Sheshi “Italia” nën magjinë e Morricones, Andrea Morricone dirigjon kryeveprat e të atit në Tiranë

TIRANË, 10 maj/ATSH/ Nën tingujt magjepsës të muzikës së pavdekshme të Ennio Morricone, sheshi “Italia” në Tiranë u kthye mbrëmjen e djeshme në një skenë të madhe emocionesh artistike, ku publiku përjetoi koncertin spektakolar “Morricone dirigjon Morriconen”, organizuar në kuadër të Ditës së Europës.
Koncerti, i organizuar me mbështetjen e qeverisë shqiptare dhe nën kujdesin e veçantë të Kryeministrit Edi Rama, solli në skenë dirigjentin Andrea Morricone, i cili drejtoi Orkestrën Simfonike të RTSH-së në interpretimin e disa prej kolonave zanore më ikonike të krijuara nga i ati, mjeshtri legjendar Ennio Morricone.
Kryeministri Rama ndau sot një videokartolinë nga mbrëmja magjike e 9 Majit të Europës, kremtuar me muzikën e legjendarit Ennio Morricone.
“Në shfaqjen e veçantë, “Ishte im atë”, luajtur me dinjitet të lartë nga Orkestra Sinfonike e Radio-Televizionit Shqiptar dhe kori i Teatrit të Operës dhe Baletit, nën drejtimin e të birit, Andrea Morricone”, u shpreh Rama.
Në këtë mbrëmje të mbushur plot emocione performuan solistë të njohur ndërkombëtarë si pianistja Cecilia Grillo, baritoni Alessio Quaresima Escobar, sopranoja Vittoriana de Amicis.
Drejtimi artistik i koncertit i ishte besuar Anila Varfit.
Artistët përcollën për publikun një përjetim unik me kolonat zanore më të njohura të kinemasë botërore.
Aktiviteti u realizua në bashkëpunim me Institutin Italian të Kulturës, Ambasadën italiane në Tiranë, RTSH dhe TKOB.
Ennio Morricone ishte kompozitor dhe dirigjent legjendar italian, sinonim i “Spaghetti Westerns” të Sergio Leones, sipas classicfm.com. Gjashtë herë fituesi i ”Golden Globe”, Ennio Morricone, përbën gjysmën e një prej partneriteteve më të mëdha regjisor/kompozitor, që nga Hitchcock dhe Hermann.
Partiturat e tij të para të filmit ishin relativisht të zakonshme, por ai u punësua nga Leone për filmin ”Per un Pugno di Dollari” (Për një grusht dollarë) në vitin 1964 në bazë të disa prej aranzhimeve të këngëve të tij.
Përdorimi krijues i kambanave, kitarave elektrike, harmonikave dhe zhurmës së dallueshme të harpës hebreje nga Morricone kanë ndikuar dhe revolucionarizuar muzikën perëndimore deri në atë pikë, sa është e vështirë të imagjinohet një partiturë pa instrumentet e tij joortodokse.
Edhe pse emri i tij do të jetë gjithmonë sinonim i ”Spageti Western”, Morricone ka shkruar rreth 400 partitura filmash në të gjitha zhanret e filmit, duke përfshirë komeditë, romancat dhe thrillerët.
Disa nga kompozimet e tij brilante dhe më të paharrueshme përfshijnë: ”Mission” e Roland Joffé (1986); ”The Untouchables” të Brian De Palma (1987); ”Cinema Paradiso” e Giuseppe Tornatore (1988); ”Kill Bill” Vol. 1&2 (2003/04); ”The Life Aquatic” me Steve Zissou (2004).
Gjatë karrierës së tij të gjatë, Morricone mori çmime të panumërta: Dy Oscar: një nderi në 2007 për kontributin e tij të gjithanshëm në artin e muzikës së filmit, dhe një në 2016-ën për The Hateful Eight (në moshën 87-vjeçare, duke u bërë një nga fituesit më të vjetër).
Ai fitoi tre Grammy, tre Golden Globe, gjashtë BAFTA, dhjetë “David di Donatello”, 11 “Nastro d’Argento” dhe çmime të tjera prestigjioze si “Polar Music Prize” (2010) dhe “Golden Lion” për Karrierë.
Ai u nderua edhe me titullin “Commendatore” dhe “Grande Ufficiale” nga Republika Italiane.
Morricone ndërroi jetë më 6 korrik 2020 në moshën 91-vjeçare. Muzika e tij vazhdon të jetë e pranishme në koncerte, filma dhe kulturën popullore botërore. Ai trajtoi muzikën e filmit si artin më të lartë, duke e ngritur atë në nivelin e simfonisë.
/m.m/a.f/