Bruksel, mblidhet këshilli i Stabilizim Asociimit BE-Shqipëri. Fule: Opozita të kthehet në Kuvend

Edmond Haxhinasto: Statusi kandidat, në fund të vitit
Bashkimi Europian kërkon nga partitë politike shqiptare t’i rikthehen dialogut institucional në funksion të integrimit Europian të vendit. Pas takimit të tretë të Këshillit të Këshillit të Stabilizim -Asociimit mes Shqipërisë dhe Bashkimit Europian, Komisioneri për Zgjerimin Stefan Fyle, është shprehur i prerë se zgjedhjet konsiderohen një kapitulli i mbyllur. Ai theksoi se politika shqiptare duhet menjëherë të nisë kontaktet në funksion të kryerjes së reformës zgjedhore. “Zgjedhjet u mbyllën. Së pari pres që partitë politike të reflektojnë për 12 rekomandimet e Komisionit Evropian. Partitë politike duhet të nisin përgatitjet për reformimin e sistemit elektoral”- tha Fule. Komisioneri nënvizoi se opozita në Shqipëri duhet të bëhet pjesë e institucioneve demokratike. “Opozita të kthehet në parlament dhe të marrë pjesë në komisionet parlamentare dhe seancat e Kuvendit. Ka mjaft ligje që kanë nevojë për suportin e opozitës. Dhe midis këtyre ligjeve ka rekomandime të Komisionit Evropian, të cilat duan konsensusin e të gjithë palëve politike. Bojkoti i Kuvendit dhe mos marrja pjesë në institucione është kundër linjës dhe aspiratës së integrimit të Shqipërisë. Prandaj shpresoj shumë që opozita të kthehet në parlament. Kjo është më e mira për Shqipërinë dhe shqiptarët. Shqipëria ka disa pika që duhet t’i përmbushë në mënyrë që t’i hapet rrugë dhënies së statusit. Dy partitë e mëdha politike duhet të rrisin besueshmërinë ndaj institucioneve demokratike”- kujtoi Fule. Sipas tij, dialogu zhvillohet në institucione. Komisioneri për Zgjerimin në BE, u shpreh se politika shqiptare duhet të vijojë me reformat e gjithanshme, në të mirë të vendit dhe qytetarëve. Nga ana e tij, zëvendëskryeministri dhe ministri i Punëve të Jashtme Edmond Haxhinasto, është shprehur se qeveria po punon për plotësimin e 12 rekomandimeve të komisionit Europian. Ai konfirmoi vullnetin e mazhorancës për një reformë të plotë zgjedhore. Për Komisionerin Fyle, Shqipëria zë një vend kryesor në axhendën e Bashkimit Europian. Zyrtari i lartë i Bashkimit Europian theksoi se institucionet europiane do të vijojnë të asistojnë Shqipërinë. Gjithashtu, Fule kërkoi që të mos spekulohet me progres –raportin e KE, në lidhje me faktin se çfarë do të përmbajë raporti, i cili do të publikohet nga Komisioni në fillim të muajit tetor. Lidhur me vendimin e Kolegjit Zgjedhor, i cili legjitimoi fitoren e z.Basha në zgjedhjet e Tiranës, komisioneri për Zgjerimin, Stefan Fule tha se Bashkimi Evropian nuk mund të komentojnë vendimet e gjyqësorit, ndërsa tha se shpresonte që të njëjtën gjë të bënte dhe politika shqiptare.
Përfaqësuesi i presidencë polake të Bashkimit Evropian
Ne vërejmë progres, por Shqipëria dhe faktori politik atje duhet të marrë seriozisht rekomandimet e Bashkimit Evropian. Pas pak muajsh Komisioni do të përgatisë progres-raportin për vitin 2011-të dhe deri në atë kohë, duhet të jenë realizuar 12 rekomandimet. Situata aktuale nuk duket shumë shpresë dhënëse, pasi opozita nuk miraton reformat me mazhorancën. Ne mbetemi me shpresën se progresi i integrimit Evropian nuk do të pengohet nga sjellja e politikës.
Majlinda Bregu: BE dha mesazh të qartë, zgjedhjet përfunduan dhe Shqipëria duhet të shohë para
Bashkimi Evropian cilëson të mbyllur kapitullin e zgjedhjeve në Shqipëri, duke përcjellë mesazhe bashkëpunimi dhe dialogu institucional. Ministrja e Integrimit, Majlinda Bregu, pas takimit të Këshillit të Stabilizim-Asociimit mes Shqipërisë dhe Bashkimit Europian tha se “qëndrimi nga pala evropiane ka qenë i qartë dhe i prerë: Që të ketë një kontribut real të opozitës në Parlament”. Ajo shtoi se “nuk duhet që të interpretohen në mënyrë anësore dhe nuk duhet të spekulohet me deklaratat e këtij Këshilli”. “Ky Këshill i ka vlerësuar zgjedhjet në Tiranë. Fakti i zhurmës së madhe që u bë për Bashkinë e Tiranës, bëri që të tregohej preokupim nga BE-ja, por jo se u vu në diskutim vendimi për rinumërimin apo zgjedhjen e kreut të saj”- deklaroi Bregu.
Ndër të tjera, Bregu tha se i gjithë thelbi i takimeve ishte që “zgjedhjet kanë përfunduar dhe se Shqipëria tani duhet të shohë përpara”. “Të shohësh para do të thotë që të mos bëhesh bllokues për reformat integruese të vendit. Do të vlerësohet një kontribut konstruktiv për axhendën evropiane nga ana e opozitës, pra që ai të mos jetë vetëm pjesëmarrës. Një ndryshim i kursit të opozitës për të bashkëpunuar mbi reformat e vendit do të ishte shumë i vlerësuar”- tha më tej ministrja e Integrimit Evropian, Majlinda Bregu.