Nga 35 institucione, tetë nga to i deklarojnë dhuratat

Vetëm 8 institucione në Kosovë kanë deklaruar se kanë pranuar dhurata protokollare, ndërsa njëzet e shtatë institucione tjera kanë deklaruar se nuk kanë pranuar dhurata gjatë vitit 2012.
Këto shifra i ka bërë publike Agjencia Kundër Korrupsionit, ku edhe kanë bërë deklarimin e tyre Institucionet.
Sipas Agjencisë, institucionet të cilat kanë dorëzuar kopjet e katalogut të dhuratave gjatë këtij viti për vitin 2012 janë: Presidenca 8 dhurata protokollare; Ministria e Integrimeve Evropiane 6 dhurata të rastit; Universiteti i Prizrenit 10 dhurata protokollare; Fondi i Kursimeve Pensionale të Kosovës 13 dhurata të rastit; Komuna e Graçanicës 3 dhurata protokollare; Komuna e Prishtinës 4 dhurata protokollare; Prokuroria Themelore Pejë 1 dhuratë te rastit; Kompania Rajonale e Mbeturinave Çabrati 1 dhuratë protokollare .
“Bazuar në Ligjin nr. 04/L-050 Institucionet publike duhet t’i emërojnë zyrtarët përgjegjës për mbajtjen e regjistrit të dhuratave. Të gjitha dhuratat e pranuara dhe vlera e tyre përkatëse, si dhe emrat e personave që kanë dhënë dhuratën, duhet të regjistrohen në regjistrin e dhuratave nga personi zyrtar që përcaktohet nga Agjencia dhe që mbahen nga institucioni, në të cilin personi zyrtar ushtron detyrën”, bënë të ditur AKK-ja. /Indeksonline/