Tirana Skënderbeu finalja e Kupës së Shqipërisë
Pas përfundimit të ndeshjeve të dyta gjysmëfinale janë përcaktuar përfundimisht dy skudrat, që më 17 maj do të diskutojnë finalen e edicionit të 60-të të Kupës së Shqipërisë. Përcaktues rezultuan ndeshjet e para dy javëve, ku Tirana fitoi 3-0 në Vlorë ndaj Flamurtarit. Ndërsa Skënderbeu fitoi 3-1 ndaj Kastriotit. Dy ndeshjet e kthimit kanë përfunduar në barazim, ku Kastrioti Skënderbeu përfundoi 0-0, ndërsa Tirana Flamurtari u mbyll në barazim 2-2. Dy gjysmëfinalet e dyta janë luajtura pa praninë e tifozëve, ku si për koiçidencë në një kohë fusha e Krujës dhe e Tiranës ishin të dënuara nga Komisioni i Disiplinës që të luanin një ndeshje pa spektatorë, për shkak të sjelljeve të tifozerive përkatëse në ndeshjet e mëparëshme.
Kastrioti u mundua me të gjitha mundësitë që të përmbyste disavantazhin e arritur para dy javësh në Korçë. Takimi ishte i hapur dhe të dy ekipet kishin mundësi të shumta për të shënuar, por falë formës së mirë të portierëve dhe ndihmës së shtyllave gjithçka u mbyll në barazim 0-0. Në minutën e 39-të të pjesës së parë krutanët kërkojnë një penallti, por gjyqtari Bardhyl Pashaj vijon lojën. Pikërisht në këtë minutë Kastrioti sulmon nga e majta dhe topi i harkuar në zonë largohet me dorë nga Arapi, që përfundon në fundore, por Pashaj e konsideron të pavullnetëshme. Falë fitores në shtëpi, 3-1, Skënderbeu kalon në finale.
Tirana përpos zërave të hapura që kishin të bënin me një tolerim ndaj Flamurtarit edhe sot nuk e ka vënë në dyshim kualifikimin në finalen e Kupës. Tirana e kishte marrë seriozisht edhe ndeshjen e kthimit, ndonëse dy javë më parë fitoi 3-0 në Vlorë. Në minutën 5-të Cikalleshi shënon dhe me këtë gol i jep qetësi bardhebluve dhe shton pamundësinë tek Flamurtari. Në minutën e 21-të Pejiç përfiton nga një mefshtësi e mbrojtjes kryeqytetase dhe barazon rezultatin. Në minutën e 29-të Nertil Ferraj në hyrje të zonës vlonjate gjuan fort, topi devijohet nga një mbrojtës dhe përfundon në rrjetë, 2-1 për Tiranën. Me këtë rezultat mbyllet pjesa e parë. Pjesa e dytë është më e qetë, por rastet nuk mungojnë për të dy ekipet. Në minutën e 79-të Pezo, një tjetër ish-bardheblu me kokë shënon dhe barazon. 2-2 mbyllet i gjithë takimi dhe është Tirana e trajnerit Hulian Rubio, ajo që më 17 maj do të jetë përballë Skënderbeut për të diskutuar finalen e Kupës së Shqipërisë.
KASTRIOTI – SKËNDERBEU 0-0
TIRANA FLAMURTARI 2-2
Shënues: Cikalleshi 5′, Ferraj 29′/ Pejiç21′, Pezo 79′
