E Diel, 1 Nëntor 2026

Vlora Çitaku, zyrtarja e parë e Kosovës në Serbi

Ministrja për Integrime Evropiane në qeverinë e Kosovës, Vlora Çitaku do jetë zyrtarja e parë e shtetit të Kosovës që shkon në Beograd, ka mësuar indeksonline nga burime pranë zyrës së BE-së. Ajo nuk është e ftuar e shtetit serb pasi atje do jetë si një nga folëset kryesore e një konference të organizatës së Sociologut të njohur serb, Dusan Janjiq, “Forumi për Marrëdhënie Etnike”.

Kjo vizitë është planifikuar me ndërmjetësimin e zyreve të Bashkimit Evropian në Prishtinë dhe Beograd.

Ministrja Çitaku niset të enjten për në kryeqytetin serb, ndërsa të premtën do e ketë agjendën e ngjeshur. Përpos pjesëmarrjes në konferencën e organizatës së Janjiq, ajo do e vizitojë zyrën ndërlidhëse të Kosovës ku më 17 qershor e filloi punën përfaqësuesi kosovar, Ambasadori Lulëzim Peci. Përpos kësaj, Ministrja Çitaku, do të takohet edhe me ambasadorët e vendeve të Quintit me mision në Beograd, ndërsa ekziston mundësia edhe e takimit me zëvendëskryeministren serbe, Suzana Grubjeshiq, që është përgjegjëse për integrimin evropian në qeverinë e Serbisë. Ky takim ende nuk është konfirmuar për arsye teknike pasi Grubjeshiq është për vizitë në Austri dhe ende nuk është e sigurtë nëse do të mund të kthehet të premtën në Beograd.

Ka kohë që është përfolur për një vizitë të mundshme të një zyrtari kosovar në Beograd, por deri më tash ende nuk ka pasur kurrfarë konfirmimi. Fillimisht ishte përmendur mundësia që zëvendëskryeministri Hajredin Kuçi do të mund të udhëtonte drejt Beogradit, por kjo asnjëherë nuk ishte konfirmuar. /Indeksonline/

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›