Nga Korça në skenat e Europës, artistët e “Tefta Tashko Koço” përfaqësojnë denjësisht Shqipërinë

Shkolla e Mesme Artistike “Tefta Tashko Koço” në Korçë vijon të nxjerrë talente të reja në fushën e muzikës, ndërsa shumë prej nxënësve të saj po marrin pjesë në konkurse ndërkombëtare dhe po arrijnë rezultate të vlerësuara me çmime.
Pianistë, instrumentistë dhe këngëtarë të rinj nga kjo shkollë kanë përfaqësuar denjësisht Korçën dhe Shqipërinë në aktivitete artistike të zhvilluara në vende të ndryshme të Europës, duke spikatur për nivelin artistik dhe interpretimin profesional.
Sipas drejtorit të shkollës Ilir Zguri, këto suksese janë rezultat i punës së vazhdueshme, përkushtimit të nxënësve dhe mbështetjes së mësuesve, të cilët punojnë çdo ditë për zhvillimin artistik të talenteve të reja.
“ Jo vetëm brenda Shqipërisë, por edhe jashtë saj kanë filluar konkurset për instrumentistët e rinj. Shkolla prej të paktën tre vjetësh ka qenë shumë aktive në pjesëmarrjen e tyre dhe këtë vit ka nisur me pjesëmarrjen në konkursin e Veronës. Aktualisht janë duke u përgatitur tre pianistë të klasës së tretë që do të konkurrojnë në Romë në një tjetër takim ndërkombëtar. Një numër i madh nxënësish marrin pjesë në këto konkurse, të cilat nuk janë qëllim në vetvete, por shërbejnë për ambientimin sa më të mirë të nxënësve në skenat kombëtare dhe ndërkombëtare.”
Shkolla e Mesme Artistike “Tefta Tashko Koço” mbetet një nga institucionet më të rëndësishme artistike në juglindje të vendit, duke kontribuar ndër vite në formimin e artistëve të rinj dhe promovimin e kulturës muzikore shqiptare.
Gazetare: Geralda Manushi
/rtsh.al/