edhe në kurth ata.

Ku do kishte më mirë që me një President lepe-peqe, Berisha të zgjidhte Kryeprokurorin, i cili të pushonte dosjet e krimit e të korrupsionit shtetëror apo të mbyllte sytë përpara tyre, pse jo, të linçonte si të donte kundërshtarët e vet duke i përballur me akuza të paqena.

Ku do kishte më mirë që me një President të bindur, Berisha të kishe nën kontroll KLD-në, e rrjedhimisht edhe karrierën e çdo gjyqtari, pse jo, nëpërmjet tyre të dënonte me akuza të manipuluara kundërshtarët e tij.

Në këto kushte, detyra e Presidentit të Republikës merr një rëndësi të dorës së parë. Berisha e dha sinjalin gjatë një inaugurimi periferik se nuk do ndryshojë diçka që pushtetit të tij i kompleton përfundimisht kapjen më spektakolare që një kryeministër mund ti bëjë Shtetit, kapje e cila ndeshet vetëm në vendet diktatoriale.

Shqipëria është ndodhur për së dyti në këtë fazë, por gjithsesi herën e parë ajo ishte shumë larg të qenurit kapje e mirëfilltë. Ishte viti 2002 ku megjithëse mazhoranca socialiste e kishte mundësinë ta zgjidhte vet Presidentin, pas një konsulte nga miqtë tanë brenda Kontinentit dhe përtej Atlantikut, hoqi dorë dhe vendosi për një President konsensual. Z.Mosiu, pavarësisht se mori atëherë mbështetjen e plotë të pozitës demokratikase, doli nga korniza e marrëveshjeve partiake dhe qysh ditën e parë të punës u dha sinjalin palëve se do jetë mbi ta. Dhe në atë polarizim që mbizotëronte, z.Moisiu ia arriti që ta ruante veten nga ndikimet që herë njëra e herë tjetra donin të kishin mbi të.

Tashmë situata është krejtësisht tjetër dhe shefi i Ekzekutivit nuk është në pozita aq komode sa të tolerojë dhe të heqë dorë nga përzgjedhja e Kreut të Shtetit. Berisha ka marrë përsipër një mision, atë të të paturit me çdo kusht dhe mjet të gjithshkaje nën urdhrat e tij. Kur këtë e ka arritur duke shkelur me të dyja këmbët ligjet e vendit, kush mund ti kërkojë llogari për një përzgjedhje që tashmë ia parashikon si të drejtë vet Kushtetuta?!

Siç theksova edhe më lart, numërimi mbrapsht ka filluar dhe opozita është në disavantazh me kohën. Përpara se të mendojë për ndryshimet në Kodin Zgjedhor, ajo duhet të fokusohet se çfarë zgjidhje do ti japë kësaj çështje, e ftohtë për momentin, por që shkëndija i është ndezur dhe nëse ajo nuk do arrijë ta shohë qysh tani atë shkëndijë e të marrë masat për ta fikur, kur të vijnë zgjedhjet e radhës nuk do ketë Kod Zgjedhor që do i shërbejë për ta rrëzuar nga froni të kurorëzuarin post-President, Mbretin Berisha.

Axhenda politike e brendshme dhe e jashtme diplomatike e opozitës duhet të jetë shumë e qartë dhe e pakompromis. Opozita nuk ka çfarë humbet më dhe ajo duhet të lobojë fuqishëm që Presidenti të zgjidhet direkt nga populli. President nga radhët e opozitës as nuk bëhet fjalë, sepse Berisha nuk do e pranonte kurrsesi këtë. Edhe propozimi për  konsensual, padyshim që Berisha do kishte parasysh një që do ishte më afër pikëpamjeve të tij, gjë që do ndeshte në kundërshtinë e opozitës. Me një fjalë, të dy opsionet e fundit do ishin kohë e humbur nga mosbesimi i palëve kundrejt njëra-tjetrës dhe e vetmja zgjidhje do ishte pra, ajo drejtpërdrejt nga populli.

Çdokush mund të thotë se edhe në këtë rast zgjedhjet do i drejtojë Berisha. E vërtetë, por po aq e vërtetë është se ai mund ta zgjedhë edhe vet në Kuvend, me të gjithë fuqinë që ia njeh ligji. Opozita nuk duhet të tërhiqet asesi nga kjo sfidë. Përpos punës së saj në aspektin e brendshëm, ajo duhet të bindi partnerët ndërkombëtarë që na ndihmojnë në aspektin e demokracisë, që të ushtrojnë presion pozitiv në këtë drejtim. Sa për faktin e rrezikut për manipulim në zgjedhje, opozita atë detyrë ka, të përballet dhe mos ti bëj bisht asnjë sfide, aq më tepër që tashmë flitet jo më për rezistencën, por për ekzistencën e saj.

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›