E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

Nga Lezha në Gjirokastër për të shitur lëndë narkotike në Kala, prangoset 27 vjeçari

Ka përfunduar me pranga në duar aventura e një lezhjani, i cili kishte zgjedhur Kalanë e Gjirokastrës për tu shitur drogë përdoruesve.

Policia e Gjirokastrës bëri të ditur se pas kontrolleve intensive për të parandaluar dhe goditur paligjshmëritë, në pikat turistike dhe në të gjithë territorin e qarkut, është kapur në flagrancë brenda kalasë së Gjirokastrës, teksa i shiste një 31-vjeçari, lëndë narkotike ekstazi, një 27-vjeçar, banues në Lezhë.

Policia ka proceduar penalisht edhe blerësin e lëndës narkotike. Uniformat blu kanë sekuestruar me këtë rast sasinë e lëndës narkotike ekstazi, 420 euro dhe 28000 lekë të cilat dyshohen se janë përfituar nga veprimtaria kriminale e shitjes së kësaj lënde dhe 2 celularë.

“Specialistët e Seksionit për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme dhe Narkotikëve, në bashkëpunim me ata të Forcës së Posaçme Operacionale, të mbështetura nga informacionet e siguruara prej inteligjencës policore, se një shtetas shiste lëndë narkotike, brenda perimetrit të kalasë së Gjirokastrës, kanë organizuar menjëherë punën për arrestimin e këtij shtetasi.

Si rezultat, u kap në flagrancë brenda kalasë, teksa i shiste një shtetasi tjetër, lëndë narkotike ekstazi, dhe u vu në pranga shtetasi D. Ll., 27 vjeç, banues në Lezhë. Gjithashtu, u referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi në gjendje të lirë për blerësin e kësaj lënde narkotike, shtetasin K. H., 31 vjeç, banues në Gjirokastër.”- thuhet në njoftimin e policisë.

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›