Nga Përmeti, Berisha ka frikë
1./Ti vjen në Përmet e nuk më njofton mua?
Kjo është një tjetër poshtërsi që më bën. Si një prej themeluesve të partisë tënde (të dytë) në qytetin tim unë ndjehem i ofenduar. Besoj se nuk më ke harruar kur si adoleshent dilja të prisja në errësirën e viteve ’91-92. Kur qyteti dhe njerëzia nxinin nga komunizmi që po mekej, nga fukarallëku që po i mekte, nga frika e falangave që edhe të mekura kërkonin të na trembnin, unë me një grup shokësh të mi të mirëprisnim e të trajtonim si çun me rregulla.
Ti vije në një bastion super të majtë por ne duke respektuar edhe traditën e mikëpritjes të bënim të ndjeheshe më rehat se në shtëpinë e vjehrrës. Të falnim e të dhuronin respekt, dashuri, besnikëri, gliko, raki (hashash nuk prodhonte asaj kohe Lazarati) por si për inat na e ke shkelur gjithçka me këmbë…
Ti doktor vjen sot (nesër) në Përmet dhe veç militantëve dhe policisë nuk ke shpërndarë asnjë njoftim zyrtar dhe miqësor. Ke në plan të përurosh godinën e rikonstruktuar të shkollës 9-vjeçare Meleq Gosnishti e pa pikën e turpit Erla jote asnjë sms apo bbm nuk më ka nisur. Godina për të cilën do bësh gjithë atë rrugë është pronë dhe administrohet nga bashkia e qytetit. Protokolli i paturp i kryeministrisë tënde nuk ka informuar madje as kryebashkiakun e Përmetit.
Ti je mësuar qysh i vogël tek përgjoje pas frëngjisë së kullës në Viçidol se kush bujte te kulla e komshiut ndërsa ne këtej hapim dyert dhe e trajtojmë mikun e komshiut porsi mikun tonë.
Ti vjen të përurosh godinën për të cilën unë jam personi përgjegjës. Më fal Sali, harrova të të them që unë drejtoj departamentin e kulturës, arsimit dhe sporteve në bashkinë e Përmetit dhe besoj ti e di mirë që pushteti lokal ka në pronësi e kujdeset për çdo objekt arsimor përfshirë çerdhet,kopshtet dhe shkollat. Ti pa pikën e turpit do të hysh pa na njoftuar në shtëpinë tonë dhe kjo si gjithmonë në vazhdën e harbutërisë tënde gjenetike. Shkolla për të cilën po flasim ka filluar të rikonstruktohet qysh para 4 vjetësh (nuk kam qenë drejtor atëherë) dhe punimet e saj përfunduan në fundvitin e 2011-s. Janë shpenzuar rreth 60 milionë lekë jo nga qeveria jote, e përsëris jo nga paratë e taksapaguesve shqiptarë, por me një grand të dhënë nga Banka Botërore.
Bashkia jonë kishte programuar përurimin e këtij objekti arsimor në datën 25 maj, në ditën kombëtare të poetit Naim Frashëri. Do të të ftonin edhe ty, por ftesa speciale do ishte për dhuruesit e parave. Ty si gjithmonë nuk të rri bytha në një vend e sa herë dëgjon për ndonjë përurim apo festë, merr gërshërët me vete dhe lëshohesh të presësh edhe shiritat dhe gëzimin e vocërrakëve më dysh.
Ej, me fëmijët nuk ke punë nesër. Lëri rehat të gëzojnë pranverëzimin e natyrës e mos u fol broçkulla e mos ua bëj mendjen pordhë me politikë. Lëri fëmijët të qetë në hallet e prindërve të tyre, të cilët nuk ke fytyrë ti takosh. Ti vjen në Përmetin e arsimdashës dhe qeveria jote dhe ministri frashërlli Genc Pollooooh keni investuar ZERO këto 8 vitet e fundit në arsim. Vjen në Përmetin e Dashnor Mamaqit, gjyshit të Sokol Olldashit, por rrugët dhe infrastrukturën i keni persekutuar më keq se vitet e burgut të gjyshit. Vjen në Përmetin ku lindi dhe këndohet ende kënga legjendë A kanë ujë ato burime?, por çezmat dhe fyti i përmetarëve ka vite që janë tharë nga maskarallëku i keqmenaxhimit të ujësjellësit që e vjedhin njerëzit e partisë tënde. Vjen në Përmetin ku vrave 7 të pafajshëm në 9 marsin e 1997-s dhe qytetarët e këtushëm kur i kapën rob i trajtuan si njerëz paramilitarët e tu nordikë që luftonin jugorët mikpritës (pyete çik Fatos Hoxhën). Ti vjen në Përmetin ku bashkia po punon mes sakrificave dhe 100 punonjësit e saj kanë ende 3 muaj pa marrë rrogat sepse ti na e vodhe grandin e pagave e shleve borxhet e energjisë elektrike të një ndërmarrjeje publike, e cila nuk është pjesë e pushtetit lokal.
Është ora 21:36 e mbrëmjes dhe po shoh nga dritarja qytetin që qenka mbushur me gardistët e sapombërritur për vizitën tënde. Po na ofendon dyfish tek shoh gjithë këtë rrokopujë në qytetin e paqtë, në Përmetin ku mikpritja ka shekuj që është institucionalizuar. Kisha dëshirë të të takoja e të flisnim si dikur, por nuk qenke më burrë. Kisha dëshirë të të trajtoja jo si kryeministër, as si mëkatar, por thjesht si mysafir që më viziton shtëpinë, lulishten, rrugën, qytetin. Nuk të bëj shumë me faj, kjo është vizita jote e fundit si kryeqeverisës. Mbaje mend pas qershorit do të të ftoj personalisht të vish e të pleqërohesh këtu. Ke gjelbërim, qetësi, ushqim të mirë, raki, verë, muzikë të bukur… Ah, desh harrova. Nesër në Përmet mos guxo ti dalësh para virtuozit Laver Bariu se do të të gjejë belaja. Ka për të të gjuajtur me klarinetë bythëve e do të të mbulojë me mallkime pse kërkon ta tjetërsosh kontributin madhor rilindjes (jo lirindjes) dhe kulturës përmetare kombëtare.
E mban mend sa keq i poshtërove harrueshëm vëllezërit Frashëri në 100 vjetorin e Pavarësisë?
