Nga 3-12 vjeç kërcejnë përrallën-balet të Prokofievit

Dje gjate pergatitjeve ne skenen "Çehov"
Valeria Dedaj
Shfaqja premierë Petriti dhe Ujku vjen për herë të parë në skenë nga fëmijët shqiptarë. Muzika e përrallës ruse Pjetri dhe Ujku e stilizuar në balet, u kompozua nga Sergei Prokofiev më 1936 e qysh atëherë nuk ka dalë nga qarkullimi në skenat botërore. Ndërsa në Shqipëri interpretohej në vitet pesëdhjetë nga ikona të baletit si Mukades Erebara, Miltiadh Papa, Xhemil Simitxhiu, Petrit Vorpsi, Albert Janku, Sami Bakalli. Të paktën kaq i kujtohet Llaqi Nakos nga ajo plejadë që ai vetë ka qenë fëmijë kur i ka ndjekur në skenë. Sot koreograf, Llaqi Nako i është kthyer përrallës dhe në bashkëpunim me Qendrën Kulturore Tirana ka realizuar një version për fëmijë interpretuar nga fëmijët. Janë balerinë të grupit Spektër të moshës 3 deri në 12 vjeç.
Nako do të jetë me fëmijët në skenë në rolin e gjyshit të Petrit. Personazhe të tjerë janë macja, rosat, zogjtë dhe ujku i cili iu shfaqet fëmijëve me një shpirt njerëzor. Ky është detaji që ka përpunuar dhe vënë në dukje koreografi ynë. Qëllimi është për ta zbutur disi subjektin, e për të shmangur konfliktin dramatik mes kafshëve në mënyrë që historia të shkojë thjesht te spektatori i vogël. Momenti kur muzika është shumë dramatike, në plan të parë koreografi vendos rikat të cilat kanë parë se si ujku u ka sulmuar nënën. Në këtë rast është domethënëse plastika e balerinëve të vegjël. Që fëmijët ta njohin shprehinë e gjuhës klasike të kërcimit koreografi thotë se për këtë vepër është përdorur një teknikë e thjeshtëzuar koreografike që fëmijët të mos e humbasin durimin gjatë gjithë shfaqjeve në sallën e vogël Çehov. Vënia në skenë për fëmijët e baletit Petriti dhe ujku ka qenë një ëndërr e vjetër e Nakos që e bën realitet me premierën e sotme, ora 10.30. Për kostumet dhe skenën, Nako ka bashkëpunuar me Taulant Pustinën.
Koreografi dëshiron që nëpërmjet këtij projekti të jepet një mesazh për më shumë frymë dashamirëse në baletin e moshave të njoma. Vetë përralla përcjell një mesazh dashurie për fëmijët, për marrëdhëniet me bashkëmoshatarët. Sepse siç thekson koreografi kjo është mosha kur fillon edukimi i shijeve estetike dhe zgjohet uni i tyre artistik, që nesër të jenë balerinë klasikë apo modernë por edhe spektatorë të kultivuar të baletit.
Vepra ka në qendër marrëdhënien e një gjyshi e nipin e tij dhe afrinë e tyre me botën e kafshëve, por mbi të gjitha u tregon fëmijëve ta duan natyrën, kafshët e të mirëmbajnë mjedisin e përfundon Nako me mesazhin e fundit. Shfaqja ka një narrator i cili bën shpjegimin me fjalë gjatë gjithë historisë koreografike. Kjo e konkretizon konvencionin e gjuhës specifike të baletit, madje e bën më të prekshme, më të kuptueshme, më të afërt për spektatorin e vogël. Petriti dhe Ujku do të vijojë të shfaqet nga sot e nesër, edhe çdo fundjavë të ardhshme në sallën Çehov, ora 10:30.