E Shtunë, 31 Tetor 2026

Nga Londra, tek De Biazi...

E tillë është jeta, që i përplas fatet e njeriut sa në një breg në tjetrin, duke i lënë shpesh pa ndonjë përputhje shijet e gjithsecilit, për sa i takon së mirës dhe së keqes ose të bukurës me të shëmtuarën. Siç pritet të ndodhë këto ditë me ata që së shumti tërhiqen nga garat e ndeshjet sportive, të cilët, nga Londra llamburitëse, nga ku u magjepsën mbi këto dy javë të zhvillimit të Olimpiadës atje, do të detyrohen pas pak ditësh të hedhin një sy edhe nga ajo anë e Tiranës, ku ndodhet një stadium i hirtë e i fshehur pas një gardhi llamarinash, në të cilin Kombëtarja jonë e Futbollit do të luajë një ndeshje miqësorestërvitore, e katërta rresht nën drejtimin e trajnerit të ri, italianit De Biazi. Por, ndërsa nga Londra vijnë zëra, me demek shqetësues, ku thuhet se dështimi ynë në ato Lojëra u dashka kërkuar prej disa institucioneve që nuk paskëshin të bënin me Komitetin Olimpik Shqiptar, (ngjasim ky me atë anekdotën e asaj lopës së vjedhur ku fajësohej pronari që nuk kishte qenë i zoti ta ruante atë, ndërkohë që të gjithë donin të dinin nëse hajduti në këtë rast, a kishte ndonjë faj, apo jo?!), për ndeshjen e pritshme ndaj Moldavisë ora sikur ka mbetur në vend, pa ndonjë zhvillim kushedi se çfarë, por vetëm me ato "të reja" që na pat shfaqur trajneri De Biazi me formacionet e paraqitura ndaj Gjeorgjisë, Katarit dhe Iranit, kur pat luajtur ndaj tyre në fundmuajin shkurt dhe maj të këtij viti. I detyruar, përpara një fakti të domosdoshëm të rinovimit të ekipit, sepse Kuzhja i mëparshëm rendte pas fitoreve fantazmagorike të ndeshjeve stërvitore - po me të njëjtët lojtarë që luanin prej më shumë se një dekade, duke u kthyer gati në hero prej kësaj manie vanitoze e pa asnjë vlerë për futbollin tonë, tani De Biazi po kërkon të bëjë të kundërtën, duke aktivizuar në të tria ndeshjet e deritanishme të tij, pafundësi lojtarësh të rinj, duke mos e ditur askush deri tani se cila do të jetë fytyra e vërtetë e Kombëtares sonë në ndeshjet eliminatore të Botërorit të ardhshëm, që do të nisin në fillim të këtij shtatori! Aq e vërtetë është kjo, duke filluar që nga portierët, ku në të tria ndeshjet ka pasur tri emra të ndryshëm, pa e ditur se cili do të jetë në portë të mërkurën e ardhshme, më 15 gusht, ndaj moldavëve, për të krijuar më në fund një ide sa më të qartë rreth formacionit të kësaj skuadre. Po flitet, sikur të ishte një risi, për aktivizimin këtë herë edhe të Hamdi Salihit, tashmë ky një bast i fituar prej kohësh, ashtu si Besart Berisha, që edhe pse është përcaktuar si sulmuesi më i suksesshëm i kampionatit australian, megjithatë, së bashku me sulmuesin shkodran nuk ishin grumbulluar më parë nga De Biazi, nga që sipas tij, e ndonjë tjetri, na qenkëshin larg, përtej Oqeanit! Po tani, sa vlen kjo largësi për këta dy futbollistë? Për të mos u fshehur pas të vërtetave të hidhura, apo për të mos u rehatuar pas "qetësisë" që mbretëron në kampin e ri "De Biazi", janë vetë deklaratat e trajnerit italian ato që flasin për një gjendje jo fort optimiste të përfaqësueses sonë, edhe pse rruga e ndjekur tani prej tij, ndryshon nga ajo e Kuzhes, -fanatik i një formacioni të vetëm. Nga ndeshjet e luajtura deri tani, ku të parën e humbi dhe dy të tjerat i fitoi, De Biazi ka pranuar se, ndërsa ndjehet më i sigurtë në mbrojtje dhe sulm (gjë që nuk më duket shumë e saktë), përkundrazi, në mesfushë i duhet më shumë fantazi dhe organizim, duke ngritur shqetësimin se nuk e ka gjetur ende binjakun e lojtarëve të tipit "Skela" apo "Lala". Nuk e di, për ndeshjen e katërt miqësore-stërvitore, që këtë herë do të luhet në fushën tonë, para sportdashësve të zhgënjyer deri më sot, a do të shohim një skuadër me një fizionomi më të qartë loje, ku të duket edhe ndopak "filozofi" italiane e futbollit, apo do të vazhdojnë eksperimentet e pafund rreth formacionit? Sepse shoh që ende vazhdon rendja pas emrave të rinj, aq sa ata me emrin "Mërgim" nuk kanë të mbaruar, duke kërkuar të tjerë, informacioni për të cilët duket sikur kërkon gjilpërën në kashtë! Natyrisht, për të mos i ngjarë Kuzhes, që si Makiaveli përdori çdo mjet të tij pragmatist për t'ia arritur qëllimit, siç ishte fitorja e ndeshjeve miqësore, duke spekuluar me to për një kohë të gjatë, kur rezultatet e ndeshjeve të vërteta munguan plotësisht, De Biazit i duhet që nëpërmjet ndeshjes ndaj Moldavisë, më shumë se fitoren e saj në planin statistikor, të fitojë vetë lojën e skuadrës, atë që do të bëjë të mundur ndryshimin e një mentaliteti, për të guxuar dhe luftuar që të mos dalim si gjithmonë të fundit nëpër aktivitetet zyrtare. Për këtë atij nuk i duhet të eksperimentojë deri në pafundësi, se kështu skuadra do të mbetej vazhdimisht e brishtë dhe pa fizionomi...

(er.nu/GSH/BalkanWeb)

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›